(Ky tekst është publikuar në 28 shkurt 2020, në vazhdim të një diskutimi të hapur nga G. Agamben, ku më pas ka ndërhyrë edhe J. L. Nancy)

Duke lexuar këtë tekst në Nancy-së gjej në të tiparet që gjithnjë e kanë karakterizuar – veçanërisht bujarinë e tij intelektuale, të cilën edhe vetë e kam provuar në të shkuarën, duke u frymëzuar gjerësisht nga mendimi i tij, sidomos në veprat e mia mbi bashkësinë (komunitetin). Çfarë e ndërpreu dikur dialogun tonë ishte refuzimi tërësor i tij për paradigmën biopolitike, të cilës ai i ka kundërvënë gjithnjë, njësoj si dhe te ky tekst i fundit, rëndësinë e dispositivëve teknologjikë – a thua se të dyja këto qenka e domosdoshme të jenë kundërthënëse. Kur, në fakt, edhe vetë termi “viral” tregon një infektim biopolitik mes të folurave të ndryshme – politike, sociale, mjekësore, teknologjike – të bashkuara prej së njëjtës sindromë imunitare, e cila kuptohet si polaritet semantikisht i kundërt me leksikun e communitas-it. Edhe pse vetë Derrida e ka përdorur gjerësisht kategorinë e imunizimit, ndoshta në refuzimin e Nancy-së për t´u ballafaquar me paradigmën e biopolitikës mund të ketë ndikuar distonia e trashëguar nga Derrida në përballjet e tij me Foucault-në. E megjithatë jemi duke folur për tre ndër filozofët bashkëkohorë më të rëndësishëm.

Është fakt se kushdo që sot ka sy për të parë nuk mund ta mohojë shpalosjen e plotë të biopolitikës. Prej ndërhyrjeve të bioteknologjisë në gjëra që dikur konsideroheshin si ekskluzivisht natyrore, si lindja dhe vdekja, te terrorizmi biologjik, te administrimi i imigrimit e të epidemive të rënda ose jo, të gjithë konfliktet politike aktuale kanë në qendër marrëdhënies mes politikës dhe jetës biologjike. Mirëpo pikërisht rithirrja e Foucault-së duhet të na bëjë të mos e harrojmë karakterin historikisht të diferencuar të fenomeneve biopolitike. Një gjë është të mbështesësh, pikërisht siç bën Foucault, që prej dy shekujve e gjysmë politika dhe biologjia po lidhen në një nyje gjithnjë e më të shtrënguar, me pasoja problematike dhe, me raste, tragjike. Një gjë tjetër është të barazosh ngjarje dhe përvoja të pakrahasueshme. Personalisht do ta shmangia çdo krahasim mes burgjeve speciale dhe karantinës dy-javore në ultësirën lombarde. Sigurisht, në profilin juridik, dekretimi i emergjencës i cili prej shumë kohësh aplikohet edhe në raste kur nuk ka nevojë, siç është ky, e shtyn politikën drejt procedurave të jashtëzakonshmërisë që në afatgjatë mund të dëmtojnë ekuilibrin e pushteteve në favor të ekzekutivit. Mirëpo të flitet në këtë rast për një rrezik për demokracinë më duket diçka megjithatë e ekzagjeruar. Unë besoj se duhet të përpiqemi t´i ndajmë perspektivat, të dallojmë procesin afatgjatë nga kronika e ditës. Në planin e parë, prej të paktën tre shekujsh politika dhe mjekësia janë lidhur në një mpleksje që si përfundim i ka transformuar të dyja. Nga njëra anë ka zënë vend një proces i mjekësorizimit të asaj politike e cila, në dukje e zhveshur prej synimeve ideologjike, shfaqet gjithnjë e më shumë e dedikuar ndaj “shërimit” të qytetarëve të vet prej rreziqeve që shpesh i forcon pikërisht ajo. Nga ana tjetër jemi dëshmitarë të një politizimi të mjekësisë, së cilës po i jepen fuqi për kontroll shoqëror të cilat nuk i takojnë – gjë që shpjegon vlerësimet kaq heterogjene të virologëve sa i përket shtrirjes dhe natyrës së virusit korona. Prej këtyre dy tendencave politika mbetet e deformuar, krahasuar me profilin e saj klasik. Edhe për arsyen se në objektivat e saj tashmë nuk hyjnë vetëm individët e përveçëm apo shtresat shoqërore, por segmentë të popullsisë që dallohen prej gjendjes shëndetësore, moshës, gjinisë, apo edhe etnisë.

Por, edhe një herë, sa i përket shqetësimeve tërësisht legjitime, është e nevojshme të mos e humbasim ndjenjën e masës. Më duket se ajo që po ndodh sot në Itali, me mbivendosjen kaotike dhe paksa groteske të prerogativave shtetërore e atyre krahinore, më shumë ka tiparet e një rrëgjimi të pushteteve publike, se sa ato të një pushteti dramatik totalitar.

Përktheu Arbër Zaimi