(Ky shkrim u botua në 20 mars 2020)

Siç është pohuar shpesh, qysh prej 1945 e këndej, Evropa i ka eksportuar luftërat e saj. E bërë copë e grimë për vete, nuk ka ditur ndryshe pos ta shpërndajë përçarjen e saj në ish-kolonitë e veta, përmes aleancave e tensioneve të saj me polet e reja të botës. Mes këtyre poleve Evropa nuk ishte gjë tjetër pos një kujtim, edhe pse shtirej sikur kishte të ardhme.

E pra Evropa edhe importon. Jo vetëm mallra, siç bën prej shumë kohësh, por mbi të gjitha popullata: një proces që nuk është i ri, por që tash po bëhet më urgjent, për të mos thënë vërshues, me të njëjtin ritëm që eksporton konflikte dhe çregullime klimatike (që e kanë patur origjinën e tyre pikërisht në Evropë). E ja ku sot importon një epidemi virale.

Ç´do të thotë kjo? Që nuk bëhet fjalë veç për një shpërndarje: kjo ka vektorët dhe trajektoret e saj. Evropa nuk është qendra e botës, përkundrazi, por sforcohet të kryejë rolin e saj të vjetër, atë të modelit apo të shembullit që duhet ndjekur. Gjetiu mund të ketë alternativa shumë tërheqëse, shanse mbresëlënëse. Disa, tradicionale e ndonjëherë pak të shteruara, gjenden në Amerikë Veriore, disa, më novatore, në Azi a në Afrikë (Amerika Jugore rri mënjanë, duke pasur shumë karakteristika evropiane që amalgamohen me të tjerat). Por Evropa dukej – ose besonte se kishte mbetur – pak a shumë më e dëshirueshme, së paku si strehë e sigurtë.

Teatri i plakur i shembullorësisë – ligji, shkenca, demokracia, dukja dhe mirëqenia – vazhdon të ngjallë dëshira për objekte, gjithsesi tashmë të përdorur, për të mos thënë edhe jashtë përdorimi. Mbetet megjithatë i hapur për spektatorë, edhe pse nuk është edhe aq mirëpritës për ata që nuk mund t´ia lejojnë vetes luksin e dëshirave të tilla. Nuk është për t´u habitur që në skenë hyn një virus.

Nuk është për t´u habitur as që ky sjell më shumë konfuzion këtu se sa atje ku ka lindur. Sepse Kina tashmë ishte në gjendje lufte, qoftë ajo tregtare apo kundër sëmundjes. Ndërsa në Evropë kishte një farë mosmarrëveshjeje: mes shteteve e mes synimeve. Rezultati i kësaj mosmarrëveshjeje ishte pavendosmëria, trembja dhe përshtatja me vështirësi. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara shumë shpejt u rikthyen te izolacionizmi i tyre madhështor dhe te aftësia për të marrë vendime të qarta e të menjëhershme. Evropa gjithnjë ka qenë në kërkim të vetvetes – edhe kur ka shkuar në kërkim të botës, duke e zbuluar, eksploruar e shfrytëzuar, para se të humbë udhën edhe kësaj radhe.

Kur vatra e parë e epidemisë duket se është afër vendosjes nën kontroll, dhe shumë vende që ende nuk janë prekur rëndë po mbyllen ndaj evropianëve njësoj si ndaj kinezëve, Evropa po bëhet qendra e epidemisë. Kontinenti plak duket se është lodhur nga udhëtimet për Kinë (për biznes, turizëm e studime), nga ato të vizituesve nga Kina e nga vendet e tjera (biznes, turizëm, studime), si edhe nga paqartësia e përgjithshme e tij e si përfundim, edhe prej fërkimeve të brendshme.

Është i fortë tundimi për ta karikaturuar situatën kësisoj: në Evropë britma është «të shpëtojë kush të mundet» ndërsa gjetiu brohorima është «ja unë, ja ti, virus!». Ose ndryshe: në Evropë hezitimet, skepticizmat, mëdyshjet e «shpirtrave të fortë» (në kuptimin e lashtë të kësaj shprehjeje), zënë më shumë hapësirë se në vende të tjera. Kjo është trashëgimia e logjikës arsyetuese, libertine e libertare – apo më saktë të asaj që për ne, evropianët e moçëm, përfaqësonte jetën e vërtetë të shpirtit.

Kështu që, përsëritja e pashmangshme e shprehjes «masa të jashtëzakonshme» na faneps fantazmën e Karl Schmitt-it, përmes një konfuzioni të nxitimtë. E kësisoj virusi shpërhap narrativën e një guximi mburravec sipas së cilit të mos lejosh që të ta hedhin është një imperativ më i rëndësishëm se sa t´i shpëtosh infektimit – gjë që është njësoj si të ta hedhin dy herë – e ndoshta të mashtrohesh prej një ankthi të përjetuar keq. Ose prej një ndjenje të papjekur arrogance të tipit «mua s´më gjen gjë»…

Secili (duke përfshirë dhe veten time) çon përpara vështrimin e tij kritik, dyshues apo interpretues. Filozofia, psikoanaliza, politologjia e virusit po vrapojnë me shpejtësi.

(Duke përjashtuar këtu poezinë e këndshme të Michel Deguy-së, Coronation, te faqja e revistës Po&sie).

Secili prej nesh diskuton e debaton, sepse për një kohë të gjatë jemi mësuar me vështirësi, me laguna të mendimit, me pavendosmëri. Në shkallë botërore duket se më shumë po sundon vetëbesimi, kontrolli e vendosmëria. Së paku ky është imazhi që mund të kemi, ose që po mëton të konstituohet në imagjinaren botërore.

Virusi korona, si pandemi, është në çdo aspekt një produkt i globalizimit. Ia precizon trajtat e prirjet, është një «tregtar i lirë» aktiv, luftarak dhe efikas. Merr pjes në procesin e madh përmes së cilit shpërbëhet një kulturë ndërkohë që afirmohet diçka e cila më shumë se kulturë është një mekanizëm forcash pashmangshëm teknike, ekonomike, sunduese, dhe me gjasë fiziologjike a fizike (të mendohet nafta apo atomi). Është e vërtetë se në të njëjtën kohë modeli i rritjes është vënë në pikëpyetje deri në masën sa edhe presidenti i Republikës franceze ndjen detyrën ta thotë këtë. Është e mundur që vërtet të jemi të detyruar t´i spostojmë algoritmat tanë – por nuk ka prova që kjo gjë do të mund të ndodhë për t´i lënë hapësirë ardhjes së një frymë tjetër.

Sepse nuk mjafton të mposhtësh virusin. Nëse mjeshtëria teknike e politike del që është synim në vetvete, atëherë ajo do ta transformojë botën në një fushë forcash gjithnjë e më të tendosura njëra kundër tjetrës, të zhveshura tashmë prej gjithë alibive qytetëruese që vlenin dikur. Brutaliteti infektues i virusit do të vazhdojë të shpërndahet edhe pas mposhtjes së tij, nën formën e brutalitetit administrativ. Qysh tash gjendemi përballë domosdoshmërisë që të përzgjidhen ata të cilët kanë të drejtë të mjekohen. (Ende nuk po thuhet asgjë mbi padrejtësitë e pashmangshme ekonomike e shoqërore). Nuk ka përllogaritje dinake komplotistësh fantomatikë e makiavelistë. Nuk ka abuzime të pazakonta nga ana e shteteve. Ekziston veç ligji i përgjithshëm i ndërlidhjeve, kontrolli mbi të cilat është synimi i fuqive tekno-ekonomike.

Sa i përket aspektit hyjnor, virusi dëshmon për mungesën, meqenëse ia njohim përbërjen biologjike. Zbulojmë, nga ana tjetër, deri në ç´pikë e gjalla është më komplekse dhe më pak e kuptueshme se sa përfytyronim. E deri në ç´pikë edhe ushtrimi i pushtetit politik – ai i një populli, ai i një «komuniteti» hipotetik, psh. «evropian» apo dhe i regjimeve më energjike – është një tjetër formë komplekse, edhe ajo shumë më pak e kuptueshme se ç´duket. Kuptojmë tash më mirë deri në ç´pikë termi «biopolitikë» është përqeshës në këtë situatë: jeta e politika na sfidojnë njëkohësisht. Dija jonë shkencore na detyron të varemi vetëm prej fuqisë sonë teknologjike, e megjithatë nuk ekziston një puro-teknicitet i thjeshtë, sepse vetë dija sjell me vete paqartësi (mjafton të lexohen studimet që po botohen). Duke mos qenë univok as pushteti teknik, aq më pak mund të jetë i tillë pushteti politik i cili thirret që t´u japë përgjigje në të njëjtën kohë, të dhënave objektive e pritshmërive legjitime.

Sigurisht që prapëseprapë është një objektivitet i presupozuar ai që duhet të udhëheqë vendimmarrjen. Nëse ky objektivitet është ai i «izolimit» apo ai i «distancimit», deri në ç´pikë të autoritetit mund të shkohet që të imponohet respektimi i vendimit? Apo në anën e kundërt, ku fillon arbitrariteti i interesit të një qeverie e cila dëshiron – veç një shembull mes shumë të mundshmëve – të vazhdojë me organizimin e lojërave olimpike prej të cilave priten përfitime të ndryshme, pritshmëri e cila është edhe e shumë sipërmarrjeve e menaxherëve, vegël e të cilëve është, pjesërisht, qeveria? Apo ai i një qeverie që e përdor rastin për të ndezur nacionalizmin? Lupa zmadhuese virale thekson trajtat e kontradiktave dhe kufijve tanë. Është një princip realiteti i cili troket në portën e principeve të kënaqësisë. Vdekja e shoqëron. Vdekja që e kemi eksportuar përmes luftërave, skamjes, shkatërrimeve, vdekja që mendonim se e kishim izoluar te ndonjë virus tjetër apo te kanceri (ky i fundit ka shpërthyer në mënyrë thuajse-virale), tash ja ku na pret në qosh të rrugës. Pa shih, pa shih! Jemi njerëz, dykëmbësh pa pupla, me dhuntinë e gjuhës, por megjithatë as mbinjerëzorë e as transnjerëzorë. Tepër njerëzorë? Apo ndoshta na duhet të kuptojmë se kurrë nuk mund të jesh tepër? E se pikërisht kjo është çka jeton më shumë se ne, në çdo kohë?