(Ky shkrim është botuar në 14 mars 2020)

Një pritje e tejzgjatur në radhë në farmaci, një tjetër radhë për të hyrë në një supermarket: janë të mjaftueshme përvoja si këto, që janë bërë normale në ditët e fundit, për ta pasur një përfytyrim se si shpërndarja e virusit korona po e transformon shoqërinë tonë. Në shumë aspekte, që të themi të vërtetën, këto janë tendenca që kanë filluar prej shumë kohësh, të cilat tashmë janë shpërfaqur edhe më shumë, për shkak të epidemisë dhe masave të marra prej qeverisë: dhjetëra vite politikë e frikës kanë lënë shenja të cilat janë evidente tek fobia që kemi prej kontaktit njerëzor, apo te shikimet mosbesuese që i paraprijnë «distancës së sigurisë» mes personave. Dëshira plot ankth për më shumë kontroll sigurisht që i forcon pushtetet që dominojnë jetët tona, dhe është mirë të kujtojmë këtu se, pasi lejohet të zbatohen në herën e parë, masat si ato që janë marrë në këto javë mbeten në arsenalin e gjërave që janë politikisht të mundshme. Në këndvështrim tjetër, ka dhe imazhe e shenja thellësisht të ndryshme: buzëqeshjet që shumë persona shkëmbejnë nëpër rrugë, muzika që këndojnë nga ballkonet, solidariteti me të cilin janë rrethuar jo vetëm mjekët e infermierët por edhe punëtorët që bëjnë greva për të ruajtur mosprekjen e kushteve të veta të punës.

Debati i këtyre ditëve, brenda botës shumëngjyrëshe të lëvizjeve shoqërore dhe të së majtës, duket se më shumë po përqendrohet në aspektin e parë, pra po priret të diskutojë shfaqjen e dispozitivëve të kontrollit. Duke marrë shkas prej pozicioneve të filozofëve të shquar që po improvizojnë rolin e virologut e të epidemiologut, te shumëkush duket se po mbizotëron një lloj skepticizmi në lidhje me COVID-19 dhe mbi rrezikun faktik të kësaj sëmundjeje. Mua më duket se kjo lloj sjelljeje të çon në qorrsokak. Diskutimi duhet të nisë krejtësisht anasjelltas, prej të dhënës se shpërndarja e virusit korona – për ta thënë me fjalë të thjeshta – jo vetëm që përbën kërcënim për shëndetin e miliona njerëzve (në radhë të parë të moshuarve dhe subjekteve më të rrezikuar), por kërcënon edhe vetë funksionimin e sistemeve shëndetësore. Nuk më duket se ka ndonjë dyshim mbi këtë gjë. E nëse gjërat janë kështu atëherë virusi korona përbën kërcënim edhe për një gjë shumë thelbësore, atë që gjatë debatit tonë e kemi përkufizuar si «e përbashkëta». Epidemia që po ndodh po shpërfaq gjithë brishtësinë e pasigurinë e të përbashkëtës (ashtu si edhe të jetëve tona), si dhe nevojën për «përkujdesje» që sidomos debati feminist i viteve të fundit e ka nënvizuar. Pa harruar temën e kontrollit, do të dëshiroja të nisja prej këtij këndvështrimi themelor një reflektim mbi atë çka po ndodh në Itali, në Evropë dhe në Botë.

Efektet ekonomike të virusit korona janë tekstualisht të paparë e të padëgjuar ndonjëherë. Për herë të parë pas shumë dekadash tregjet financiare globale preken dhunshëm prej një krize e cila e ka origjinën te «ekonomia reale», duke shkaktuar humbje të paprecedenta. Metafora e cila i përshtatet më së miri ilustrimit të situatës së kapitalizmit global në këto momente është ajo e obstruksionit, e bllokimit. Kriza reflekton si pasqyrë e mysët imazhin e përmbysur të një kapitalizmi ku zinxhirët e prodhimit të vlerës dhe ato të akumulimit të pasurisë varen prej një lëvizjeje të pandërprerë të kapitalit, mallrave e njerëzve. Zinxhirët e ofertës, apo ato të furnizimit me mallra, të cilat përbëjnë skeletin logjistik dhe infrastrukturor të globalizimit kapitalist, sot duket se janë në masë të madhe të bllokuar. Bursa, e cila për një kohë të gjatë është mirëmbajtur prej zgjerimit të zinxhirëve të ofertës në gjithë globin e të lidhjes rrjetëzuese të korridorëve, zonave speciale dhe hub-eve, sot është e detyruar të regjistrojë këtë bllokim.

Nuk është e pavend të pohojmë se pandemia që po ndodh shënon një pikë pa kthim në zhvillimin e kapitalizmit botëror. Në asnjë mënyrë nuk po e teproj me përfytyrime «rrënimesh» apokaliptike. Sigurisht që do të ketë një farë kapitalizmi pas virusit korona, por do të jetë një kapitalizëm thellësisht i ndryshëm prej atij që kemi njohur në vitet e fundit (duke llogaritur edhe ndryshimet rrënjësore që ka sjellë kriza financiare e 2007-08). Mua më duket se duhet t´ia nisim prej këtij konstatimi në nivelin global, që të mund të reflektojmë edhe për atë çka po ngjet në Itali, e cila padyshim në këtë kohë ka rimarrë tiparet e një «laboratori», edhe pse në mënyrë shumë të ndryshme krahasuar me të shkuarën jo fort të largme. Duke rrezikuar të mbithjeshtëzoj, do të thosha se në këto çaste po shpërfaqet një udhëkryq fort preciz: nga njëra anë është një linjë të cilën do të mund ta përkufizonim si malthus-iane (apo e frymëzuar prej darwin-izmit social), e cila përfaqësohet mirë nga aksi Johnson-Trump-Bolsonaro; dhe nga ana tjetër një linjë e cila synon rikonceptimin e sistemeve publike të shëndetësisë si instrument kryesor për t´u përballur me emergjencën (e këtu shembujt janë shumë të ndryshëm, por mund të përmendim Kinën, Korenë e Jugut, Italinë etj.). Në rastin e parë merret përsipër një përzgjedhje natyrore e popullatës që shkakton mijëra të vdekur; në rastin e dytë, për arsye në masë të madhe kontingjente, synohet «mbrojtja e shoqërisë», dhe kjo shkakton shkallë të ndryshme autoritarizmi e kontrolli shoqëror.

Dua të flas qartë: unë në asnjë mënyrë nuk «po promovoj» masat që ka marrë qeveria italiane. Po them vetëm se në këtë moment – në nivel global – është duke ndodhur një goditje shumë e ashpër e cila do të ketë pasoja esenciale jo vetëm për të ardhmen e kapitalizmit por edhe (në fakt është e njëjta gjë), për jetët tona. Kjo goditje i prek edhe vendet si Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara apo Brazili, qeveritë e të cilave promovojnë zgjidhjen që unë e quajta malthus-iane: dhe po ndodhin atje protesta të guximshme e të arsyeshme në nivel shoqëror e politik! Por goditja po prek edhe vendin tonë, dhe ka gjetur një shprehje të veçantë te mospranimi nga ana e punëtorëve i vendimit të Confindustria-s, për t´i sakrifikuar ata në emër të vazhdimit të prodhimit. Në kuptim më të përgjithshëm, administrimi i virusit korona duket se thelbësisht është një fushëbetejë; dhe vetëm shpeshtimi i betejave shoqërore (tash e në muajt në vijim) do të mund të çelë hapësira për demokraci dhe për përkujdesje për të përbashkëtën. Kjo gjë është e vërtetë në Itali njësoj si në ShBA.

Le të vëmë re disa kondita që na lejojnë të përvijojmë skenarë për të ardhmen tonë. Vlera thelbësore e sistemit shëndetësor publik (i cili do të thotë e drejtë shoqërore për shëndet), sot është një e dhënë e cila vështirë se mund të kundërshtohet. Kjo do të thotë se, së paku për një kohë në vijim, do të jetë e vështirë të propozohen shkurtime të tjera, dhe ka mundësi të hapet një fazë e re investimesh në këtë sistem – edhe me shtysën e punëtorëve e punëtoreve të shëndetësisë. Do të ishte mirë që e njëjta gjë të ndodhte edhe në botën e sistemit arsimor, ndërkohë që do të jetë doemos e nevojshme t´i kundërvihemi përpjekjeve për t´i bërë të pakthyeshme disa ndryshimet që kanë ndodhur gjatë këtyre javëve në këtë sistem (duke filluar prej mësimdhënies online). Gjatë krizës, puna e përkujdesjes thelbësisht shkarkohet te gratë, por edhe kjo rrethanë hap skenarë për beteja të reja e negociata të reja. Grevat e punëtorëve, që tashmë i përmendëm, tregojnë mundësinë për horizontë të rinj sindikalizmi, jo vetëm profesional por edhe social, si dhe mundësinë për të kërkuar pagë «karantine». Edhe pse kanë paguar një çmim të shtrenjtë, rebelimet nëpër burgje kanë sjellë një shikueshmëri të re për të burgosurit, të cilët në vitet e fundit kanë qenë gjithnjë e më pak në vëmendje. Ato rebelime kanë sjellë disa rezultate domethënëse, edhe pse të pjesshme. Po ashtu, edhe pse jo njëkohësisht, rebelime po ndodhin edhe në qendrat e mbajtjes së refugjatëve, ku virusi korona ka bërë që të mbeten aty refugjatët e të mos kthehen në vendet nga kanë ardhur.

Përsëris: flasim për skenarë që tregojnë disa fushëbeteja esenciale, e jo për zhvillime lineare të qeverisjeve. Por nga këndvështrimi i metodës, më duket e rëndësishme të nisemi prej këtu. Virusi po ashtu ka vënë në dukje se sa qesharak e i rremë është sovranizmi dhe fetishizmi i kufijve që ai ka. Është një konditë e mirë për të rihapur një reflektim mbi Evropën. Sigurisht, deri më sot BE-ja ka bërë shumë pak, ka lëvizur në mënyrë kontradiktore dhe shpesh edhe kundërproduktive. E si të mos e vëmë re që politika e austeritetit dhe dogma e balancës së buxhetit, deri më tani në qendër të politikave evropiane, tashmë janë hedhur në erë? Janë të shkëlqyeshme tensionet «objektive» që po shkarkohen mbi Bankën Qendrore Evropiane, duke i kërkuar që të marrë rolin e kredidhënësit të nivelit të fundit. Janë tendenca «objektive» pikërisht, në kuptimin që rrjedhin prej një synimi politik por njëkohësisht përvijojnë konditat për një rifillim të betejës në terrenin evropian (apo më mirë: për një rënie në fushëbetejën evropiane të të gjitha betejave që do të zhvillohen në shumë pjesë të kontinentit).

Si përfundim, mendoj se pikëvështrimi që propozoj këtu na lejon ta shohim pandeminë që po zhvillohet, duke e drejtuar vëmendjen te hapësirat që krijohen për lëvizjet, për betejat sociale e për vetë të majtën. Nuk e nënvleftësoj, siç e thashë më lart, çështjen e kontrollit, të zgjerimit të pushtetit të Shtetit, si dhe të promovimit të politikave të frikës. Bëhet fjalë për aspekte qartësisht prezente në skenarin aktual. Por si t´u kundërvihemi? Bindja ime është se duhet të nisemi prej asaj «përkujdesjes» për të përbashkëtën për të cilën fola në fillim, që ta përmbysim kuptimin aktual të «laboratorit italian»; si dhe duhet të kapen në këtë situatë rastet që janë për të bërë një politikë më të përgjithshme betejash në këtë kohë pandemie.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi