(Ky shkrim u botua në 18 mars 2020)

Nuk është gjë e re konsiderata historike e sociologjike sipas të cilës frika është shtysa kryesore për të kërkuar qasje të forta, regjime autoritare, kufizime lirish indivuale e rregullime e ndërhyrje të ashpra nga ana e autoriteteve të çdo lloji. Madje bërësit e këtyre regjimeve e qasjeve shpesh e kanë përmbysur raportin mes shkakut e pasojës, duke u përpjekur që me forcë e me fjalë të shpërndajnë një frikë gjithnjë e më të madhe pikërisht për të nxitur kërkesën për, siç thamë, regjime autoritare.

Gjatë këtyre javëve – kur gati në gjysmën e botës është punuar prej vitesh për të ndërtuar frikë artificiale, dhe me sukses – erdhi andej nga nuk pritej një frikë e vërtetë, konkrete, e bazuar, e stërmadhe. E cila nga njëra anë nuk i ndihmon shumë ata që kanë qejf qasjet e ashpra sepse – ndryshe prej frikës që sugjerohet në manualet e propagandës – kjo nuk shoqërohet dot me ndonjë armik kundër të cilit të ndërsehet e të drejtohet tërbimi. Nuk përjashtohet rasti që të djathtët – prej të cilëve mund të pritet gjithçka – të fillojnë së shpejti me pretendimet se «e majta është mike e virusit korona», mirëpo do të ishte retorikë e lodhshme: sado budallenj të mendosh që i ke votuesit, që t´i nxitësh të urrejnë një topth mikroskopik me gjemba përreth nuk është aspak e lehtë, as për fermentuesit më të sprovuar të frikës.

Nga ana tjetër, kjo frikë e natyrshme, reale dhe e arsyetuar, po pjell tashmë një sasi fashizmi të natyrshëm, real e të arsyetuar te të gjithë: intolerancë të skajshme dhe kërkesë për ndëshkim të secilit që del prej shtëpisë (me shfaqje të marrjes së drejtësisë në duart e veta, dhe me një fanatizëm që shkon prej qesharakes deri te shqetësuesja), gëzim i madh për masa censuruese, madje edhe mbi librat, të cilat në kohë të tjera do të ishin diskutuar gjatë sa i përket implikimeve të tyre, një ndjenjë shumë e përhapur sipas së cilës të secili duhet të mbrojë një domosdoshmëri të lartë, ndjenjë që na legjitimon dhe na vesh të gjithë me uniformë, na jep dëshirë të madhe për të thirrur policinë, për të denoncuar dikë, apo për të ndërhyrë edhe vetë. Një gëzim kur dikush dënohet e bëhet shembull. Tituj kryesorë gazetash ku denoncohen «shkelësit». Madje edhe në vogëlsinë tonë të përditshme, humbje e durimit përballë komenteve në rrjete sociale, kur përballemi me atë shprehjen e idiotësisë të cilën zakonisht e tolerojmë pak më shumë. «Nëse nuk merrni vesh me të mirë, duhet të bëhemi pak më të ashpër» tha presidenti i rajonit të Lombardisë, Fontana. E secili prej jush ka shembuj të tillë rreth vetes, apo brenda vetes. Po bëhemi – dalë nga dalë, çikë nga një çikë – më intolerantë, po dëshirojmë më shumë ashpërsi, më të prirur për disiplinën e imponuar me pahir, e jo me butësi.

Pa u menduar shumë.

Është normale? Sigurisht. Është e arsyetuar? Shpesh. Është mirë?

Gjejeni vetë.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi