(Ky shkrim u botua në 20 mars 2020)

Epidemia është më e madhe se ne, e në një farë mënyrë nuk arrijmë ta konceptojmë. Është më e fortë se çdo armik njerëzor që kemi pasur përballë ndonjëherë, më e fortë se çdo superhero që kemi përfytyruar apo që kemi parë në film. Ka momente që na ther në zemër një mendim i akullt: po sikur kjo të jetë një luftë që nuk e fitojmë ne? Luftë prej së cilës dalim të mposhtur në nivel botëror? Si në kohën e gripit «spanjoll». Por menjëherë e largojmë atë mendim. Pse të dalim të mposhtur? Jemi në shek. XXI! Jemi të sofistikuar, të kompjuterizuar, të pajisur me një barrë armë, të vaksinuar, të mbrojtur prej antibiotikëve…

Megjithatë diçka na thotë se kësaj radhe rregullat e lojës kanë ndryshuar aq sa, për momentin që flasim, rregullat mungojnë tërësisht. Me çdo orë që kalon numërojmë me tmerr të sëmurët e të vdekurit në çdo cep të globit, ndërsa armiku përballë nesh nuk po tregon shenja lodhjeje e as ngadalësimi në kositjen e viktimave. Duke përdorur trupat tanë që të riprodhohet.

Ka diçka kërcënuese te mungesa e fytyrës së kësaj epidemie, te padukshmëria e saj agresive. Duket sikur dëshiron ta prekë gjithë qenien tonë, e cila befasisht na u shfaq aq e brishtë dhe e pambrojtur. Edhe pafundësia e fjalëve të shpenzuara në muajt e fundit nuk ka mbërritur ta bëjë këtë infeksion më të kuptueshëm dhe më të parashikueshëm. «Në momentin kur fatkeqësia nuk është në përmasa njerëzore», shkruan Albert Camus në librin e tij Murtaja, «ne mendojmë se është irreale, është veç një ëndërr e keqe që do të ikë. Mirëpo jo gjithnjë fatkeqësia ikën, e nga ëndrra e keqe në ëndërr të keqe, ata që ikin janë njerëzit… mendonin se gjithçka për ta ishte ende e mundur, gjë që nënkupton se fatkeqësitë nuk ishin më të mundur. Vazhdonin të bënin biznes, planifikonin udhëtime dhe kishin opinionet e tyre. Si vallë do të mund të mendonin për murtajën që mbyll të ardhmen…?».

E dimë: një përqindje e caktuar e popullsisë nuk do të ketë pasoja prej virusit. Një përqindje e caktuar do të vdesë. Në ShBA flitet për më se një milion që do të mund të vdesin. Kush mundet, e largon këtë mendim. Por kush ka një imagjinatë të ndezur – si autori i këtyre rreshtave psh. (prandaj fjalët e tij duhen marrë me një grimë skepticizëm) është viktimë e vizioneve e skenarëve që shumëfishohen në imagjinatën e tij me një shpejtësi jo më të vogël se ajo e shpërhapjes së virusit. Thuajse secili person që takoj më bën të mendoj mundësitë e ndryshme të së ardhmes së vet në ruletën e epidemisë. E të jetës sime pa të. E të jetës së tij a të saj pa mua. Çdo takim, çdo bisedë, do të mund të jetë e fundmja.

Rrethi po ngushtohet: në fillim shpallën «anulohen fluturimet». Pastaj mbyllën baret, teatrot, komplekset sportive, muzetë, azilet, shkollat, universitetet. Njerëzimi fik dritat e veta, njërën pas tjetrës.

Befasisht në jetën tonë nis të shfaqet një dramë e përmasave biblike. «Dhe Zoti dërgoi vdekshmëri në popull» (Eksodi, 32, 35). Dhe e dërgoi në gjithë botën. Secili prej nesh është pjesë e kësaj drame. Askush nuk është i përjashtuar. Askush nuk është i përfshirë më pak se të tjerët. Nga një anë, për shkak të natyrës së hekatombës, të vdekurit që nuk njohim nuk janë gjë tjetër pos një numër, persona anonimë, pa fytyrë. Nga ana tjetër, kur vështrojmë të dashurit tanë, kuptojmë se si secila qenie njerëzore përmban në vetvete një qytetërim të tërë, të pazëvendësueshëm. Pazëvendësueshmëria e secilit bef me një klithmë të papritur, dhe njësoj si dashuria, na bën të përzgjedhim një person midis shumë syresh që kalojnë nëpër jetën tonë. Kësisoj vepron vetëdija për vdekjen.

Dhe qoftë i bekuar humorizmi, mënyra më e mirë për t´u përballur me gjithë këtë. Kur arrijmë të qeshim me COVID-19 faktikisht shpallim që nuk jemi paralizuar krejt. Që kemi ende liri të lëvizjes. Që vazhdojmë të luftojmë dhe nuk jemi viktima të pambrojtura (në të vërtetë jemi, por kemi gjetur një mënyrë për ta anashkaluar këtë vetëdije të tmerrshme, madje dhe për të qeshur me të).

Për shumëkënd epidemia mund të shndërrohet në një ngjarje vendimtare, e cila përcakton vazhdimin e jetës. Kur ajo të mbarojë, njerëzit më në fund do të dalin prej shtëpive pas një karantine të gjatë dhe të zbulojnë mundësi të reja e befasuese, ndoshta të pjella prej vetë këtij kontakti që patëm me themelin e ekzistencës sonë. Ndoshta vdekja e prekshme dhe mrekullia e shpëtimit do të shkundin gratë e burrat. Shumëkush do të humbë njerëzit e dashur, vendin e punës, burimin e fitimit, dinjitetin. Por kur epidemia të mbarojë nuk është për t´u përjashtuar se do të ketë edhe njerëz që nuk do të duan të kthehen në jetën e mëparshme. Njerëz që, po të kenë mundësi, do ta braktisin atë vend pune i cili për vite me radhë i ka mbytur e i ka shtypur. Apo nga ata që do të vendosin për ta braktisur familjen, për t´i thënë lamtumirë bashkëshortit apo partnerit. Njerëz që do të vendosin të sjellin në botë një fëmijë, apo që do të vendosin se nuk duan të kenë fëmijë. Ose nga ata që do të vendosin të bëjnë coming out. Do të ketë njerëz që do të fillojnë të besojnë në Zot, e njerëz që do të reshtin së besuari në të.

Marrja e vetëdijes mbi brishtësinë dhe fundësinë e jetës do t´i nxisë njerëzit të ndryshojnë prioritetet jetësore. Të dallojnë më mirë çka është e rëndësishme e çka është e kotë. Të kuptojnë se koha – dhe jo paratë – është gjëja më e çmuar. Dikush, për herë të parë, do të pyesë veten për zgjedhjet që ka bërë deri më tash, për gjërat që nuk ka bërë, për kompromiset. Për dashuritë që nuk ka guxuar të dashurojë. Për jetën që nuk ka guxuar të jetojë. Burra e gra do të pyesin veten – ndoshta për pak çaste por gjithsesi një mendimth do ta mendojnë – se pse e harxhojnë ekzistencën e tyre në marrëdhënie që u sjellin hidhërim. Dikush do të rimendojë qëndrimet e veta politike, të bazuara mbi ankth e vlera të cilat do të treten gjatë kohës së epidemisë. Dikush do të vërë në dyshim arsyet që e shtyjnë një popull të luftojë kundër një armiku për breza me radhë, arsyet që e bëjnë njeriun të mendojë se lufta është e pashmangshme. Është e mundur që një përvojë aq e ashpër dhe e thellë si ajo që po përjetojmë, ta nxisë dikë të largohet prej pozicioneve nacionaliste për shembull, prej gjithçkaje që na ndan, që na tjetërson, që na bën të urrejmë e të barrikadohemi. Dikush ndoshta për herë të parë do të shtrojë pyetjen se pse izraelitët e palestinezët vazhdojnë të luftojnë e t´i shkatërrojnë jetët njëri-tjetrit prej më se një shekulli, në një luftë që do të kishte mundur të zgjidhej para shumë kohësh. 

T´i jepesh imagjinatës, gjatë gjithë kësaj paqartësie prej frike e dëshpërimi, ka një forcë të sajën. Na lejon që të shohim jo vetëm skenarë katastrofikë, por edhe që të mirëmbahet një farë lirie mendore. Në kohët kur lehtë mund të paralizohesh, imagjinata është një farë spirance, të cilën prej humnerës së dëshpërimit ku gjindemi e hedhim drejt të ardhmes, dhe ajo na tërheq pas vetes. Aftësia për të imagjinuar kohë më të mirë do të thotë se ende nuk e kemi lënë epideminë dhe frikën që të ngadhnjejnë mbi ne. Pra ka vend që të shpresojmë se, kur rreziku i infeksionit të ketë ikur e të marrim frymë në një atmosferë rimëkëmbjeje e rishëndoshjeje, njerëzit do të nxjerrin në pah një tjetër gjendje shpirtërore: të rrëmbushur me një ndjenjë lehtësimi e një freski të re. Do të mund të zbuloheshin, për shembull, shenja të këndshme pafajësie, pa asnjë cinizëm. E ndoshta, për ca kohë, do të bëhen të lejueshme edhe shfaqjet e brishtësisë. Ndoshta do të kuptojmë se kjo epidemi vrasëse na mundëson që të çlirohemi prej shtresave të dhjamura, prej lakmisë së ndyrë, prej mendimeve harbute e trashanike, prej një bollëku që tashmë është bërë i tepërt e që ka nisur të na mbysë (pse dreqin kemi grumbulluar kaq shumë sende? Pse e kemi varrosur jetën tonë nën male sendesh që nuk na duhen?).

Dikush, ndoshta, duke parë efektet e shtrembëruar të shoqërisë së mirëqenies, do të ndihet i pështirosur kur të goditet prej vetëdijes së rëndomtë e të kuptojë se është e tmerrshme që të ketë njerëz tepër të pasur e shumë të tjerë tepër të varfër. Se është e tmerrshme që në një botë të kamur e plot bollëk jo të gjithë foshnjat kanë të njëjtat shanse. Jemi pjesë e të njëjtit stof njerëzor, të pambrojtur para infeksionit, siç po e zbulojmë, dhe e mira e secilit prej nesh, në fund të fundit është e mira e të gjithëve. E mira e globit në të cilin rrojmë është edhe e jona, e është vendimtare për mirëqenien tonë pastërtia e ajrit që marrim frymë, e ardhmja e fëmijëve tanë.

E ndoshta edhe masmediat, të pranishme në mënyrë thuajse totale në jetët tona e në epokën tonë, do të pyesin veten ndershmërisht mbi rolin që kanë luajtur për provokimin e asaj ndjenjës shijekeqe që ndjenim para epidemisë. Rolin që kanë luajtur ato për të na dhënë ndjesinë se si njerëz me interesa tepër të lexueshme po na manipulojnë, duke na shpëlarë trutë e duke na vjedhur paratë tona. Nuk po flas këtu për mjetet serioze të komunikimit masiv, të guximshme, të mprehta, hulumtuese, por për ato të cilat prej kohësh e kanë shndërruar masën në një grigjë delesh, e ndonjëherë në mbeturinë.

A do të vërtetohen këta skenarë? Kush e di. Nëse do të dilnin të vërtetë, kam frikë që do të zgjasnin shumë pak, dhe gjërat do të riktheheshin si më parë. Para epidemisë. Para përmbytjes. Është shumë e vështirë të kuptojmë se ç´do të ndodhë deri në atë moment. Por do të bënim mirë që të vazhdonim të merrnim në pyetje veten, njësoj sikur kjo të ishte terapi mjekësore, deri sa të gjendet një vaksinë efikase kundër fatkeqësisë.

Përktheu nga italishjta Arbër Zaimi