NJË TJETËR 8 SHTATOR 1

(Botuar në 11 mars 2020)

Kryeministri ynë2, duke cituar Churchill-in, po thotë se po kalojmë «orën më të errët»3; mirëpo le të shpresojmë që nuk është një 8 shtator i ri. Aludoj këtu në faktin se prej vetëbesimit te trupat e pamposhtshëm, prej urrejtjes për «të huajin» dhe të identifikimit me pushtetin po kalohet – brenda një kohe shumë të shkurtër, e nuk dihet sa do të zgjasë – në një konditë pasigurie radikale, ontologjike dhe politike, në të cilën të gjithë parametrat paraprirës të kuptimit e të referimit pezullohen dhe lëkunden.

Shoh që filozofët po diskutojnë rreth sëmundjes ngjitëse: a është e vërtetë apo e rrejshme, virtuale apo biopolitike, a shërben për të vendosur gjendjen e jashtëzakonshme apo tashmë situata është e jashtëzakonshme, duhet të besojmë te shkenca apo shkenca është veç një skemë e trilluar etj. Është e mundur që paradigma biopolitike të mos e shpjegojë tërësisht gjendjen aktuale të gjërave. «Disiplinimi i trupave» po zbythet e po ia lë vendin një çrregullimi të natyrshëm reagues, i cili vë në plan të parë emergjencën ekologjike: e kjo situatë vjen nga paaftësia gjithnjë e më e madhe për të qeverisur në një mënyrë jo vetëshkatërruese, jetën biologjike.

Ekologji nuk do të thotë idealizim i natyrës: e cila nuk është thjesht një nënë dashamirëse dhe krijuese, por edhe një forcë «tirane», aorgjike4 dhe shpërbërëse. Por na takon neve ta gjejmë një marrëveshje të arsyeshme me të, e ta bëjmë të anojë nga njëri apo nga tjetri pol i saj. Politika e sundimit dhe e qeverisjes mbi jetën, siç është artikuluar gjatë neoliberalizmit, po prodhon vetëpezullimin e jetës, shpërbërjen e saj së brendshmi, një implozion: e qeveritarët evropianë më shumë se sa pushtet të emergjencës, po shfaqin një paaftësi tragjike për t´i vënë barriera emergjencave klimatike, biologjike dhe njerëzore që janë prodhuar prej sundimit real të kapitalit.

Imazhi i turmës së marrë, në Milano, e cila vrapon të kapë trenin e fundit drejt jugut të Italisë, për t´u arratisur prej masave kufizuese shëndetësore (duke shpërndarë ashtu edhe sëmundjen ngjitëse) nuk më sjell ndër mend gjendjen e jashtëzakonshme apo qeverinë që disiplinon trupat; por më shumë më kujton fotografitë e turmave dhe të ushtarëve që arratiseshin pas 8 shtatorit 1943, kur qeveria ishte e paaftë për të paraprirë reagimet emotive ndaj vendimeve dhe zgjedhjeve të saj, paniku i një vendi mosbesues, jo-transparent, konfuz, dhe tepër egoist. Pra, jo ngurtësia e gjendjes së jashtëzakonshme, por shpërbërja molekulare e një organizmi i cili deri para pak ditësh mbulonte me maska degjenerimin e vet.

Më e rëndësishme është të kuptojmë gjendjen shpirtërore që po shpërndahet: pra perceptimin therës për pasigurinë shoqërore dhe ekzistenciale në të cilën jemi. Kur shkruante Heidegger-i në «Qenie e Kohë» për një qenie-për-vdekjen dhe për angushtinë si tonalitet afektiv dominues, brezi i tij vinte prej luftës botërore dhe prej epidemisë së gripit spanjoll. Heidegger-i e mohonte lidhjen mes këtyre fakteve «ontike» dhe reflektimit të tij «ontologjik», por mua më duket e pamendueshme t´i ndash drastikisht këto të dyja. Le të themi se një rrethanë «ontike» veçanërisht akute, kritike dhe e rëndë, mund ta detyrojë vëmendjen të shkojë edhe të natyra ontologjike dhe antropologjike e qenies sonë. Madje edhe më shumë: e paraqet të zhveshur substancën e një komuniteti, se a është shoqëri në gjendje për t´u përballur me situata ekstreme, apo është aq e sëmurë sa që situatat ekstreme mund ta vrasin.

Në vitin 1926 Siegfried Kracauer (i cili s´ka asgjë të përbashkët me Heidegger-in dhe me filozofinë e tij), ka reflektime të ngjashme në librin e tij për nëpunësit: «Sa më pak që aktiviteti ekonomik është i sigurtë mbi domethënien e vet, aq më shumë ai e pengon masën e atyre që punojnë që të shtrojnë pikëpyetje mbi të. Por nëse ata që punojnë nuk kanë mundësi të ndjekin një synim që ka një kuptim, atëherë edhe caku përfundimtar – vdekja – edhe ajo e humbet kuptimin. Jeta e tyre, e cila për ta merituar këtë emër do të duhej të ballafaqohej me vdekjen, fosilizohet dhe kthehet pas, drejt rinisë: rinia prej së cilës ata vijnë, bëhet përmbushja e tyre perverse, sepse një përmbushje e vërtetë është në fakt e ndaluar».

Më shumë se sa për rininë5 (që ishte një topos i viteve ´20), sot do të duhej të flisnim për infantilizimin e përjetshëm që frymon te shpërqendrimi dhe mungesa e vëmendjes, te fantazmagoria e zbavitjes, te «sempre libera degg´io6», te sporti në stadiume e në palestra, te koktejlet pas darke, te plazhi Papeete7 prej nga Kapiteni jashtëqet kumtimet e veta, te fashistucët dhe fashistmëdhenjtë, të maskuar, të rizgjuar apo të fjetur, simbole të një qenieje sociale të përmbytur dhe të terrorizuar prej Thanatos-it, e cila ka humbur çdo sens të Eros-it, të miqësisë dhe të lidhjes. Është kapitalizmi, tërësisht i gatshëm për t´u pjekur në një fashizëm, ai që devijon frikërat, bëhet ilaç psikologjik për angushtinë dhe nxit agresivitetin mbi të huajin e pafajshëm. Çka përfaqësonte për Heidegger-in thashethemi, për Kracauer-in e përfaqësonte shpërqendrimi. Shpërqendrimi është idiotësia ekzistenciale e shpërhapur, e cila përballë vdekjes, sëmundjes, luftës, bën të mundura veç dy reagime përplotësuese me njëra tjetrën, të dyja të papërshtatshme dhe të pavend: mohimin e rrezikut ose panikun, frikën prej hijes së vet nga e cila nuk vjen asnjë kërcënim. Të dy këta reagime shpërfaqin primitivizmin magjik-arkaik në të cilin po bie e pavetëdijshmja sociale.

Peshkopët fiorentinë kësokohe e kanë ndaluar shkëmbimin e shenjës së paqes në kishë8, gjatë ritit të meshës. Në Lourdes9 e kanë ndaluar qasjen te ujërat çudibërëse. Masa të drejta, po të më pyesin mua që jam laik e iluminist. Por këto masa zhveshin pa mëshirë faktin se sa shumë janë shndërruar në çështje turistike besimi e feja, të cilat nuk i bëjnë dot ballë situatave shtrënguese. 

Duhet ndenjur, si masë higjienike, së paku një metër larg njëri prej tjetrit. Sëmundjet fizike shpesh janë bashkëkohëse të dekadencës dhe errësirës së shpirtit të shoqërisë, siç na ka dëshmuar së pari Foucault, sigurisht më interesanti, te «Lindja e Klinikës». Largësia e ftohtësia që imponon ky kapitalizëm i shpifur mes trupave e zemrave tona, tash trupëzohet dhe gjen një përfaqësim të rendit të recetës. Shpërfaqet lakuriq ajo që në fakt jemi prej shumë kohësh. «Të largëtit» sillen lart e poshtë nëpër qendrat tregtare, pikat turistike apo nëpër bare, duke vëzhguar me kujdes se a po pështyn apo a po teshtin dikush, për ta denoncuar: e pastaj kalojnë në anën e kundërt dhe pretendojnë të mblidhen me shoqërinë pas darke, të shkojnë në ndonjë piknik së bashku e të tjera gjëra të tilla. Ernst Jünger shkruante se e kishte vënë re që bota po ndryshonte kur – gjatë Luftës së Parë Botërore – në njërin prej sulmeve të fundit në historinë e kalorësisë, kalorësit krenarë u korrën brenda pak minutave prej mitralozëve. Ne, që do mjaftonte të shihnim një pushkë me gogla për t´u fshehur në ndonjë vrimë, po kuptojmë sot se jemi tekstualisht të paaftë për t´u përballur racionalisht me rrezikun. Kështu, mbyllen shkollat, karantinohen zonat e infektuara ndërsa njerëzit ia mbathin nëpër trena për të shkuar në krahinat ende të painfektuara, para se të ketë mundësi t´i ndalojë qeveria, duke e shpërndarë për 24 orë më shumë virusin se sa në gjithë muajin paraprak. Pak a shumë si t´i japësh udhëzim strikt një të sëmuri që të mos pijë verë, ndërkohë që ai natën pi një shishe uiski skocez.

Madje para jo shumë ditësh ishin dhe autoritetet sportive që propozonin vazhdimin e lojërave të futbollit me spektatorë. Si u krijua e si u ushqye ky regres infantilizues i vetëdijes? E më pas, kur të kalojë emergjenca (nëse kalon), gjithçka do të rifillojë njësoj si më parë, deri sa të vijë edhe një krizë tjetër kolektive e radhës dhe të gjithë do të rikthehen – desh thashë me gëzim – në patologjitë e veta, në dhimbjet e zakonshme dhe në surrogatet kimike e psiqike me të cilat e shtrëngojnë veten të vazhdojnë përpara.

Nëse gjendja e jashtëzakonshme e sëmundjes ngjitëse do të duhej të vazhdonte gjatë, dhe nëse asaj do t´i shtohen edhe faktorë të tjerë të krizës, si psh. ardhja e miliona emigrantëve sirianë në një Evropë të sëmurë apo një recesion ekonomik vështirë i kapërcyeshëm, atëherë është e mundur që «bota jonë» kështu si e kemi njohur deri më tash, do të marrë fund: në mënyrat e jetesës së përditshme, në gjendjen shpirtërore dominuese, dhe në politikë.  Aftësitë e kapitalit për të prodhuar një «shkatërrim kreativ» apo një «ripërtëritje destruktuve» kësaj radhe ka mundësi të dëmtohen seriozisht. Kategoritë si konsumizmi, rritja e PBB, zhvillimi e liria e tregjeve do të mund të bëhen të pakuptimta, si hieroglifë të epokës së gurit, dhe një ose-ose e cila deri më tash është konsideruar si e tejkaluar – socializëm ose barbari – mund të riaktualizohet papritmas.

Sido që të jetë, perceptimi i errët se bota gjithnjë e më asfiksuese në të cilën kemi jetuar jetën tonë do të mund të mbaronte tash, është njëra prej rrënjëve të ankthit që po shpërndahet e po dominon si tonalitet ndjesor. Ankthi, ka shkruar Freud-i, është diçka e ndryshme prej frikës së arsyeshme e të përkufizuar prej një rreziku konkret. Është perceptimi i përgjithësuar se realja po shpërbëhet, një e tashme në krizë, siç do të kishte thënë Ernesto de Martino. Mohimi histerik ose paniku që është thjesht përmbysja e mohimit, janë pra fenomenet sekondare që rrjedhin prej këtij sfondi shqetësues. Po të kalojmë te politika, është e qartë se alternativa mes një zgjidhjeje autoritare të krizës dhe nevojës për të ndryshuar vetë mënyrën e prodhimit, do të bëhej polarizuese. A ka gjë më të lehtë se sa të bësh një grusht shteti në një situatë të tillë ankthi të pakapërcyeshëm? Vallë cila dëshirë për autoritet dhe për Etër padronë do të dilte kësaj radhe prej së pavetëdijshmes kolektive?

Për herë të parë në jetën time kam përshtypjen se sistemi neoliberal faktikisht do të mund të mos e përballonte goditjen e bashkuar të tre forcave: epidemisë, krizës ekonomike dhe krizës së emigrantëve (bashkë me luftën apo luftërat që i shoqërojnë).

Ndër premisat e nazizmit do të ishte sigurisht – nëse lexojmë Benjamin-in dhe Kracauer-in – idiotësia, apo shpërqendrimi, apo thashethemi masiv i shpërndarë në Gjermaninë e viteve ´20, si dhe dështimi i një ideologjie të konsumizmit. Idiotësia duhet marrë seriozisht, sepse mbase është gjendja shpirtërore e cila priret më shumë kah fashizmi, edhe më shumë se dhuna, se vetëviktimizimi dhe se ndjenja e hakmarrjes: ose më saktë, idiotësia është plotësuesi i tyre i domosdoshëm, sepse i mbulon këto ndjenja shpesh me një vello injorance dhe mungese të vetëdijes, duke ua mundësuar të veprojnë në një mënyrë primordiale, si masë. Racizmi është idiot sepse e hesht të keqen konkrete me një rrezik imagjinar, e mbulon armikun faktik me një fantazmë frikëndjellëse të tjetërsisë (duke nxitur paranojën te qeniet njerëzore). Idiotësia është e kundërta e marrëzisë së Don Kishotit: idiotët mendojnë se përbindëshat e vërtetë janë mullinj me erë. Komedianët e mëdhenj, mes të cilëve duhen numëruar edhe Flaubert-i me «Bouvard et Pecuchet» dhe Joyce-i me «Uliksin», e gjithnjë kanë pasur një intuitë për aspektin kërcënues e të errët të idiotësisë, dhe prirjen e saj për dhunë e për rrënim.

E si do të mundej vallë populli ynë – i prirur për infantilizëm dhe për shpërbërje psiqike për shkak të dekadave të berlusconizmit dhe për shkak të utopisë sharlatane dhe hipokrite të neoliberalizmit evropian – të reagonte në një mënyrë të pjekur përballë situatës ekstreme në të cilën ndodhemi? Në vend se të përballeshim me rrezikun, ne do të priremi të arratisemi, si një fëmijë që ka frikë nga errësira dhe i mungon mamaja. E asisoj do të bëhemi të ndjeshëm ndaj joshjes së një komandanti, i cili do të na premtonte rikthimin te rehatia jonë mendjefjetur. Më ka bërë përshtypje njëra nga frazat e «Nëpunësit» të Kracauer-it, sipas së cilës një popull i cili ka humbur vetëdijen e vet për brishtësinë e trupit dhe për gjasën e vdekjes nuk është më i aftë për asnjë revolucion, por vetëm për nënshtrim pasiv. Nuk e kuptoja këtë frazë. Mbase do të thotë se, ai që është në gjendje të durojë pasigurinë e jetës dhe është i vetëdijshëm se jeta është e fundshme, është i aftë të rebelohet, sepse e di që ajo pak kohë që ka në dispozicion po i vidhet prej një pushteti të paarsyeshëm. Ndërsa ata që vuajnë prej shpërqendrimit idiotëzues gjithnjë arratisen prej vdekjes në mënyrë aq kaotike sa që përfundojnë të vrapojnë në rresht ushtarak drejt humnerës, si ata të verbërit e Brueghel-it.

Në një lajm të 7 marsit lexova për një gjendje të jashtëzakonshme e cila duke qenë se qëllimet i ka heterogjene, përfundon në kaos: «Një transhumancë10 njerëzore, nga ato që më shumë i përshtaten romaneve distopike apo filmave kataklizmikë: mund të përkufizohet kështu ajo që po ndodh në shumë lokalitete të turizmit malor e të skive në veri të Italisë. Duket se nuk ka koronavirus që ta trembë malin. `Psikologjikisht malet i japin njerëzve siguri´. Kështu që këtu në malësi prej disa javësh është bërë vajtjeardhje e pandërprerë, njerëz prej qyteteve pranë por edhe prej Lombardisë e Ligurisë, të cilët kërkojnë një vend ku të shpëtojnë prej ndalimeve e kufizimeve që shpall me dekrete e urdhëresa qeveria… `Impiantet e skive janë stëmbushur, instruktorët e skive janë në siklet për shkak të teprisë së kërkesave, klubet e skive plot…´. Arratisja e madhe shkaktohet në radhë të parë prej gjithë atyre prindërve që nuk kanë dashur t´i mbajnë fëmijët në shtëpi në qytet, me ndalimin e shkollave. `Më mirë se një jetë e kufizuar mes katër mureve, ata preferojnë t´i çojnë fëmijët të marrin mësime skish, apo në kinematë malore, apo në pub-et atje. Në malësi gjithçka është ende e hapur dhe funksionon´. Po punohet pa pushim». E një ditë më vonë, në 8 mars, qeveria u detyrua të specifikonte se do të mbyllen edhe resortet malore e ato të ksive. Siç duket qeveria as nuk e kishte paramenduar këtë lloj reagimi distopik nga ana e njerëzve. 

Umberto Galimberti në një intervistë televizive pohon se ankthi përballë një rreziku të papërcaktuar është aq i padurueshëm sa që njerëzit përpiqen sa më shpejt që është e mundur të gjejnë një fajtor konkret si scapegoat: ngjitësit e sëmundjes, pacientët zero. Deri në një moment roli i fetishizuar i fajtorit është përfaqësuar, edhe në Itali, prej kinezëve. Tash, mishërimi i së keqes jemi bërë vetë ne. Sa kohë do të duhet të kalojë vallë që të tjerët (e kam fjalën për pjesën tjetër të botës) të mos e shohin më këtë fantazmë të ulur mbi shpatullat tona? Tash po e njohim mbi lëkurën tonë racizmin: shndërrimin e sëmundjes në faj, humbjen e individualitetit në anonimitetin e një mase apo të një «populli» të përbuzur si të tillë. E ne? Bëjmë thirrje për një kulturë solidariteti, por kjo është shumë e vështirë pas dekadave që neoliberalizmi na ka bërë të jemi abstraktë e të ndarë prej njëri-tjetrit: në internet urrejtja vazhdon të shfrehet mbi fqinjin e mbi kundërshtarin politik, mekanizmi i shpërndarjes së fajit vazhdon të punojë pa u ndalur, në shkallë kombëtare. Borxhlinj, fajtorë, të falimentuar, e tash edhe ngjitës sëmundjesh.

Dikush përpiqet ta zbusë ankthin duke thënë: s´ka problem se po vdesin vetëm të moshuarit dhe të sëmurët prej patologjive të tjera (gjë që nuk është edhe aq e vërtetë). Ky lloj eugjenizmi spontan është vërtet i tmerrshëm. Është si një lloj nazizmi aq thellë i groposur te e pavetëdijshmja sa që mund të shqiptohet gati pafajësisht. Çfarë doni të thoni? Që mbijetojnë më të fortët, gjakpastrit, të bukurit, dhe të tjerët nuk vlejnë hiç? Është hera e parë, më duket, që flitet për një epidemi në terma përgjithësues, ku «të rinjtë» e të shëndetshmit i kundërvihen «pleqve» dhe të dobtëve, të cilët në fund të fundit s´janë gjë tjetër pos parazitë të sakrifikueshëm, e kundër të cilëve po shpërfaqet një ndjenjë urrejtjeje e maskuar keq. Sëmundja po evidenton një mungesë tolerance të fshehur, edhe ajo pasojë e mitit neoliberal për efikasitetin dhe për sipërmarrësinë e vetvetes.

«Frikërat e përfytyrimet» rrëfen Boçaçio, rrëmbejnë banorët e Firences gjatë mirtajës, prandaj disa prej tyre nuk pranojnë t´u japin as ndihmat më elementare të sëmurëve, ndërsa disa të tjerë jepen pas zbavitjeve më të shfrenuara, duke pirë e duke u dhënë pas orgjive deri në sfilitje: dhe të dyja këto sjellje e rrisin sëmundjen në mënyrë eksponenciale. Diçka e ngjashme shihet edhe te «Vula e shtatë» e Bergman-it apo te «Nosferatu» i Herzog-ut.  Mirëpo në të vërtetë për ne është pak më ndryshe: janë vetë njerëzit, të cilët të hënën mbyllen në shtëpi e të martën janë tashmë të lodhur prej cdo lloj disipline, të cilët kalojnë prej qeverisjes që disiplinon trupa te shkelja e urdhrave pa asnjë lloj kuptimi. Në një demokraci sociale (gjë prej së cilës shoqëria jonë e spektaklit është shumë larg), do të duhej të zbatohej ajo që grekët e moçëm e quanin fronesis, arti i shquarjes së veçantive, rast pas rasti; në mungesë të së cilit është thuajse e pashmangshme që pas një kohe të caktuar mungesa e tolerancës do të bashkohet me panikun, me nevojën për të gjetur ngjitësin-armik, dhe me dëshirën për një pushtet autoritar. Ndjenjën shpirtërore të angushtisë do të duhej ta zëvendësonim me atë që Leopardi11 tek «Gjineshtra», përballë fuqisë kërcënuese të Vezuvit e përkufizonte si «dashuri e vërtetë», pra aftësisë për t´u mbështetur në mënyrë reciproke gjatë «rreziqeve të ndryshme dhe anktheve të luftës së përbashkët». Kjo përgjigje ndaj angushtisë së ekzistencës (e cila nuk rreket ta mohojë atë), e artikuluar politikisht, ishte frymëzimi themelor i socializmit, shumë më përpara se lufta klasore. Ka qenë dhe do të jetë tonaliteti ndjesor dominues i tij.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi

  1. 8 shtator 1943 – Data e kapitullimit të Italisë gjatë Luftës së dytë, e cila u pasua me kaos, frikë dhe arratisje të popullsisë e ushtarëve drejt maleve e zonave të thella.
  2. G. Conte, kryeministri i Italisë
  3. Fjali e përdorur nga W. Churchill në një fjalim të famshëm të mbajtur në 18 qershor 1940.
  4. Koncept i përdorur së pari nga poeti e mendimtari gjerman J.C.F. Holderlin, i cili ndërtoi polaritetin mes aorgjikes dhe organikes, ku organikja është bota pas shfaqjes së subjektit njerëzor, e aorgjikja është ajo para, me ekzistencë tërësisht të zhveshur prej subjektit njeri.
  5. Himni i fashistëve italianë titullohej «Giovinezza», dmth. «Rini», e njëherazi fashizmi i asaj kohe i thurte lavde moskokëçarjes, vitalitetit dhe energjisë shpërthyese rinore, si edhe shëndetit e bukurisë së trupit, si pjesë e botëkuptimit eugjenist.
  6. Këngë në operan Traviata, titulli i saj në shqip do të ishte «Unë duhet të jem gjithnjë e lirë (e pavarur, shpirt i lirë)».
  7. Plazh në Milano Marittima, në veriperëndim të Adriatikut, prej nga politikani i së djathtës ekstreme, Salvini lëshonte videodeklarata politike në rrjete sociale.
  8. Shenja e paqes gjatë meshës së krishterë konsiston në shtrëngimin e duarve mes priftit dhe besimtarit, pasi ky e merr copëzën e bukës rituale.
  9. Vend i shenjtë për katolikët, në Francë, të cilët shkojnë në pelegrinazh dhe marrin ujë nga burimet që i besojnë të bekuara.
  10. Praktika e shtegtimit të bagëtive, për verim e dimërim.
  11. Poet i shquar italian i shek. XIX.