(Ky shkrim u botua në 19 mars 2020)

Episodët e sëmundjeve pa precedentë, siç është pandemia e tashme e COVID-19, janë çastet kur shumëçka bëhet më fluide, dhe pjesët e shoqërive ekzistente mbeten të zhveshura, si të panevojshme. Luftërat krijojnë po ashtu momente të ngjashëm fluiditeti. Lufta e Dytë Botërore krijoi në Britani konsensusin që bëri të mundshëm themelimin e Shërbimit Kombëtar të Shtetësisë dhe atë të Shtetit të Mirëqenies Sociale. Gjendja e krizës ku jemi tash a do të mund të çonte në diçka pozitive e afatgjatë, përtej rrënimit, traumës dhe humbjeve?

Studimi im fokusohet në një moment tjetër të ngjashëm historik, te pasojat nga Murtaja e Zezë në shek. XIV. Në mes të epidemisë së Murtajës së Zezë qeveria angleze mori vendimin domethënës që të mos e fuqizonte institucionin e bujkrobërisë, por në vend të kësaj të rriste rregullimin e punëve me pagesë, përmes vendimit «Ordinance of Labourers» (Rregullorja e punëtorëve), e vitit 1349.

Murtaja e Zezë ishte një epidemi që shkatërroi Evropën mes viteve 1347 dhe 1349, e në Angli vrau rreth 50% të popullatës. Fatmirësisht shkalla e vdekshmërisë nga COVID-19 duket se është rreth 1% prej atyre që infektohen (pra edhe më e ulët se aq, në krahasim me popullsinë totale). Megjithatë, në shoqërinë tonë moderne, gjithnjë e më të ndërlidhur, impakti i pandemisë qysh tash po kuptohet se ka ëpr të qenë i stërmadh. Historianët prej kohësh e kanë shtruar pyetjen se si ka mundësi që impakti i atypëratyshëm shoqëror dhe ekonomik i Murtajës së Zezë ka qenë shumë i vogël, Strukturat politike, ekonomike e shoqërore mbetën ashtu siç ishin. Mirëpo të thuash këtë do të thotë të anashkalosh risitë në ligjet e punës. Rregullorja e Punëtorëve e vitit 1349 ishte legjislacion revolucionar. Ai ligj shënoi fundin e bujkrobërisë dhe fillimin e një ekonomie që varej prej punëve të paguara, por njëkohësisht sinjalizoi se qasja e qeverisë ndaj punëtorëve të paguar nuk do të ishte fort e butë. Edhe pse fillimisht ky ligj u shpall prej monarkisë si një masë emergjence, kur parlamenti u mblodh sërish në vitin 1351, ligji u mbështet me entuziazëm. Masat mbetën në fuqi deri në fillim të shek. XIX. 

Ndoshta na duhet të shpjegojmë pak rrethanat e kohës. Anglia e shek. XIV ishte një shoqëri në masë të madhe fshatare (rurale). Bujqësia ishte forma kryesore e prodhimit. Pabarazia ishte shumë e madhe. Toka ishte pronë e lordëve feudalë, dhe fshatarët jo vetëm që punonin tokën, por edhe paguanin qira te lordët. Një pjesë e madhe, ndoshta gjysma e këtyre fshatarëve nuk ishin të lirë, ishin bujkrobër. Bujkrobëria ishte shtypëse: ligjërisht bujkrobërit nuk mund të kishin asnjë gjë në pronësi të vetën (të gjitha i përkisnin lordit të tyre), nuk mund të largoheshin nga çifligu (apo fshati) ku jetonin, nuk mund të martoheshin pa leje, dhe paguanin qira shumë të larta te lordët, me para të thata, prodhime bujqësore apo me punë. Lordët kishin ferma të mëdha, ku kultivonin produkte bujqësore për t´i shitur, dhe aty përdorej puna e papaguar e bujkrobërve.

Në jetën e përditshme gjërat nuk ishin dhe aq keq – lordët nuk e kishin fuqinë që të impononin gjithë forcën e të drejtave që ua jepte ligji. Rrallë ndodhte që ata të konfiskonin pronën e fshatarëve, dhe zakonisht nuk arrinin t´i gjenin fshatarët që arratiseshin. Qiratë e paguara prej bujkrobërve shpesh ishin më të ulëta, për hektar, se sa ato të bujqve të lirë. Bujqit e lirë paguanin qira sipas tregut të kohës, dhe meqenëse tokë nuk kishte shumë, qiraja ishte shumë e lartë në fillim të shek. XIV. Por megjithatë, bujkrobëria ishte poshtëruese dhe përulëse. Ishte regjim i dëshiruar prej lordëve, por i urryer prej fshatarëve, sepse i jepte forcë ligjore atyre që kishin pushtetin e parasë e të aristokracisë. Ishte relativisht e lehtë që të mirëmbahej një farë bujkrobërie para Murtajës së Zezë, për shkak të mungesës së tokave: fshatarët ishin të gatshëm të bëheshin bujkrobër nëse arrinin të merrnin në shfrytëzim ndonjë tokë të mirë.

Murtaja e Zezë e ndryshoi situatën. Njerëzit vdiqën, e tokë kishte më tepër se ç´kishte bujq. Pra pse qeveria – mbreti e parlamenti që ishte i përbërë thuajse tërësisht prej lordësh feudalë – nuk u përpoq të impononte vazhdimin e bujkrobërisë? Pse filluan të interesoheshin për punë të paguar në vend të bujkrobërisë? Gjithnjë kishte qenë e vështirë që të aplikohej tërësisht sistemi i bujkrobërisë, e tash me Murtajën e Zezë ishte bërë edhe më e vështirë. Lordët e kishin kuptuar tashmë se puna e paguar ishte një mënyrë shumë më efikase për t´i bërë bujqit të punonin tokat e tyre, se sa bujkrobëria. Jo të gjithë lordët dhe anëtarët e parlamentit kishin bujkrobër. Por secili në parlament kishte punëtorë që i paguante: shërbëtorë, zejtarë e bujq. Çka ishte edhe më e rëndësishme, një grup më i gjerë brenda shoqërisë ishte i interesuar për zbatimin e këtyre ligjeve të reja.

Bujkrobëria u la të vdesë ngadalë, mirëpo gjatë 250 viteve të ardhshme, prej 1351 deri në 1601 parlamenti vazhdimisht iu kthye çështjes se si të rregullohej e të disiplinohej puna e paguar. Fshatarët fituan liri personale, por në të njëjtën kohë shumica e popullatës u ballafaqua me ligje të reja. Ligjet e punës nuk ishin të mira. Ato vendosnin tavan për rrogat, e bënin punën të detyrueshme për cilindo që ishte i aftë të punonte (burrë apo grua qoftë) e që kishte pasuri më të vogël se një nivel i caktuar. Ato ligje përcaktonin që kontratat ishin në favor të punësuesve e jo të punëtorëve. Ta lije një punë para se të përfundonte kontrata ishte e paligjshme, të udhëtoje nga vendi në vend në kërkim të një rroge më të mirë quhej «endacakëri» dhe ndëshkohej rreptë me ligj. Dhe ligjet e reja ishin të pajisura me një sistem të zbatimit që imponohej në shkallë mbarështetërore dhe mbështetej në një aparat gjykatash publike dhe punonjësish të rendit, ndryshe nga koha e bujkrobërisë, ku secili feudal impononte ligjin aq sa kishte fuqi e mundësi vetë. E meqenëse shumica e rrogëtarëve ishin të rinj dhe/ose të varfër, këto ligje të reja krijuan një strukturë shoqërore e cila i vendosi të gjithë ata që kishin prona – fshatarët e pasur, njerëzit e qyteteve, si dhe lordët feudalë – kundër atyre që nuk kishin asgjë tjetër veç punës.

Pas Reformës (fetare) në shek. XVI, ligjet e punës u përforcuan me ligjet për të varfrit: këto ligje i ofronin ndihmë atyre që vlerësohej se e meritonin, por njëkohësisht kishin për synim që t´i detyronin «të varfrit dembelë» që t´i viheshin punës. Fëmijët e atyre që vareshin prej ndihmës për të varfrit, ose të atyre që rrezikonin të përfundonin në atë situatë, mund të merreshin prej shtetit e të jepeshin në familje të tjera si punëtorë të papaguar (apo skllevër të përkohshëm, që quheshin çirakë varfanjakë), deri sa të arrinin moshën e rritur. Strukturat e punësimit ndryshuan me kalimin e kohës, por parimi i barazimit të varfërisë dhe të papunësisë me dembelizmin dhe kotësinë, mbeti aty.

Njësoj si shoqëria britanike në vitet 1340 apo në vitet 1930, ne tashmë jemi në kohë të vështira. Në këtë moment krize, çfarë risie mund të nxisë COVID-19 në qeverisje e në politika socio-ekonomike? Parlamentët e shek. XIV nuk ishin demokratikë, ata vepronin në interes të elitës së vogël që përfaqësonin. Ndryshe nga atëherë, parlamenti dhe qeveria e sotme duhet të na përfaqësojnë të gjithëve dhe të veprojnë në interes të gjithkujt. Por sistemi ynë i mirëqenies, njësoj si ligjet e të varfërve në fillim të epokës moderne, e përcakton se kush e meriton ndihmën përmes një procesi që qëllimisht i poshtëron aplikuesit. Ky sistem pa të drejtë supozon se varfëria shkaktohet prej dembelisë. Numri i të pastrehëve, i varfërisë të fëmijëve, por edhe i varfërisë të punëtorëve në shoqërinë tonë është i madh përtej çdo niveli të pranueshëm. Një shtresë e vogël njerëzish fiton rroga shumë të mëdha, dhe mendojnë për veten e vet se nuk kanë asnjë përgjegjësi për pjesën tjetër të shoqërisë. Por në vend që të kopjojmë shoqëritë shumë të pabarabarta të së shkuarës, na duhet mendim i ri: na duhet një tjetër revolucionarizim i politikave shoqërore.

Rebeça Long-Bailey propozoi se Mbretëria e Bashkuar duhet të shpërndajë të ardhura për të gjithë gjatë krizës COVID-19. Nuk është synimi im këtu që të mbështes ndonjë parti politike, e aq më pak ndonjë fraksion brenda tyre. Por unë pajtohem se paga minimale për të gjithë nuk është thjesht një zgjidhje shumë e mirë për vështirësitë që hasim gjatë krizës – por edhe një zgjidhje e qëndrueshme përtej krizës, për shumë probleme shoqërore e ekonomike me të cilat përballet shoqëria moderne. Është një mjet për të shpërndarë pasurinë në mënyrë më të barabartë, si dhe për t´u dhënë njerëzve dinjitetin e lirinë për të cilën kanë nevojë. Mbase është koha tash që të tejkalojmë pabarazitë ekzistuese të shkaktuara nga puna e paguar, ashtu siç në shoqërinë mesjetare u mor vendimi për të tejkaluar bujkrobërinë. Nuk duhet vetëm të shpresojmë, por duhet ta kërkojmë një gjë të tillë, që situata e tanishme e krizës të na çojë drejt një kohe më të mirë, kur të kalojmë këto trauma e humbje që po përjetojmë.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi