Sergio Benvenuto

(Ky shkrim është shkruar në 3 mars 2020. Titulli në italisht “Benvenuto in clausura” përmban edhe një lojë fjalësh duke qenë se Benvenuto do të thotë mirësevjen por është edhe emri i autorit. Pra do të mund të përkthehej edhe “Benvenuto në mbylltësi”. Ky shkrim vjen pas debatit të hapur nga G. Agamben, e të pasuar nga J.L. Nancy dhe R. Esposito).

Nuk jam unë as virolog e as epidemiolog, e megjithatë kam krijuar idenë se – edhe pse jam vetë mbi 70-vjeçar pra pjesë e popullatës që rrezikon më shumë – nuk kam pse të kem shumë frikë për shëndetin tim prej virusit korona. “Për timin” për arsye probabiliteti të thjeshtë, njësoj si kur merr një aeroplan: mund të rrëzohet, por gjasat janë të vogla. Në fakt deri më tash ka patur rreth 3000 të vdekur nëpër botë. Hiçgjë, po të krahasohen me 80.000 të vdekurit prej influencave banale gripale vetëm gjatë 2019. Të vdekurit në Itali (50 në momentin që shkruaj) me gjasë janë më pak se të vdekurit prej aksidenteve rrugore gjatë periudhës së njëjtë, për të mos folur pastaj për të vdekurit në vendin e punës. Pra, nuk i trembem fare infektimit. Më shqetëson më shumë goditja ekonomike që merr vendi ynë, i cili prej kohësh është në vështirësi ekonomike. Varfëria vret, po ashtu.

Mirëpo e di se edhe moskokëçarja ime, sado që ka një bazë racionale, është e qortueshme nga aspekti civik: po të kisha qenë qytetar i mirë do të duhej të sillesha sikur të isha i kapluar nga paniku. Sepse gjithçka që po bëjmë në Itali (mbyllje e shkollave, stadiumeve, muzeve etj.) ka funksion thjesht parandalues. Luhet me numra të mëdhenj, mirëpo i bëhet thirrje secilit individ të veçantë.

Paniku që ka zënë Italinë (por jo vetëm, se në gjithë Evropën nuk flitet më për asgjë tjetër), është një zgjedhje politike – apo biopolitike siç na i pëkujton Roberto Esposito – e cila është kërkuar pikë së pari prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sepse sot, në epokën kur vendet e mëdha demokratike prodhojnë lidership grotesk, janë organizatat e mëdha mbi-kombëtare si OBSh-ja, Organizata Botërore e Tregtisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane, bankat e tjera qendrore etj. – të cilat marrin vendimet e vërteta (për fat të mirë), duke balancuar pjesërisht idiotësitë neo-fashiste që po prodhojnë demokracitë. Tedros Adhanom, etiopiani që drejton OBSh-në, ishte i qartë mbi nevojën për të parandaluar: ai e di që për momentin Covid-19 nuk është katastrofal dhe që në fund ndoshta do të mund të dalë që është thjesht një influencë gripale pak më e keqe se të zakonshmet. Por mund të dalë edhe si gripi i quajtur “spanjoll” i cili në 1918 infektoi një të tretën e popullatës së botës dhe shkaktoi mes 20 e 50 milion të vdekur, më shumë se viktimat ushtarake të Luftës së Parë botërore. Pra, ajo që tremb në këtë rast nuk është ajo që dimë, por ajo që nuk dimë, dhe mbi këtë virus dimë shumë pak. Po mësojmë ta njohim ditë pas dite, dhe kjo krijon angushti – jo irracionale – të së panjohurës.

Të vihet re se me gripin “spanjoll” pushtetet politike bënë saktësisht të kundërtën e asaj që po bëjnë sot: asokohe heshtën mbi epideminë për shkak se vendet e tyre ishin të angazhuara në luftë. I mbeti emri “spanjoll” se në atë kohë vetëm mediat e Spanjës, e cila nuk ishte e përfshirë në luftë, folën për të. Sot pushtetet (përsëris, gjithnjë e më mbi-kombëtarë edhe në ekonomi) kanë zgjedhur strategjinë e panikut, në mënyrë që t´i nxisin njerëzit që ta izolojnë virusin. Në fakt izolimi i të sëmurëve mbetet, prej shekujsh, strategjia më e mirë për të ndalur epidemitë për të cilat nuk ekzistojnë barna shëruese. Lebra në Evropë u ndal – siç përkujton edhe Foucault – pikërisht duke izoluar në maksimumin e mundshëm lebrozët, shpesh duke i dërguar në ishuj të largët, psh në Molokai të Hauait, mbi të cilin janë bërë shumë filma.

Në gusht 2011 u gjenda në Nju Jork pikërisht në kohën kur pritej të prekej nga uragani “Irene”, i cili më parë i kishte rrënuar ishujt Antile. Më tronditi fakti se nëpërmjet mediave të gjithë ekspertët dhe politikanët në atë vend u dhanë qytetarëve mesazhe tërësisht katastrofistë: “do të jetë shkatërrimtar – thoshin – sepse njujorkezët janë moskokëçarës dhe snobë”. Mirëpo në realitet njujorkezët i ndoqën të gjitha udhëzimet rigorozisht (edhe unë e zbraza oborrin e shtëpisë duke zbatuar urdhëresat), dhe urganani “Irene” kaloi nëpër Nju Jork pa bërë dëme. Atëherë, a i bie kjo që ata ekspertë dhe politikanë e paskan patur tërësisht gabim dhe për pikë të qejfit e kishin terrorizuar popullsinë? Jo, sepse pikërisht ngaqë u tremb popullsia u shmang katastrofa. Në raste të tilla shpërndarja e panikut mund të jetë diçka më e mençur se t´i marrësh gjërat “filozofikisht”.

Supozojmë sikur Italia, marrë në tërësi – prej mediave e deri te drejtuesit qeveritarë – të kishte vendosur për ndjekjen e strategjisë “spanjolle”, pra të mos merrte masa dhe të lejonte që Covid-19 të shpërndahej në Itali si çdo grip tjetër. Të gjithë vendet, përfshi edhe ato të BE-së, menjëherë do ta kishin izoluar Italinë dhe do ta konsideronin vatër të infeksionit: e kjo do të kishte sjellë dëme ekonomike më masive se ata që tashmë, siç dihet, po i përjeton Italia. Kur të tjerët kanë frikë – psh. izraelitët dhe katarianët që ua kanë ndaluar italianëve hyrjen në vendet e tyre – është mirë të kemi frikë dhe ne. Në raste të tilla, të pasurit frikë është një akt guximtar.

Supozojmë që, sikur të ishte lënë e lirë shpërndarja e virusit, ky do të infektonte 10 milion italianë. Nëse është e vërtetë, siç po duket prej llogaritjeve të para, se virusi është vdekjeprurës për 2% të të infektuarve, kjo do të thotë se do të vdisnin 200.000 italianë, shumica e të cilëve të moshuar – hipotezë që shumëkush nuk e sheh si tërësisht negative meqenëse do t´i kishte dhënë frymëmarrje Institutit Kombëtar të Politikave Sociale (INPS në Itali). Pse të mos hiqen qafe ca të moshuar në këtë vend që po plaket në mënyrë të dukshme? – mendojnë ata, pa e thënë. Mirëpo nuk besoj se opinioni publik do t´i kishte pranuar 200.000 të vdekur, kundërshtimet do të kishin qenë të të gjitha llojeve dhe qeveria do të ishte përzënë prej revoltës popullore, e pastaj Salvini do të kishte fituar zgjedhjet me 60% të votave. Pra masat parandaluese, edhe pse të dhimbshme – sidomos për dëmin ekonomik që shkaktojnë – janë e keqja më e vogël.

Masat e marra në Itali pra nuk janë, siç thotë një prej filozofëve të mi të preferuar, Agamben, rezultat i instiktit despotik të klasave drejtuese, të cilat e dashkan me gjithë shpirt “gjendjen e jashtëzakonshme”. Të mendosh se masat e marra në Kinë, në Kore të Jugut, në Itali etj., janë efekte të një komploti është të biesh pre e atyre që filozofë të tjerë i quajnë “teori konspirative të historisë”. Do t´i kisha quajtur intepretime paranoiake të historisë, si në rastin e miliona vetëve të cilët janë të bindur se 11 shtatori 2001 ka qenë i planifikuar nga CIA. Kujdestarja shtëpiake që punon te unë, grua e mirë, është e bindur që epidemia është nisur prej “arabëve”, me të cilët nënkupton, ma merr mendja, myslimanët. Qoftë kur frymëzohemi prej mëhallës sonë, qoftë prej Carl Schmitt-it, qofshim injorantë apo shumë të mençur, shumë prej nesh kemi nevojë të shpikim infektuesit tanë.

Shpesh habitem se sa shpesh duhet t´u përkujtohet shumë filozofëve diçka që, duke parafrazuar Hamletin, tingëllon kështu: ka shumë më tepër politika në qiell e në tokë se sa në gjithë filozofinë tënde.

Kur them se jam i bindur që kjo epidemi do të prodhojë katastrofa ekonomike (një krizë si ajo e 2008) shumë më tepër se shëndetësore, vendosem pra në një perspektivë optimiste.

Dhe qysh prej të nesërmes edhe unë do të përpiqem, sado që duke qeshur nga pak, të bëhem qytetar i mirë. Do t´i shmang vendet publike. Nuk do të shkoj në veri të Italisë për të takuar miqtë, dhe do t´u këshilloj dhe atyre të mos vijnë të më takojnë.

Përveç kësaj efektet e kësaj epidemie do të përforcojnë një tendencë e cila gjithsesi ishte në rritje e po bëhej mbizotëruese, një aspekt i së cilës është “smart ëorking”, të punuarit prej shtëpisë duke shmangur zyrën. Gjithnjë e më rrallë mëngjeseve do të hipim në mjete publike apo private për të shkuar në vendet e punës; gjithnjë e më shumë, me kompjuter, do të punojmë prej shtëpisë, e cila do të bëhet edhe zyra jonë. Dhe falë revolucioneve Amazon dhe Netflix nuk do të kemi më nevojë të psonisim nëpër shitore, të shikojmë filma në kinema apo të blejmë libra në librari: shitoret, kinematë, libraritë (medet) do të zhduken, gjithçka do të bëhet prej shtëpisë. Jeta do të “vatërsohet” apo do të “shtëpiakëzohet” (duhet të fillojmë sa më shpejt të mendojmë për neologjizmat). Edhe shkollat do të zhduken: përmes mjeteve si skype fëmijët do të ndjekin prej shtëpisë ligjëratat e profesorëve. Mbylltësia e përgjithshme ardhur prej epidemisë (apo prej parandalimit të saj) do të bëhet forma e zakonshme e jetës për ne.