Biagio de Giovanni 

(Ky shkrim është shkruar në 9 mars 2020)

Nuk e di a duhet të quhet pesimizëm ajo që dëshiroj të nënvizoj shkurt, ka mundësi të jetë e kundërta. Le të reflektojmë bashkë. Unë shoh se do të ndahen epokat, para dhe pas virusit korona. Pra as nuk jam i idesë se globalizimi do të vazhdojë duke i çuar edhe më lart të drejtat e veta para syve tanë të kënaqur, por aq më pak jam i idesë se do të ketë një rimarrje të Welfare-it në një ribotim të paktit të dikurshëm mes Shtetit dhe ekonomisë. Këto janë kategori të botës së vjetër, asaj të para-epidemisë. Unë shoh, për të pastajmen kurdo që ajo do të vijë, një ndërprerje e mosvazhdim, që nuk nënkupton katastrofizëm, por nevojën për të rindërtuar, duke i kombinuar në një mënyrë të ndryshme përbërësit e botës.

Së pari, dimensioni ynë human-ekzistencial, i cili nuk do të dalë njësoj prej kësaj çështjeje, njësoj si në kohët pas luftërave (sidomos kur ato zgjasin), dhe kjo që kemi përpara është një e tillë. Mbase do të ngadalësohet përparimi (i cili sot ka shumë pak pengesa) i idiotëzimit narcizist të masave. Mbase do të vetëdijësohemi (po e themi për së gjalli), se vdekja është e mundshme dhe se jeta ka një vlerë të madhe, një kohë të fundme e cila duhet përdorur në mënyrë inteligjente. Fundshmëria do të marrë domethënien e vet, do të hyjë në ndërgjegjet, me dritat dhe hijet e saj. E më pas, sa i përket kolektivitetit, mbase do të përvijohen embrione klasash të reja drejtuese, siç ndodh pas ngjarjeve të mëdha. Do të hiqet qafe kjo klasa aktuale politike, e cila përgjithësisht dhe me shumë pak përjashtime është e përbërë nga injorantë që s´i hyjnë në punë askujt, ashtu siç ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore, mutatis mutandis. Klasat drejtuese nuk lindin prej britmave në sheshe, por prej tragjedive të historisë. Sa i përket botës, ajo ndoshta do të kuptojë se nuk mund të vazhdojë më si më parë, se duhet t´i vërë disa rregulla vetes, dhe kanë për t´u thyer sadopak kafazët e egoizmit. Jo në vazhdim të globalizimit të sotmë, ku gjithçka është virtuale, një hinkë prej asgjëje. Bota ndoshta do të gjejë baza më të qëndrueshme, mbase edhe më të thjeshtëzuara, të afta për t´u mbajtur nën kontroll. Mes njeriut dhe botës, mbase do të ndërtohet një marrëdhënie, se sot secili është në punën e vet.

Një stuhi optimizmi pra, mbase e veshur me një tis ironie. Kuptohet, gjithë kjo veç nëse kolapsi nuk ngadhnjen përmbi ne.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi