(Ky shkrim është botuar në 1 mars 2020)

Nuk kuptohet se a po shënon ardhja e virusit në Itali fundin e lirisë, fundin e ekonomisë apo fundin e Agamben-it? Ndoshta ju do të thoni asnjërën prej të trejave. Sigurisht, do thosha unë, të të trejave, dhe këto tre ngjarje mund të përmblidhen pak a shumë si fundi i botës, ose më saktësisht fundi i një bote. Para se t´ju them se pse, do të doja të nisesha prej disa të dhënave faktike të cilat më duken të padiskutueshme. E bëj këtë sepse nuk kam dëshirë që më vonë të rikthehem e të diskutoj premisat: pra kushdo ka mundësi që të dyshojë fjala vjen te nxehja globale, mirëpo le të mos vijë të diskutojë me mua (se unë kam hequr dorë nga diskutimi me ta). Dua thjesht të bëj të qarta premisat e mia për t´ju thënë, si Michael Dummett: unë nisem prej këtu, jam i sinqertë për pikënisjen time.

1 – Aspekti i parë i fundit të botës është ai tekstualisht apokaliptik. Çfarë është apokalipsi për ne sot? Është fundi i progresit, thjesht, thënë me saktë fundi i idesë se bijtë tanë do të qëndrojnë, në një farë kuptimi materialist, më mirë se ne. Në fjalë të tjera, atyre ka për t´u rënë që të paguajnë llogarinë e atij çekuilibrimi mes komoditeteve dhe burimeve që ka zgjatur thuajse një shekull. Nxehja globale, rënia dramatike e biodiversitetit (e cila nuk është doemos e lidhur me aspektin paraprak), ndotja e globit me plastikë dhe me materiale të tjera të prodhuara nga njeriu, kulmi i nxjerrjes dhe prodhimit të produkteve të naftës, janë disa nga aspektet e një apokalipsi të domosdoshëm i cili varet prej mënyrës se si është përfytyruar progresi. Pra, si një progres material, i lidhur me shpeshtimin e prodhimit e mbi të gjitha shpërndarjen e tij në një zinxhir vleror global, me një ndërlidhje gjithnjë e më të madhe të qarqeve të ekonomisë botërore.

Në këtë pikë nuk jam më i sigurt se a ia vlen të flitet për kapitalizëm (produktivizmi sovjetik psh. nuk është se dëmtonte më pak, në nivel mjedisor, pastaj modeli kinez, a është vërtet kapitalist ai?), sepse është një botëvështrim i tërë që po bëhet copë e çikë – apo siç do të kishte thënë Wittgenstein-i, vetë bota.

2 – Pika kyç, më duket mua, është në nivelin e vetëdijes që publiku ka për këtë gjë: thirrjet e Greta Thurnberg, arinjtë polarë që po zbresin nëpër fshatrat e Rusisë, zhdukja e disa ishujve, vdekshmëria e insekteve ndërpolenizues, këto janë lajme të përditshme për të cilët ne megjithatë nuk dimë apo nuk duam të dimë për to në përditshmërinë tonë. Pse kjo situatë shpërputhjeje njohëse (cognitive dissonance)? Në radhë të parë sepse këto lajme janë të papranueshme dhe të papërshtatshme me idealin tonë për lirinë. Ajo që ne quajmë liri për të zgjedhur fatin tonë është e lidhur me mundësinë për të konsumuar, por edhe për ta përfytyruar të ardhmen sipas opsioneve që janë të ofruara në treg.

Kapitalizmi i gjelbër, së paku në nivelin e vetëdijes kolektive që kemi, duket si kompromisi më i mirë i mundshëm, mes lirisë së zgjedhjes dhe mbijetesës së botës. Por e dimë shumë mirë të gjithë se kapitalizmi i gjelbër nuk do të funksiononte, dhe përveç atyre që e lënë veten të përkunden me ëndrrat e zgjidhjeve teknologjike për krizat të cilat tekstualisht gjithnjë janë duke ardhur, duhet të pranohet pasoja pak a shumë e pavetëdijshme. Malthus-i në 1798 e përvijonte qartësisht alternativën: ose duhet ndërruar mënyra e të jetuarit (ato që francezët i quanin les moeurs në shek. XVIII dhe që kishin më tepër të bënin me seksualitetin dhe riprodhimin), ose do të shkohet drejt një shkatërrimi të një pjese gjithnjë e më të madhe të popullatës (ajo që ai e quante positive check, dmth. rritja e vdekshmërisë për shkak të epidemive, urisë, luftërave etj.)

Historia njerëzore është plot me shembuj të tillë: murtaja e zezë ka zhdukur në kohën e vet 40% të popullatës së Evropës, Lufta e Dytë Botërore ka zhdukur 3% të popullatës së botës, etj.

Mirëpo, në njërin nga versionet e mbrame të traktatit të tij të famshëm, Malthus-i, duke kundërshtuar vetveten, përvijon një rrugë të tretë: falë zhvillimit ekonomik, «klasat ekstreme» (klasat e varfra që janë më të rrezikuarat nga epidemitë dhe nga uria) të shndërrohen në klasa borgjeze të cilat do të dinë më mirë të kontrollojnë lindshmërinë e tyre, falë moralitetit më të lartë, duke e kthyer positive check-un në preventive check. Pavarësisht ironisë nga ana e Marx-it dhe Engels-it të cilët treguan se si shndërrimi i positive check-ut në preventive check nënkupton hiç më pak se vdekje prej urie për një pjesë të madhe të proletariatit, megjithatë kjo është rruga në të cilën – në kohë të ndryshme e me entuziazme të ndryshme – po ecën gjithë bota (me përjashtimin, ndoshta, të Koresë së Veriut).

Këtë e dëshmon tranzicioni demografik, apo më saktë kalimi prej një regjimi me lindshmëri e vdekshmëri të lartë në një regjim me lindshmëri e vdekshmëri të ulët, i cili po kryhet pak a shumë në të gjithë vendet e botës, me afate e mënyra të ndryshme. Pikërisht për këtë gjë lumturohemi kur themi se zhvillimi ekonomik ka nxjerrë 500 milion kinezë dhe 100 milion brazilianë prej varfërisë: një lloj ekuilibri në dukje virtuoz mes rritjes demografike dhe mirëqenies. Mirëpo tash, kur ky model na ka sjellë në një katastrofë ekologjike të paprecedent – antropoceni apo kapitaloceni pak rëndësi ka – jemi kthyer prapë në pikën fillestare: positive check, apo preventive check, duhet të zgjedhim. E meqenëse jemi të paaftë për të hequr dorë nga një model i caktuar lirie, pra nga një farë stili i jetës, kemi zgjedhur, pak a shumë me vetëdije (e përsëris që të mos ketë keqkuptime), që ta braktisim një pjesë të madhe të njerëzimit (ndoshta 1-2 miliardë në 30 vitet e ardhshme sipas vlerësimeve pak a shumë pesimiste) në vdekje të dhunshme. 

3 – Masakra nuk do të vijë për të gjithë në të njëjtën mënyrë, ajo do të varet thelbësisht nga ajo që kolapsologët francezë quajnë l´effondrement (rrëzimi). Pavarësisht polemikës që mund të ngjallë një teori jo-shkencore dhe e diskutueshme në shumë pjesë, më duket e nevojshme t´ia nisim prej përkufizimit më minimal të kolapsit: fillon kolapsi kur shteti nuk është më i aftë që të përgjigjet për nevojat primare të një pjese të gjerë të popullsisë (ujë, ushqim, nxehje, shëndetësi). Kjo do të thotë se nocioni i kolapsit është lokal dhe është i diferencuar, sepse varet prej raportit mes politikës, ekologjisë dhe territorit. Kolapsi nuk do të vijë menjëherë, i sjellë nga engjëjt e apokalipsit, por në mënyrë pak a shumë të graduale dhe të kuptueshme e në vende të ndryshme të botës. Shtete si Jemeni, Kongo, Siria apo Venezuela qysh sot mund të quhen tashmë të kolapsuar, apo në rrugë drejt kolapsit. India është shembull i fashistizimit të shtetit dhe i kolapsit politiko-shoqëror me sfond krizën klimatike.

Por, në një lexim më të thellë, vota për Trump-in, apo për Bolsonaro-n në Brazil, apo për Salvini-n në Itali është një votë e blerë me një premtim: që për shkak të përkatësisë kombëtare (në fakt për shkak të përkatësisë në një grup të caktuar shoqëror), votuesi do të jetë pjesë e atyre që do të shpëtohen, e jo e atyre që do të mbyten. Duke i folur nënvetëdijes kolektive, lideri politik i drejtohet popullit të vet duke i premtuar shpëtim dhe arkë të Noes, sidomos përkundër të tjerëve – të huajve. Në ndërkohë po ai lider politik negocion në mënyrë pak a shumë të hapur kushtet e shpëtimit me klasat shoqërore që munden realisht ta përballojnë, falë vazhdimit përtej limitit të politikave të rritjes, të cilat në nivel botëror sigurisht që nuk kanë më asnjë kuptim.

Kjo është panorama. Le të kthehemi pra te virusi korona. Ky virus është më shumë se një influencë gripale në fakt (siç dëshmon shprehimisht potenciali infektues R0 = 2,5), mirëpo jo objektivisht apo jo në mënyrë absolute, nëse mund ta themi kështu. Unë do të thosha se virusi korona është më shumë se një influencë gripale, në kontekstin ku jemi.

Krahasimet me gripin spanjoll të vitit 1918 nuk janë krejt pa vend: asokohe epidemia, e cila po ashtu u shkaktua nga një virus me R0 të ulët, goditi një pjesë të popullsisë të dobësuar prej Luftës së Parë Botërore, në një situatë kur strukturat shëndetësore ekzistente nuk ishin të gatshme për t´u ballafaquar me problemin. As popullata kineze e as popullata europiane sot nuk janë aq të donësuara, mirëpo në të dyja kontekstet ka një problem të përbashkët: ai i kapaciteteve të spitaleve dhe i gjendjes së masave shëndetësore të afta për t´iu përgjigjur kërkesave për ndihmë që vijnë nga të prekurit.

Prej këtij këndvështrimi Agamben dhe Nancy kanë të dy të drejtë, por edhe të dy gabim, në masën kur duket se arsyetojnë brenda një horizonti botëror homogjen. Në terma të tjerë, shpërndarja e virusit korona provokon këtu e atje të njëjtat masa vetëkufizimi, mirëpo për arsye krejtësisht të ndryshme.

Kina po ndërton të ardhmen post-apokaliptike të botës: një të ardhme të bazuar mbi planifikimin e rritjes ekonomike dhe mbi zbutjen e shpirtrave shtazarakë të tregut (plani kolosal për kontrollin e lindshmërisë i disa viteve më parë ishte një hap në këtë drejtim); një model qeverisjeje absolutisht jo-demokratike (meqenëse as që bëhet fjalë për të ndërtuar konsensus përmes ballafaqimit të opinioneve, por për pranimin e një themeli të përbashkët vlerash në të cilat njësohet populli kinez në marshimin drejt dominimit global); një biopolitikë sipas këtyre kritereve, e themeluar mbi kontrollin total e disiplinues të popullsisë por edhe, në periudhën bashkëkohore, në ofrimin e mbrojtjes shoqërore e shëndetësore për pjesë gjithnjë e më të gjera të popullsisë (siç dëshmon plani ambicioz i sigurisë shoqërore e shëndetësore për të gjithë popullsinë e Kinës).

Çka po bën Kina e që s´e kemi parë askund tjetër, është marrja në dorë të shtetit e shëndetit të popullsisë, gjë që krijon një kërkesë të re, në rritje të shpejtë, një kërkesë për përkujdesjen shëndetësore të cilin më parë e ofronte familja, fshati, apo thjesht askush.

Në një kontekst kur virusi korona kërcënon me mbingarkesë strukturat e shëndetësisë dhe ato spitalore, që janë ende të brishta por janë duke u ndërtuar, imponimi i vetëizolimit i lejon Kinës që ta mbajë epideminë brenda disa kufijve, duke u mbështetur në strukturat e një shteti «autoritar» (nëse ka kuptim kjo fjalë në Kinë), megjithatë pa patur nevojë të shpallë «gjendje të jashtëzakonshme». Vetë kinezët duken të vetëdijshëm se ajo që po ndodh nuk është gjë tjetër përveçse njëra nga etapat e ndërtimit të së ardhmes së Kinës si fuqi e vetme e botës.

Le të vijmë në Evropë, e sidomos në Itali. Këtu nuk po ndërtohet asnjë model politik për «të ardhmen», por më shumë po administrohet sipas mundësive një e tashme në rënie (për ata që vazhdojnë të flasin për Italinë si një «laborator biopolitik», por për çfarë? Laborator për fundin e botës?).

Siç vë në dukje Esposito, në fund të tekstit të tij, urdhrat dhe dekretet e shpallur prej qeverisë italiane më shumë kanë të bëjnë jo dhe aq me zgjerimin e fuqive biopolitike, por me shkrirjen e shtetit të përkujdesjes, e sidomos të strukturave shëndetësore të cilat për 30 vite me radhë kanë pësuar prej shkatërrimit programatik nga qeveritë e «dobësimit» neoliberal e nga new public management.

Përveç kësaj, situata është e ngjashme në mos po edhe më keq në Francë, prej nga shkruan Nancy. Aty Macron jo vetëm që ka çuar deri në fund shkatërrimin e vetë konceptit të spitalit, por ka flakur në një burn out shumë të ashpër gati gjithë personelin mjekësor, dhe tekstualisht po lë të vdesin urie një pjesë të madhe të personelit administrativ (gjë që shpjegon simpatinë e përgjithshme për jelekët e verdhë, të cilët shumica e popullsisë nuk është se thjesht i mëshiron, por identifikohet me ta). Ndoshta është pikërisht vetëdija për këtë rrënim ajo që e shtyn Nancy-në t´i pranojë disa masa për ndalimin e përhapjes së virusit, sidomos për të konsiderohet se të parët që rrezikohen janë ata më të dobëtit, si vetë ai, që tashmë janë prekur prej shumë sëmundjeve. Jo thjesht për shkak se virusi korona i prek më shumë dhe u lë më shumë pasoja, por edhe për shkak të faktit se të tillët janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të moskokëçarjes, apo të braktisjes nga ana e strukturave mjekësore të paafta për të menaxhuar urgjencat edhe në raste gripesh të thjeshta, për shkak se tashmë janë thelbësisht të mbetura pa mjete.

Pra, ajo që po përjetojmë në Evropë nuk është një zgjerim i biopolitikës si regjim i një pushteti të mishëruar te Shteti i cili mundëson jetën dhe e braktis tepricën në dorë të vdekjes. Më tepër po përjetojmë, të shastisur, dëshminë se neoliberalizmi tekstualisht e ka zhdukur opsionin biopolitik modern, apo aftësinë «për të mundësuar jetesën» përmes raportit përpjesëtimor mes zhvillimit ekonomik dhe kontrollit të popullsisë (në sensin sasior por edhe cilësor), opsion mbi të cilin është mbështetur për të paktën tre shekujt e fundit vetë mundësia e asaj që ne «evropianët» e quajmë liri.

Siç e kemi vënë re, ky opsion tekstualisht dhe strukturalisht ka arritur kufijtë ekologjikë të cilët për gjithë këtë kohë kanë përbërë të pamendueshmen e zhvillimit. Agamben ka çdo arsye për të thënë se gjendja e jashtëzakonshme është bërë gjë e rregullt, përmes një legjislacioni lirivrasës që funksionon me dekrete: çështja është se që të dalësh nga ky qerthull vdekjeprurës zhvillim demografik-zhvillim ekonomik, do të thotë se duhet në radhë të parë të vrasësh lirinë, apo së paku atë që ne quajmë liri. Virusi udhëton në fakt mbi vetë atë infrastrukturë të globalizimit i cili është themeli material për konceptin tonë të lirisë. Për këtë arsye rritja e epidemisë së virusit korona paraqitet në Evropë hiç më pak se në formën e zgjedhjes arbitrate mes lirisë dhe shpëtimit: çështja kryesore është se deri në ç´masë shteti neoliberal, ky mishërim tokësor dhe tërësisht i rrezikshëm i Providencës, është ende i aftë të na lejojë një shpëtim relativ, me cilat mjete dhe për kë.

Na vjen keq që duhet të thirremi me nocione kaq të papërpunuara si e pavetëdijshmja kolektive për të shpjeguar psikozën kolektive të këtyre ditëve, mirëpo masat e marra prej qeverisë italiane janë, në një kuptim, edhe një mënyrë për t´i folur kësaj të pavetëdijshmeje e cila është tashmë, po e përsëris, një e pavetëdijshme apokaliptike. Problemi qendror, më duket, është se si t´i jepet një shprehje konkrete kësaj të pavetëdijshmeje pa e përkthyer në termat banale të zgjedhjes mes egoizmit personal dhe jetës prej varfanjaku, sepse në fakt problemi qendror është ajo që kuptojmë si liri, apo si veprim njerëzor. Opsioni kinez i lirisë si vënie në kontroll e gjithë globit nuk është thjesht, sa na përket neve, një makth totalitar: por edhe një opsion që nuk është më i mundur për ne këtu në Evropë. Përgjigjja që po japin partitë autoritare evropiane, fashiste apo nacionaliste të cilat përpiqen të na shesin një shpëtim kundër të tjerëve – të dëshpëruarve të botës të cilët do të mbyten të parët – në këmbim të lirive liberale për zgjedhje e për opinion, jo vetëm që nuk mund të mbështetet moralisht, por është një kurth pas të cilit fshihet lufta e pashmangshme klasore mes të shpëtuarve dhe të mbyturve brenda kufijve. Përgjigjen përfundimtare e shohim të gjithë: e vetmja mundësi për të shpëtuar dikë nënkupton t´i jepet fund konceptimit të liridë si rritje ekonomike, zgjedhje materiale dhe pronë individuale. Duhet të rinisim nga e para, në mënyrë spinoziane, jo prej asaj që na lejohet por prej asaj që është e mundshme. Virusi na ka vënë tashmë përballë domosdoshmërisë që të mos i lëmë vetëm ata të cilët tashmë e kanë nisur këtë rrugë.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi