(Ky shkrim është botuar në 10 mars 2020)

Na ngjiti sëmundjen! Largojeni! Largojeni Ngjitësin, se po na ngjit sëmundjen! «Të fejuarit», Alessandro Manzoni

Një prej pasojave më çnjerëzore të panikut që sot po përpiqen me çdo mjet ta përhapin në Itali me rastin e së ashtuquajturës epidemi të virusit korona, është vetë ideja e ngjitjes e cila qëndron në themel të masave të jashtëzakonshme për urgjencën që ka marrë qeveria. Ideja, e cila ka qenë e panjohur për mjekësinë hipokratike, e ka paraardhësin e vet të parë te murtajat që gjatë viteve 1500 – 1600 shkatërruan disa qytete italiane. Aty lindi figura e Ngjitësit (Untore), të cilën Manzoni e bëri të pavdekshme si te romani i tij «Të fejuarit» ashtu edhe te eseja e tij «Historia e kolonës së turpit». Një «thirrje» milaneze për murtajën e vitit 1576 i përshkruan kështu ngjitësit, duke i ftuar qytetarët që t´i denoncojnë:

«Mbasi mori lajmin guvernatori që disa persona me një ndjenjë jo dhe aq të shkëlqyer mëshire, me synim për të tmerruar e për të trembur popullin dhe banorët e këtij qyteti të Milanos, edhe për t´i nxitur ata që të bëjnë trazira, po përlyejnë me ngjyerje që thuhet se janë të sëmura dhe me murtajë dyert dhe drynat e shtëpive, dhe qoshet e rrugëve të po këtij qyteti, dhe vende të tjera të Shtetit, me pretekstin se po ia japin murtajën individëve dhe publikut, gjë nga e cila rrjedhin shumë bezdisje dhe jo pak shqetësime nëpër njerëz, sidomos te ata që lehtësisht binden për të besuar në gjëra të tilla, po vëmë në dije nga ana e guvernatorit, për secilin person, pavarësisht prejardhjes, gradës apo kushteve të tij, që brenda dyzetë ditëve, atij që do të na tregojë se kush ka qenë ai apo ata që e kanë bërë, e kanë ndihmuar apo e kanë ditur këtë pafytyrësi, do t´i jepen pesëqind pare…»

Nëse shmangim dallimet e kuptueshme kohore, masat e tanishme (të marra nga qeveria përmes dekretëve që do të na pëlqente të shpresonim – por është shpresë e kotë – të mos konfirmoheshin në parlament si ligje brenda afateve të caktuara) e shndërrojnë faktikisht çdo individ në një Ngjitës të mundshëm, saktësisht ashtu si ligjet mbi terrorizmin konsideronin faktikisht dhe ligjërisht çdo qytetar si terrorist të mundshëm. Analogjia është kaq e qartë, sa që Ngjitësi potencial i cili nuk i përmbahet masave, dënohet me burg. Veçanërisht e urryer është bërë edhe figura e bartësit të sëmundjes që vetë është i shëndetshëm, ose që nuk e di se e ka infeksionin, sepse ai ngjit shumë e shumë individë pa patur mundësi që ata të ruhen prej tij siç do të ishin ruajtur prej Ngjitësit.

Edhe më trishtuese kufizimet e lirive që nënkuptohen në këto masa, dhe sipas meje, përkeqësimi i marrëdhënieve mes njerëzve që ato mund të prodhojnë. Tjetri, kushdo qoftë ai, madje edhe ndonjë person i dashur, nuk duhet as të afrohet, as të preket, madje duhet vënë mes tij dhe nesh një distancë që sipas disave duhet të jetë një metër, por sipas sugjerimeve të fundit të të ashtuquajturve ekspertë duhet të jetë 4.5 metra (interesante ato 50 centimetrat!). Kështu, i afërmi është rrëzuar prej shtetit. Është e mundshme, duke ditur paqëndrueshmërinë etike të qeveritarëve tanë, që këto masa të jenë diktuar prej njerëzish që edhe vetë i ka zënë e njëjta frikë që po përpiqen t´ia shtien popullit, mirëpo është e vështirë të mos mendojmë se situata që ato krijojnë është saktësisht ajo që kanë dashur të realizojnë shpesh ata që na qeverisin: që të mbyllen një herë e mirë universitetet dhe shkollat dhe të bëhen mësimet vetëm online, të ndalohen mbledhjet dhe diskutimet për çështje politike apo kulturore, dhe të shkëmbehen vetëm mesazhe digjitale, e që kudo që është e mundur makinat të zëvendësojnë çdo prekje, çdo ngjitje, mes qenieve njerëzore.