slavoj zizek

(Ky shkrim u botua në 14 mars 2020)

Epidemia e virusit korona ka nxjerrë në pah dy tipologji personash, të cilat në këtë moment janë të kundërvëna: ata që janë të lodhur se punojnë shumë (mjekët, personeli shëndetësor…) si dhe ata që s´kanë asgjë për të bërë sepse janë të kufizuar në shtëpitë e tyre, me detyrim apo vullnetarisht. Duke qenë se personalisht i përkas kategorisë së dytë, ndihem i detyruar të përfitoj prej kësaj situate për t´ju propozuar një reflektim të shkurtër mbi mënyrat e ndryshme në të cilat mundesh të jesh i lodhur. Kam vendosur ta injoroj paradoksin e dukshëm të lodhjes prej mosveprimit të detyruar, kështu që më lejoni të nis prej filozofit Byung-Chul Han, i cili na ofron një analizë sistematike të mënyrës si dhe pse jetojmë në një «shoqëri të lodhjes». Ajo që vijon është një përmbledhje e shkurtër e kryeveprës së Byung-Chul Han «Shoqëria e lodhjes», të cilin si i paturp që jam, e kam kopjuar nga Ëikipedia:

«Të shtyrë prej kërkesës sociale që të këmbëngulim duke kërkuar suksesin, si edhe prej synimit të efikasitetit, bëhemi në të njëjtën kohë urdhërues e zbatues dhe hyjmë në një spirale vetëkufizimi, vetëshfrytëzimi e vetëkolapsimi. ´Kur prodhimi është jomaterial atëherë të gjithë i zotërojnë mjetet e prodhimit. Sistemi neoliberal nuk është më një sistem klasik, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk përbëhet më nga klasa që janë në konflikt me njëra-tjetrën. Kjo ia garanton stabilitetin´. Han argumenton se të gjithë janë bërë shfrytëzues të vetvetes. ´Sot secili është një punëtor i pavarur që vetëshfrytëzohet. Secili është njëkohësisht skllav e padron. Madje edhe lufta e klasave është transformuar në një luftë kundër vetvetes´. Individët janë bërë ajo që Han quan ´subjekte të orientuara kah objektivi´; pra nuk mendojnë më se janë subjekte të shtypura por projekte që vetëmodifikohen dhe rishpikin vazhdimisht vetveten, gjë që shndërrohet në një lloj detyrimi i shtrëngimi, pra në një lloj më efikas shtypjeje e nënshtrimi. Duke qenë një projekt që e mendon veten të lirë prej kufizimeve të jashtme, tash Uni i nënshtrohet kufizimeve të brendshme e shtrëngimeve të vetëimponuara, të cilat po marrin formën e përpjekjes të sëmurë për të arritur suksesin përmes përkryerjes

Edhe pse Han na ofron ca refleksione interesante mbi modalitetin e ri të perceptimit të vetes nga ana e një subjekti prej të cilave mund të mësojmë shumë (ajo që zbulon ai është forma e re e superegos), unë megjithatë mendoj se është e mundur t´i bëhen nja-dy kritika. Si fillim, kufizimet e shtrëngimet nuk janë vetëm të brendshme: gjithnjë e më shumë po vendosen rregulla të reja e të ngurta të sjelljes, sidomos për ata që i përkasin klasës së re të «intelektualëve» – le të mendojmë këtu qoftë edhe vetëm për ato që imponon korrektesa politike – të cilat përbëjnë një aspekt të veçantë të «luftës kundër vetvetes», kundër tundimit për të qenë «jokorrektë». Ose, konsideroni psh. kufizimin e jashtëm si në rastin në vijim:

Disa vite më parë regjisori dhe shkrimtari amerikan Udi Aloni organizoi në Nju Jork një shfaqje të grupit palestinez Jenin Freedom Theatre, dhe në Neë York Times doli një artikull për këtë shfaqje, i cili rrezikoi të mbetej pa u publikuar kurrë. Gazetari i kishte kërkuar Aloni-t titullin e veprës së tij të fundit, për ta cituar në artikull, dhe ai i kishte dhënë titullin e një antologjie që kishte edituar. Problemi qëndronte se nëntitulli i librit përmbante shprehjen «shteti bi-nacional», dhe me drojën se mos irritonte izraelitët, redaksia e gazetës kishte kërkuar që të hiqej ky togfjalësh, përndryshe nuk do të lejonin botimin e artikullit.

Një shembull i ngjashëm, por më i afërt në kohë, është ai i shkrimtares anglo-pakistaneze, Kamila Shamsie. Libri i saj «Unë jam armiku», një version i modernizuar i «Antigonës», pati shumë sukses dhe mori shumë çmime, midis të cilëve edhe çmimin Nelly Sachs, dhënë nga qyteti i Dortmundit. Mirëpo kur u mor vesh se shkrimtarja ishte mbështetëse e BDS (lëvizjes për bojkotim e sanksione ndaj Izraelit), asaj iu morën të gjitha çmimet, me justifikimin se kur kishin vendosur t´ia jepnin, anëtarët e jurive «nuk kishin qenë të vetëdijshëm për faktin se autorja kishte marrë pjesë ndaj veprimeve bojkotuese kundër qeverisë izraelite, për shkak të politikave që kjo ka zbatuar me palestinezët, qysh prej vitit 2014». Kjo është situata sot. Handke ka marrë Nobelin, edhe pse ka qenë mbështetës i operacioneve ushtarake të serbisë në Bosnjë, ndërsa marrja pjesë në protesta paqësore kundër politikës së Izraelit në Rripin e Gazës, nuk lejon që të merren çmime.

Së dyti, forma e re e subjektivitetit që përshkruan Han, kushtëzohet prej fazës bashkëkohore të kapitalizmit global, i cili mbetet një sistem klasor, me pabarazi gjithnjë e më të mëdha, në të cilin luftërat dhe konfliktet assesi nuk mund të reduktohen në «luftë kundër vetvetes». Në vendet në zhvillim ka ende miliona punëtorë krahu, dhe ka dallime të mëdha mes llojeve të ndryshme të punëtorëve jo-prodhues (mjaft të mendohet këtu sektori në rritje i «shërbimeve njerëzore», siç është asistenca për të moshuarit). Ka një hendek të madh mes menaxherit i cili drejton apo zotëron një ndërmarrje, dhe punëtorit të pambrojtur i cili kalon ditët në shtëpi, i vetmuar, përballë një kompjuteri. Ata nuk janë të dy njëherazi padronë dhe skllevër të vetvetes.

Një ndarje e re e punës

Flitet shumë për faktin se modalitetit të vjetër të zinxhirit të prodhimit fordist tashmë i është mbivendosur një tip i ri i punës bashkëpunuese, i cili i lë shumë më tepër hapësirë kreativitetit individual. Por ajo që po vërtetohet në fakt nuk është një zëvendësim i modelit të parë prej të dytit, por më shumë një jashtësim: në Microsoft e në Apple mbase puna organizohet në mënyrë më bashkëpunuese, por produkti final prapëseprapë prodhohet në Kinë apo në Indonezi, në një mënyrë shumë fordiste. Zinxhiri i montimit thjesht është jashtësuar. Pra kemi një ndarje të re të punës: në perëndimin e zhvilluar janë punëtorët autonomë, të cilët vetëshfrytëzohen (si ata që përshkruan Han), ndërsa në vendet në zhvillim ata që bëjnë punë sfilitëse në zinxhirë montimi, të cilëve u shtohet edhe numri gjithnjë e më i madh i individëve që punojnë në sektorin e shërbimeve (kujdestarë, kamerierë…), ku shfrytëzimi kap kulmin. Vetëm ata të grupit të parë (punëtorët autonomë, shpesh të pambrojtur) korrespondojnë me përshkrimin e Han. 

Secili prej këtyre tre grupeve ka mënyrën e vet specifike të lodhjes. Puna në zinxhirin e montimit është sfilitëse për nga monotonia e saj përsëritëse, lodhesh për vdekje kur monton iPhone njëri pas tjetrit në fabrikën Foxconn në periferi të Shangait. Nga ana tjetër, ajo që e bën kaq lodhëse punën e shërbimeve asistuese është fakti se paguhesh (edhe) për t´u shtirur se po e bën me dëshirë të vërtetë atë punë, të bësh sikur vërtet të bëhet vonë për personat të cilëve u asiston: një edukatore kopshti paguhet edhe për të treguar një dashuri të sinqetë për fëmijët, po ashtu edhe kujdestarët e të moshuarve. Por a arrini ta përfytyroni stresin që sjell kur duhet të jesh gjithnjë «i dashur»? Në kontrast me dy tipologjitë e para të punës, në të cilat është e mundur të paktën të mbahet një farë distance me atë që je duke bërë (edhe nëse na kërkohet të jemi gjithnjë të dashur me fëmijët, megjithatë mundemi thjesht të shtiremi sikur jemi), në rastin e tretë kërkohet diçka që është shumë më lodhëse. Përfytyrojeni nëse unë paguhem për t´i bërë reklamë një produkti në mënyrë të tillë që t´i bind njerëzit ta blejnë, edhe pse produkti vetë nuk më intereson, madje mund ta urrej. Duhet të shfrytëzoj në maksimum kreativitetin tim, të përpiqem të gjej zgjidhje origjinale, dhe kjo përpjekje mund të më lodhë shumë më tepër se puna monotone në zinxhirin e montimit. Kjo është lodhja specifike për të cilën na flet Han.

Por nuk janë vetëm punëtorët e pasiguruar që punojnë prej kompjuterave nga shtëpitë ata që lodhen për shkak të vetëshfrytëzimit. Ekziston edhe një lloj tjetër aktiviteti, për të cilin zakonisht përdoret terminologjia mashtruese «punë kreative ekipore»: në këtë rast pritet që njerëzit të marrin vetë funksionet sipërmarrëse, të bëjnë punën e menaxherit apo atë të pronarit, dhe të administrojnë «në mënyrë kreative» organizimin shoqëror të prodhimit e të shpërndarjes. Roli i kësaj pune është i dyfishtë: nga njëra anë «duke marrë përsipër funksionet sipërmarrëse mund të shohin karakterin shoqëror dhe domethënien e punës së tyre nga pikëvështrimi i kufizuar i fitimit» dhe nga ana tjetër «kapaciteti për të organizuar punën dhe bashkëpunimin në mënyrë efikase e ekonomike, si dhe ai për të menduar mbi aspektin shoqërisht të dobishëm të punës, është i nevojshëm për njerëzimin dhe gjithnjë do të jetë». Mirëpo këtë rol e kryejnë duke iu nënshtruar vazhdimisht kapitalit, domethënë me qëllimin që ta bëjnë ndërmarrjen më efikase e fitimprurëse, dhe është ky tension ai që e bën aq sfilitës edhe «punën kreative në ekip». Atyre që përfshihen u lihet pastaj përgjegjësia për suksesin e ndërmarrjes, pa llogaritur që puna ekipore nënkupton konkurrencën mes tyre dhe ekipeve të tjera. Janë punëtorë që paguhen për të kryer detyra të organizimit të procesit të prodhimit, të cilat tradicionalisht do të duhej të kryheshin nga kapitalistët, kështu që në një farë mënyre përjetojnë aspektin më të keq të të dyja funksioneve (të punëtorit e të drejtuesit): nga njëra anë kanë gjithë përgjegjësitë dhe gjithë shqetësimet e menaxherëve, nga ana tjetër mbeten punëtorë me pagë, pa asnjë siguri për të ardhmen, dhe kjo prodhon situatën më stresuese që mund të përfytyrohet.

Duhet të vëmë re se ndarjet klasore kanë marrë një dimension të ri, me panikun prej virusit korona. Edhe pse po qëndrojmë të izoluar në shtëpi, jemi të bombarduar me telefonata prej zyrës. Po kush mund të punojë vallë kështu? Vetëm ata që kanë punë të tipit intelektual apo menaxherial, si unë psh. të cilët mund të bashkëpunojnë me telekonferenca apo duke përdorur të tjera sisteme digjitale, në mënyrë që edhe në karantinë puna të mund të vazhdojë pak a shumë qetësisht, madje duke patur edhe më shumë kohë «për vete». Po ata që duhet të punojnë jashtë, në fabrika, në ara, në dyqane, në spitale, në transportin publik? Shumë gjëra duhet të ecin mirë atje jashtë që të mund të mbijetoj unë që rri në karantinë.

Dhe e fundit, edhe pse jo më pak e rëndësishmja, është se duhet t´i ikim tundimit për të kritikuar vetëdisiplinimin e fortë dhe përkushtimin ndaj punës, apo ftesave për «ta marrë me filozofi». Arbait macht frei është ende motoja e drejtë, pavarësisht përdorimit shumë të keq që i kanë bërë asaj nazistët. Sigurisht, puna e atyre që duhet të luftojnë efektet e epidemisë është shumë e rëndë, mirëpo është punë që të përmbush, sepse është në të mirë të komunitetit, shumë e ndryshme prej përpjekjes idiote që të jesh i suksesshëm. Kur një mjek apo një infermier lodhen sepse kanë punuar më shumë orë se ç´duhet, lodhja e tyre është shumë e ndryshme prej asaj të kujt është i obsesionuar prej karrierës së vet.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi