nga Eqbal Ahmad

Një ditë Bill Clinton-i dhe të tjerë udhëheqës të NATO-s edhe mund të shpallin, siç bënë pas marrëveshjes së Dejtonit më 1995, një tjetër “arritje” në Ballkan. Sigurisht, mediat do t’i bashkohen korit lavdërues. Në fakt, sulmet ajrore të NATO-s në Kosovë dhe pasojat e tyre nënvizojnë dështimin e mjerë të politikës amerikane dhe evropiane. Ngjarja i zbulon pretendimet e tyre për pushtet si të zbrazta nga vullneti për pushtet, dhe deklaratat e tyre për motivin moral si boshe.

Suksesi nënkupton arritjen e synimeve të përkufizuara. Synimet që shtyen NATO-n të fillonte sulmet ajrore qenë të dyfishta. Njëri synim ishte të detyronte Presidentin serb Sllobodan Millosheviç të pranonte Marrëveshjen e Rambujesë, e cila do t’ia kthente Kosovës autonominë e anuluar nga ai në vitin 1989. Synimi tjetër ishte që të shpëtoheshin civilët e Kosovës nga “spastrimi etnik” që po afronte, një eufemizëm i kohëve të fundit ky për gjenocidin. Çfarëdo që të “arrijë” ajo në të ardhmen, NATO-ja ka dështuar të arrijë synimet e deklaruara.

Brenda një jave të sulmeve ajrore, Millosheviçi e ktheu Rambujenë në një letër të vdekur dhe e përshkallëzoi fushatën e masakrimit dhe të dëbimit. Deri më 1 prill, gati 25 përqind e popullsisë së Kosovës ishte shpronësuar, shumë prej tyre duke u larguar këmbë në drejtim të dy vendeve të varfëra fqinje, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Fshatra e qytete të tëra ishin shkatërruar ose zbrazur nga banorët e tyre. Rreth 60,000 civilë fatkeq kaluan kufirin me Shqipërinë brenda një dite të vetme, më 29 mars; numrat e tyre kanë vazhduar të rriten që atëherë. Në kohën e shkrimit të këtyre rreshtave po “spastrohej” kryeqyteti, Prishtina. Meqë superfuqia dhe aleanca e saj e dashur ishin më në fund të zhytura në tragjedi, gjatë gjithë javës së shkuar gazetat dhe ekranet e televizionit qenë të mbushura me pamje të tmerrshme të kasaphanes.

Ndonëse me njëfarë hezitimi dinak, udhëheqësit euro-amerikanë e pranojnë se planit të Rambujesë i ka kaluar koha. Sa i përket sulmit mbi kosovarët, zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea thotë se “edhe ne jemi të shokuar nga përmasa e asaj që po ndodh në Kosovë…”, fjalë këto që zbulojnë shkallën e keqllogaritjes nga ana e udhëheqësve të NATO-s të vullnetit të Beogradit për t’i shpërfillur. Shtëpia e Bardhë e Clinton-it foli për “gjenocid” dhe “për veprimtari të neveritshme kriminale në shkallë të gjerë.” Pas një jave bombardimesh, NATO-ja kishte shtrirë shënjestrën e bombardimeve nga Kosova në Serbi. “Vullneti politik po ndërtohet”, u tha përmallueshëm gazetarëve Wesley K. Clark, komandanti suprem i NATO-s. Vërtet po ndërtohet? “Në ditën e shtatë të bombardimeve, qëndresa serbe i ka vënë në mendime udhëheqësit e NATO-s”, raportonte New York Times, “ata po përpiqen të kuptojnë se çfarë duhet bërë nëse bombardimi dështon.”

Dështimi ishte i parashikueshëm; ai zbulon dhe një herë tjetër se sa i cenueshëm nga mashtrimi, sulmi dhe gjenocidi është sistemi ndërkombëtar i ditëve tona. Në vijim nxjerrim pesë përfundime nga tragjedia e kosovarëve:

“Ndërhyrja humanitare” shpesh sinjalizon mospërfillje diplomatike dhe strukturë të dobët paqeruajtëse. Kosova ofron një shembull shkollor. Sllobodan Millosheviçi, sipas çdo përkufizimi një demagog fashist, e filloi ngjitjen e tij në pushtet me një fushatë të urrejtjes etnike në Kosovë. Ai e suspendoi autonominë e Kosovës në vitin 1989, duke mbjellur kështu farat e kasaphanes së tanishme.  

Për një dekadë të tërë, diplomatë, ekspertë dhe vëzhgues tregonin me gisht kah kjo fuçi ndërkombëtare baruti duke kërkuar përpjekje serioze për të parandaluar katastrofën që po priste të ndodhte. Por Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, të cilat të vetme kontrollojnë frenat e pushtetit botëror dhe mekanizmat veprues të Kombeve të Bashkuara, qenë shumë të zëna me promovimin e globalizmit, rrethimin e Rusisë, kontrollimin e burimeve botërore dhe zgjerimin e NATO-s, për t’i kushtuar vëmendjen e duhur krizës në Kosovë. Ndaj, ato erdhën pak si vonë për të shmangur më të keqën.

Bombat nuk mund të shpaguajnë mungesën e seriozitetit dhe të vendosmërisë. Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, “superfuqia e vetme” ka qenë e prirur të monopolizojë rolin e marshallit botëror.  E kuptueshme: është në natyrën e pushtetit të kërkojë mbizotërim dhe rol udhëheqës. Por kjo nënkupton kosto që SHBA-të dhe Aleanca që drejtohet prej tyre s’po tregojnë vullnet për t’i paguar. Përgjatë tre muajve që këta po mendoheshin për fillimin e sulmeve ajrore, shumica e analistëve kishin dëshmuar se, historikisht, pa ndihmën e forcave tokësore sulmet ajrore nuk kanë arritur të ndryshojnë thelbësisht sjelljen apo kapacitetet e armikut. Nëse NATO-ja nuk është e gatshme të dërgojë forca tokësore në Kosovë, ku 90 përqind e popullsisë mund të konsiderohet miqësore, atëherë Serbia mund të mos dorëzohet dhe me siguri se do të përshkallëzojë axhendën e saj çnjerëzore të spastrimit etnik.

Ndër të tjerë, Mary Kaldor, një eksperte britanike me ndikim, pati paralajmëruar se përveç nëse trupat tokësorë vendosen në Kosovë, bombardimet “do të çojnë në spastrim etnik në shkallë të gjerë.” Në vend të ndjekjes së kësaj këshille, më 23 mars Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) u tërhoq nga Kosova duke lënë njerëzit e saj, siç shkruante Kaldor-i në të përditshmen Guardian, “pa as më të voglën mbrojtje ndërkombëtare.” NATO-ja do ta bëjë policin pa rrezikuar lëndime, gjë që është, për ta perifrazuar Leninin, sikur të duash të bësh omletë pa thyer vezët.

Sa herë që shmanget një vendim i domosdoshëm, problemi zmadhohet. Një periudhë në kujtesën moderne kur sulmet ajrore mund të kishin dhënë rezultate në shkurajimin e agresionit mizor—dhe me këtë rast edhe të kishin parandaluar tërbimin e tanishëm të zotit Millosheviç—filloi në prill të vitit 1992 dhe zgjati për tre muaj e gjysmë vrastarë. Kamal Kurspahiç, atëherë botues i së përditshmes Oslobodenje, rikujtoi javën e kaluar se si artileria serbe në kodrat rreth e përqark qytetit shkatërroi Sarajevën pak e ngapak, duke vrarë 10,600 banorë, përfshirë dhe 1800 fëmijë. Venddodhjet e artilerisë serbe ishin shënjestra të dukshme, lehtë të neutralizueshme nga ajri. E megjithatë, vit pas viti Fuqitë e Mëdha rrinin mënjanë duke soditur. George Bush-i, atëherë president i SHBA-ve dhe komandanti që na dhuroi operacionin Desert Storm (Stuhia e Shkretëtirës), bënte sikur nuk kuptonte. Në fund të pothuaj çdo dite që kalonte, ai i afrohej këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare, Brent Scowcroft-it, për ta pyetur—“Më thuaj dhe një herë se për çka bëhej fjalë këtu.”                   

Paqësimi ushqen ambicien djallëzore. Bill Clinton-i erdhi në Shtëpinë e Bardhë me premtimin “ngre dhe sulmo”, domethënë se do të hiqte embargon e armëve mbi Bosnjën dhe se do të fillonte sulmet ajrore mbi kampet e artilerisë serbe. Por ai ngurroi, ndërkohë që muajt tragjikë bëheshin vite. NATO-ja ndërhyri më në fund, dhe SHBA-të pretenduan lëvdata të mëdha për orkestrimin e marrëveshjes së Dayton-it, që u arrit vetëm pas njëmijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditësh, një çerek milioni jetësh të humbura dhe vuajtjesh të panumërta, dhe vetëm pasi një strehë e sigurt e OKB-së u shtyp, helmetat e kaltërta u prangosën për prazmoret e tyre dhe mijëra njerëz u masakruan në Srebrenicë.       

Marrëveshja e Dayton-it përligji spastrimin etnik duke ndarë Bosnjën në kufij etnikë të paqëndrueshëm. Kjo “arritje” e dyshimtë kërkoi një paqësim të tepërt të Sllobodan Millosheviçit, i cili meritonte atëherë, ashtu siç meriton tani, që të gjykohej si një kriminel lufte. Ai mbeti një kriminel i përkëdhelur, i cili ashtu sikurse Nemesis,[2] është kthyer për t’iu fanitur mirëbërësve të vet.  

Dëshmia e mirëbesimit është thelbësore për ushtrimin e duhur të ndërhyrjes humanitare. Në një artikull të New York Times-it, Josef Joffe, një ekspert gjerman i marrëdhënieve ndërkombëtare që gëzon popullaritet ndër qarqet e politikës së jashtme amerikane, thoshte pa kurrëfarë shpjegimi se kjo ishte “një luftë e ndërgjegjes, jo e interesit. Sulmi mbi Jugosllavinë ka për qëllim të shpëtojë jetë, dhe atë për arsye të pastra morale.” Se pse i mori kaq gjatë për t’u zgjuar ndërgjegjes mburravece të Perëndimit, këtë ai nuk na e thotë. Në fund të fundit, Millosheviçi e pezulloi autonominë e Kosovës, të cilën NATO-ja tani përpiqet ta rikthejë, që në vitin 1989, pra para se të fillonte luftën e tij me Kroacinë, dhe para se të niste agresionin sistematik dhe krimet kundër njerëzimit në Bosnjë. Ky i Joffe-s është pikërisht ai lloj i gjykimit të pabazuar që të përditshmet si New York Times parapëlqejnë, kurse intelektualë të tillë të pabotueshëm sikurse Noam Chomsky i hedhin poshtë në publikime të panjohura si Z-Magazine.    

Në artikullin e tij më të fundit, Chomsky diskuton ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë me logjikën dhe empiricizmin e pafalshëm që është shenjë dalluese e tij. Ai vëren se ka një tension mes “dy shtyllave të rendit botëror”: Karta e Kombeve të Bashkuara ndalon dhunimin e sovranitetit shtetëror, ndërkohë që Deklarata Universale e Të Drejtave të Njeriut garanton të drejtat e individëve kundrejt shtypjes shtetërore. Koncepti i “ndërhyrjes humanitare” lind si rezultat i kësaj kundërthenieje. Studiuesit e ligjit kanë mendime të ndryshme sa i takon rrethanave që e bëjnë një ndërhyrje të tillë të lejueshme apo të domosdoshme. Një përfundim i zakonshëm dhe i arsyeshëm thotë se një përcaktim i këtillë varet nga “mirëbesimi” i atyre që ndërhyjnë. “Mirëbesimi” varet jo nga retorika e cilitdo, por nga historiku i përfilljes së ligjit ndërkombëtar. Sakaq vijon lista mbresëlënëse dhe plotësisht e saktë e Chomsky-t me shkeljet nga ana e SHBA-së të ligjit ndërkombëtar dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Siç e dëshmon bindshëm ai, evidenca e “mirëbesimit” mungon plotësisht në këtë rast.

Siç e pranon dhe Noam Chomsky, aktakuza e tij e lë pa përgjigje pyetjen “çfarë të bëhet në Kosovë?” Përjashta kornizës së Kombeve të Bashkuara, ligjshmëria e ndërhyrjes së NATO-s është e dyshimtë. Sulmet ajrore i kanë dhënë një pretekst nacionalistëve serbë për të rritur vuajtjen e jashtëzakonshme të kosovarëve. E megjithatë, ato i premtojnë popullit viktimë të paktën “ndopak mbrojtje nga një shtet grabitqar.” Si duhet, atëherë, të reagojë njeriu ndaj kësaj ngjarjeje? Dilema nuk mund të zgjidhet me pohime e mohime të thjeshta, për dhe kundër ndërhyrjes. Çka po dëshmojmë është një tjetër tragjedi, pjellë e një bote të pabaraspeshuar dhe të çrregullt, e një sistemi botëror aq të kurdisur në favor të të pasurve dhe të të fuqishmëve sa që as ligjet ndërkombëtare siç është Konventa mbi Gjenocidin nuk mund të zbatohen, përveçse kur zbatimi i tyre u shërben interesave të një fuqie a grupi fuqish vendimtare. Lypset një lëvizje anti-imperialiste mbarëbotërore, militante dhe vizionare për ta ndryshuar këtë gjendje çnjerëzore.                   

Përktheu nga origjinali në anglisht: Gent Carrabregu

*        *        *

Solidariteti i Eqbal Ahmad-it me popullin e Kosovës

nga Gent Carrabregu

Pakistanezo-amerikani Eqbal Ahmad (1933/34—1999) qe një politolog dhe aktivist i palodhur për drejtësi shoqërore gjithandej botës. Ai u lind në fshatin Irki të shtetit Bihar në Indinë britanike, në një familje myslimane. Babain ia vranë në praninë e tij kur ishte një fëmijë i vogël. Pas ndarjes më 1947 të Indisë britanike në dy shtete të pavarura, Indi dhe Pakistan, vëllai i tij i madh e tërheq Eqbal-in e ri me vete për në shtetin e ri të Pakistanit. Gjatë mesit të viteve ‘50-të ai shpërngulet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku fillimisht studion historinë amerikane në Occidental College të Kalifornisë. Më 1967 merr gradën doktor në shkenca politike nga Princeton University, me specializim në historinë dhe politikën e Lindjes së Mesme. Gjatë studimeve të doktoratës, Ahmad-i ndërmori disa udhëtime të gjata kërkimore në Tunizi dhe Algjeri. Në Algjeri u vu në mbështetje të luftës çlirimtare kundër sundimit francez. Gjatë karrierës së tij akademike në institucione si Cornell University, University of Illinois në Urbana-Champaign, University of Chicago dhe Hampshire College, Ahmad-i mbeti një aktivist i paepur, i përqendruar sidomos në mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve dhe në rezistencën qytetare kundër luftës në Vietnam. Për shkak të veprimtarisë anti-imperialiste të tij, shpesh u ballafaqua me kërcënime, largime nga puna dhe gjyqe të montuara. Me të drejtë konsiderohej një ushtar këmbësorie i ushtrive popullore gjithandej globit dhe një nga analistët më të mprehtë të politikës botërore pas Luftës së Dytë Botërore.

Kur me ndërhyrjen e NATO-s lufta në Kosovë po merrte kthesë vendimtare, Ahmad-i po luftonte me kancerin në Islamabad, ku ishte kthyer si pensionist për të themeluar një universitet të arteve dhe shkencave liberale që do të mbante emrin e dijetarit arab Ibn Khaldun. Që nga fillimi i luftërave që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë, ai kishte ndjekur me shqetësim situatën në rajonin tonë, duke shprehur solidaritet veçanërisht me popullin shqiptar dhe atë boshnjak. Në fillim të prillit të 1999-tës, kur po vazhdonin sulmet e NATO-s mbi Serbinë e Millosheviçit, dhe vetëm një muaj para se të vdiste, Ahmad-i shkroi artikullin e përkthyer më sipër. Artikulli u botua më 4 prill 1999 në gazetën angleze të Pakistanit, Dawn. Fatkeqësisht, ky artikull i tij nuk gjendet i botuar në vëllimet kryesore që grumbullojnë shkrimet pro et contra ndërhyrjes së NATO-s të intelektualëve të ndryshëm nga mbarë bota. Për më keq, ai nuk gjendet as në vëllimin me shkrime të përzgjedhura të Ahmad-it që u botua nga Columbia University Press pas vdekjes së tij; ky vëllim përmban vetëm shkrimin e tij të vitit 1994 mbi luftën në Bosnjë, të titulluar “A Welcome War in Bosnia” (Një Luftë e Mirëseardhur në Bosnjë).[3] Ndonëse Ahmad-i është pothuajse krejt i panjohur për lexuesin shqiptar, është interesante të vërehet se studiuesi dhe veprimtari ynë Ukshin Hoti e njihte mirë punën e tij. Në librin e tij të parë dhe shumë pak të njohur, Lufta e Ftohtë dhe Detanti, Hoti e citonte me miratim një shkrim të tij mbi doktrinën e politikës së jashtme amerikane gjatë Luftës së Ftohtë.[4] 

E sjell në shqip këtë shkrim i shtyrë prej disa arsyesh. Së pari, Ahmad-i qe ndër ata pak mendimtarë të së majtës nga e ashtuquajtura Botë e Tretë që shprehu solidaritet të pakushtëzuar me viktimat më të mëdha të luftërave jugosllave të fundshekullit të njëzetë, pra me boshnjakët dhe shqiptarët. Ai e kuptonte fatkeqësinë e këtyre dy popujve në kontekst të shovinizmit serbomadh, në njërën anë, dhe të botës së egër të marrëdhënieve ndërkombëtare të dominuar nga interesat e superfuqive botërore, sidomos atyre perëndimore, në anën tjetër. Si pak mendimtarë të së majtës, ky e kishte të qartë se të shprehje solidaritet me viktimat shqiptare dhe boshnjake dhe ta dënoje shovinizmin serbomadh si fajtorin kryesor për luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi, nuk nënkuptonte përqafim të “humanitarizmit ushtarak” të një aleance perëndimore moralisht të korruptuar. Përkundrazi, sipas tij çdo humanist dhe vështrues rigoroz i situatës do duhej t’i dënonte të dyja njëkohësisht. Së dyti, sërish si pak bashkëmendimtarë të tij, pa hequr dorë nga kritika e tij parimore ndaj imperializmit perëndimor, Ahmad-i ishte jodogmatik karshi pyetjes “çfarë duhej bërë në Kosovë?” Këtë pyetje ai e trajtonte si logjikisht të pavarur nga çështja e përgjegjësisë serbe dhe perëndimore për situatën në Bosnjë dhe Kosovë. Me të drejtë dyshonte në rezultatet e një ndërhyrjeje vetëm ajrore të NATO-s, duke qenë se i druhej pasojave që hakmarrja serbe do të prodhonte për popullsinë e pambrojtur shqiptare në terren. E megjithatë, ai e linte të hapur mundësinë që edhe një ndërhyrje e tillë gjysmake mund të ofronte njëfarë mbrojtjeje për popullin viktimë, sado e pamjaftueshme të ishte ajo. Kjo qasje jodogmatike, bashkë me insistimin e tij në përgjegjësinë e shtetit serb për situatën e krijuar, nxorrën në pah disa dallime jo të parëndësishme mes tij dhe dy vrojtuesve të tjerë shumë më të njohur të situatës në ish-Jugosllavi, përndryshe miq të ngushtë të tij, Edward Said dhe Noam Chomsky. Së fundi, por jo për nga rëndësia, në përputhje me pikëvështrimin e tij humanist, Ahmad-i vlerësonte se vetëm një lëvizje anti-imperialiste mbarëbotërore do të mund të ndryshonte realitetin në atë mënyrë që tragjedi si ajo e Bosnjës dhe Kosovës të bëheshin të papërsëritshme në të ardhmen. Siç argumentonte ai në shkrimin e tij, NATO-ja dhe ideologjia perëndimore e “ndërhyrjes humanitare” ishin pjesë e problemit, kurrsesi e zgjidhjes, të një bote të pabaraspeshuar e çnjerëzore ku gjenocidi mund të luftohet vetëm atëherë kur kjo t’u leverdisë një numri të vogël shtetesh të pasur e të fuqishëm. Fatkeqësisht, asgjë nuk duket të ketë ndryshuar që nga koha e këtij shkrimi. Krizat e shumta humanitare që kanë vazhduar të ndodhin që prej përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi i japin të drejtë diagnozës së Ahmad-it.    

Për çfarë do mund të na shërbente neve sot një qasje kritike e humaniste si kjo e Eqbal Ahmad-it ndaj ngjarjes që rëndom i referohemi si “ndërhyrja humanitare e NATO-s”? Shkurtimisht, do të thoja se ka dy lloj arsyesh, etike dhe pragmatike, se pse duhet ta lexojmë dhe marrim seriozisht analizën e Ahmad-it. Në njërën anë, arsyet etike kanë të bëjnë me besnikërinë që duhet të kultivojmë ndaj të vërtetës dhe me domosdoshmërinë për të kultivuar një të vetëkuptuar kolektiv që nuk tradhton humanizmin në thelb të luftës sonë për çlirim kombëtar. Në anën tjetër, arsyet pragmatike kanë të bëjnë me nevojën që të mos vazhdojmë me tëhuajsimin e shteteve as të pakët e as të parëndësishëm të Jugut Global që, duke qenë vetë viktima të “ndërhyrjeve humanitare” perëndimore, nuk pranojnë të njohin Republikën e Kosovës. Paçka se pa të drejtë, shtete të tillë e shohin vendin tonë si asgjë më shumë sesa një krijesë të imperializmit amerikan apo perëndimor të maskuar si “ndërhyrje humanitare.” Në përpjekjen e domosdoshme të diplomacisë sonë për të ndërtuar ura me elitat dhe popujt e këtyre vendeve, kujtoj se thirrja në analizën e Ahmad-it, figura e të cilit gëzon njëfarë autoriteti moral ndër ato vise, do të mund të na shërbente mirë. Ndonëse krejt e kuptueshme se si e pse “humanitarizmi i NATO-s” është shndërruar në të padiskutueshmen e të vetëkuptuarit tonë politik, për të gjitha arsyet e lartpërmendura mendoj se një qasje më skeptike ndaj këtij miti do të ishte fort e dobishme për ne, si nga pikëpamja njerëzore ashtu dhe ajo politike.


[1] Botuar për herë të parë më 4 prill 1999 në Dawn, një gazetë e njohur pakistaneze që boton në gjuhën angleze. Për më shumë në lidhje me jetën dhe angazhimet e autorit, si dhe rëndësinë e këtij artikulli, shih shënimin e përkthyesit poshtë tekstit të përkthyer.

[2] Në mitologjinë e lashtë greke, Nemesis ishte perëndesha e ndëshkimit apo hakmarrjes hyjnore (shënim i përkthyesit).

[3] Shih Eqbal Ahmad, “A Welcome War in Bosnia,” në The Selected Writings of Eqbal Ahmad, ed. Carollee Bengelsdorf, Margaret Cerullo dhe Yogesh Chandrani (New York: Columbia University Press. 2006), ff. 271-73.

[4] Shih Ukshin Hoti, Lufta e Ftohtë dhe Detanti (Prishtinë: Qendra Krahinore për Arsimin Marksist, 1976), f. 81.