(Ky shkrim u botua në 25 mars 2020)

Shumë vëzhgues të mençur na kanë paralajmëruar se liritë qytetare, e ndoshta edhe vetë liria, mund të bjerë viktimë përballë virusit korona. Kanë një farë të drejte, mirëpo nga ana tjetër kemi përballë një virus, dhe mposhtja e tij me çdo mjet që nevojitet duket se është shqetësimi më i madh tash për tash.

Pra edhe mediat «mainstream», të cilat deri para pak javëve merreshin me paralajmërime për rreziqet që vijnë nga racizmi e ksenofobia, tanimë kryesisht po përkrah masat e forta të shëndetit publik. Psh. në 19 mars 2019 gazeta The Ëashington Post publikoi një hulumtim mbi masat e ndërmarra prej disa vendeve aziatike, duke e shoqëruar me nëntitullin bombastik: «Big Brother looks after you». Siç e shpjegonte artikulli «Singapori e përdori homologen vendore të FBI-së, Departamentin e Hetimit Kriminal, që të merrte në pyetje secilin rast të konfirmuar si pozitiv, me rigorozitet mahnitës – madje duke i gjurmuar lëvizjet e pacientëve edhe përmes blerjeve e pagesave digjitale që ata kishin bërë. Rastet që u zbuluan se po gënjenin, u përballën me gjoba e me burgosje».

Duket sikur Bashkimi për Liritë Qytetare në Singapor – nëse ekziston një i tillë – nuk ka shumë fuqi në atë qytet-shtet konfucian.

Duke hedhur vështrimin në një tjetër vend aziatik, artikulli vazhdonte «Taivani i gjurmon vendndodhjet e personave të infektuar përmes telefonave mobilë: nëse endesh larg prej shtëpisë të vjen një mesazh, e nëse nuk e merr parasysh atë mesazh, të vjen për vizitë policia».

Si për ta vërtetuar këtë, një përdorues i Twitter-it nga Taivani shkroi (pa e ditur për artikullin) në 21 mars se «Telefoni im i cili gjurmohet me satelit prej qeverisë taivaneze, me qëllim imponimin e karantinës, mbeti pa bateri në orën 7:30. Në 8:15 katër njësi të ndryshme më thirrën në telefon. Në 8:20 policia ishte te dera». E pra, kjo është qeverisje seriozisht e madhe – dhe shumica e njerëzve në Taivan duket se e mbështesin.

I njëjti artikull përmbyllet me fjalët: «Ekspertët pajtohen… se qeveritë perëndimore duhet të përgatiten për të kufizuar lëvizjet e qytetarëve, të urdhërojnë izolimin e rasteve pozitive, dhe të gjurmojnë kontaktet që ata kanë patur me njerëz të tjerë, pa u shqetësuar shumë për privatësinë».

Me të njëjtën frymë të rreptë, në 22 mars The New York Times nxori artikullin me titull «Italia, epiqendra e re e pandemisë, i jep mësime gjithë botës». Sipas atij artikulli «Përvoja në Itali tregon se masat për të izoluar viursin dhe për të kufizuar lëvizjet e njerëzve duhet të ndërmerren shpejt, me qartësi absolute, e më pas duhet të imponohen në mënyrë strikte».

Siç mund ta shohim pra, ngjan sikur Times po ëndërron për ditët e Duçes, Benito Mussolini-t, kur trenat niseshin dhe mbërrinin fiks në orar në vitet ´20, apo së paku për qeverisjen me dorë të fortë të kryebashkiakut të Nju Jorkut, Rudy Giuliani-t, në vitet ´90.

Sigurisht ky përgëzim i beftë i rendit e i disiplinës nga ana e medias, nuk ka sjellë ndonjë rritje të mbështetjes për Donald Trump-in, i cili vazhdimisht është akuzuar gjatë tre viteve të fundit për autoritarizëm – apo edhe më keq.

Çuditërisht, kur erdhi momenti i të vërtetës, na doli që Trump-i nuk ishte fare diktatorial sa ç´kishin patur frikë disa apo sa ç´kishin shpresuar disa të tjerë. Po, ai i ndali udhëtimet mes ShBA-ve, Kinës, Meksikës dhe BE-së (veprime të cilat i ndërmorën thuajse gjithë vendet e mëdha të botës, duke i dhënë të drejtë disi trump-izmit). Megjithatë presidenti i 45-të nuk ka qenë dhe aq drakonian në çështjet e brendshme apo për mobilizimin ekonomik. Deri në momentin kur po shkruajmë këtë shkrim presidenti duket i prirur që të çlirojë masat për ekonominë, që do të thotë se është më shumë në linjën e këshilltarëve të tij ekonomikë libertarianë, se sa me ekspertët ortodoksë të shëndetit publik.

Kështu që shumë guvernatorë – duke përfshirë demokratët që udhëheqin shtete të mëdha si Kalifornia, Nju Jorku dhe Pensilvania – befasisht e kanë gjetur veten «më të djathtë» se Trump-i. E kam fjalën për faktin se ata kanë shpallur urdhrin për «të ndenjtur në shtëpi», gjë që i bën të duken, për mirë a për keq, më të rreptë se i supozuari njeri i rreptë në Shtëpinë e Bardhë.

Në një parantezë, le të vëmë re se ashpërsia është fytyra e vërtetë e shëndetit publik. Në dekadat e fundit shëndeti publik është parë si profesion «liberal», me shqetësime për kufizimin e armëve, për ndryshimin klimatik, për të pastrehët e kështu me radhë. Mirëpo, kur shfaqet një emergjencë e vërtetë mjekësore, shëndeti publik zbulon muskujt e vet të lashtë, dhe i shtrëngon ato. Pra, mijëra vjet përvojë e grumbulluar del në pah dhe rishfaqen shumë koncepte të moçme jo-liberale si «karantinë», «përzgjedhje e të sëmurëve», por edhe koncepte të reja si «distancimi social» apo «monitorimi i rrjeteve sociale».

Po, sot po ringjallen shumë atavizma të vrazhdë. Të vjen ndërmend ajo çka shkroi Ciceroni 2000 vite më parë: Salus populi suprema lex est, «Shëndeti i popullit është ligji më i lartë». (Mund të vëmë re se salus mund të përkthehet në një mënyrë më pak mjekësore si «mirëqenie» apo «siguri»). Por cilido qoftë përkthimi që i bëjmë, fjalët tërësisht utilitare të Ciceronit kanë jehuar gjithnjë, madje edhe në Amerikën e mentalitetit «liri a vdekje»; për shembull ato janë motoja e shtetit të Misurit apo edhe shumë jurisdiksioneve të tjera lokale.

E nëse shihet shëndeti dhe mirëqenia e popullit si ligji më i lartë, atëherë shumë prej parrullave me të cilat jemi mësuar, bien në ujë.

Në librin e botuar në 1987 «Kriza dhe Leviatani: Episode kritike për rritjen e qeverisë amerikane», studiuesi libertarian Robert Higgs argumenton se krizat e shpjegojnë se pse rritet shteti. Ishte depresioni ekonomik i viteve ´20, ishin dy luftërat botërore dhe Lufta e Ftohtë ato që e zmadhuan Xha Semin – e pasi që u rrit ai nuk u zvogëlua më.

«Leviatani» në titullin e Higgs-it sigurisht i referohet librit klasik të shkencave politike, të shkruar nga Thomas Hobbes në 1651 «Leviatani, apo përmbajtja, forma e pushteti i komonuellthit kishtar e civil».

Është i mirënjohur shpjegimi i Hobbes-it, sipas të cilit jeta në gjendje natyrore – pra jashtë gjendjes së qeverisur – është «vetmitare, mjerane, e vrazhdë dhe e shkurtër». Në këndvështrimin e Hobbes-it nuk ekzistonte «i egri fisnik», veç egërsi harbute. «Gjatë kohës kur njerëzit jetojnë pa një pushtet të përbashkët të cilit ia kanë frikën» shkruante Hobbes-i “ata janë në atë gjendje që quhet luftë; dhe ajo është luftë e çdo njeriu kundër çdo njeriu». Me fjalë të tjera, sipas Hobbes-it, nuk kishte asgjë më të keqe se sa të jesh pa qeveri e pa rend.

Mund të vëmë në dukje se Hobbes-i shkruante në kohën e Luftës Civile Angleze, që ndodhi në vitet 1640. Duke qenë se i kishte jetuar vetë «fatkeqësitë e tmerrshme që vijnë bashkë me luftën civile» Hobbes-i besonte se çfarëdo qeverie do të ishte gjithsesi më e mirë se ajo gjendje. Kështu pra njerëzit do të duhet të përbashkoheshin – jo doemos me vullnetin e tyre – që të mbështesnin njëri-tjetrin përmes një «pushteti të përbashkët të cilit ia kanë frikën».

Sipas Hobbes-it kjo krijesë frikëndjellëse, ky Leviatan, ishte tërësisht i sajuar prej njerëzve; ishte vetë qeveria. Hobbes-i e përfytyronte shtetin si një «njeri artificial» i përbërë prej vetë njerëzve «të cilët ka për detyrë t´i mbrojë e t´u ofrojë siguri». E përmes kësaj krijese të re «kryengritjet, sëmundjet e luftërat civile» mund të mbaheshin nën kontroll.

Pra, rikthehemi te shëndeti publik. Siç e kemi parë, po t´ia çjerrim vellon liberale, shëndeti publik është hobbes-ian në synimin e tij, dhe i ngjashëm me Leviatanin në përmasa. Në çdo aspekt ai lidhet me kufizime të lirive: mbikqyrje, karantina, kontroll të lëvizjeve, vaksinime të detyrueshme – e çdo gjë tjetër që duhet bërë për të ruajtur shëndetin e njerëzve.

Sigurisht, jo kushdo mbështet të tilla masa të ashpra. Megjithatë, dr. Scott Gottlieb, një studiues i shëndetësisë dhe ish-drejtor i administrimit të ushqimit e barnave (FDA) gjatë qeverisë Trump, postoi në Twitter këtë vlerësim të ashpër për alternativat ndaj shëndetësisë publike hobbes-iane në 23 mars: «Për aq kohë sa Covid-19 shpërhapet i pakontrolluar, pleqtë do të vdesin në sasi të paprecedentë, njerëzit në moshë të mesme do dënohen të rrinë më gjatë në kujdes intensiv duke luftuar për jetën e tyre, spitalet do të jenë të mbingarkuara dhe shumica e amerikanëve do të kenë frikë të dalin nga shtëpia, të hanë në restorant, të marrin metronë apo të shkojnë në park».

Përshkrimi shqetësues që Gottlieb i bën virusit të lënë të lirë, ngjan pak si përshkrimi që Hobbes-i i bën të jetuarit në gjendje natyrore. E me këtë duam të themi se nëse njerëzit duhet të zgjedhin midis të qenit në rrezik e të qenit të kontrolluar, shumica e tyre me shumë kënaqësi do të zgjedhin të dytën.

Pra siç po e shohim: është frika prej kaosit – e cila përfshin edhe rreziqet për shëndetin publik, edhe pse nuk kufizohet te to sigurisht – ajo që e ka rritur fuqinë e shtetit, dhe vazhdimi i kësaj frike e mban shtetin të madh.

Për sa kohë ka frikë do të ketë… Leviatan.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi