(Pjesë e përzgjedhur nga libri «Revolution at Point Zero: Housework, Reproduction, and Feminist Struggle»)

Është e rëndësishme të kuptohet se kur flasim për punët e shtëpisë nuk flasim për një punë të zakonshme, por për manipulimin më të përhapur dhe dhunën më të mprehtë e më të mistifikuar që kapitalizmi ka ushtruar ndonjëherë ndaj ndonjërës pjesë të klasës punëtore. E vërtetë, në kapitalizëm çdo punëtor është i manipuluar e i shfrytëzuar dhe raporti i tij me kapitalin është tërësisht i mistifikuar. Pagat japin përshtypjen e një marrëveshje të drejtë: Ju punoni dhe paguheni për punën e kryer, rrjedhimisht ju dhe pronari merrni atë çfarë ju takon, kur në realitet paga në vend që të jetë pagesë për punën e kryer, fsheh gjithë punën e papaguar, që shkon në profit. Por paga së paku ju njeh si punëtor, dhe ju mund të bëni negociata dhe të luftoni mbi apo kundër kushteve e sasisë së pagës, kushteve e sasisë së punës. Të kesh një pagë do të thotë të jesh pjesë e një kontrate shoqërore, dhe nuk ka dyshime në lidhje me kuptimin e saj: ju punoni, jo pse ju pëlqen, ose pse ju vjen natyrshëm, por për shkak se është kushti i vetëm nën të cilin ju lejohet të jetoni. Sado i shfrytëzuar të jeni, ju prapë nuk jeni puna që bëni. Sot je postier, nesër taksist. Krejt çfarë ka rëndësi është se sa punë duhet të kryeni dhe sa para merrni prej saj. 

Dallimi me punët e shtëpisë qëndron jo vetëm në faktin se u janë imponuar grave, por që ato tashmë janë bërë atribut natyror i fizikës dhe personalitetit tonë femëror, një nevojë e brendshme, një aspiratë, që supozohet se vjen nga thellësia e karakterit tonë femëror. Punët e shtëpisë u shndërruan në një atribut natyror, në vend se të njiheshin si punë, sepse ishin të destinuara të ishin pa pagesë. Kapitali duhej të na bindte që është një veprimtari e natyrshme, e pashmangshme, madje edhe përmbushëse, për të na bërë të pranojmë të punojmë pa pagë. Nga ana tjetër, mospagesa për punët e shtëpisë ka qenë arma më e fuqishme në përforcimin e supozimit të zakonshëm që punët e shtëpisë nuk janë punë, duke parandaluar kështu gratë të rebelohen, përveçse në grindjen e privatizuar mes kuzhinës dhe dhomës së gjumit, me të cilën pranon të tallet e gjithë shoqëria, duke e zvogëluar edhe më tej protagonistin e betejës. Jemi shikuar si kurva të bezdisshme, jo si punëtore në luftë.

Megjithatë, se sa e natyrshme është të jesh shtëpiake tregohet nga fakti se duhen të paktën njëzet vite socializim, trajnim ditor i kryer nga një nënë e papaguar, për ta përgatitur një grua për këtë rol, për ta bindur atë se fëmijët dhe burri janë gjëja më e mirë që ajo mund të presë nga jeta. Edhe kështu, vështirë se ia del mbanë. Pavarësisht se sa të trajnuara jemi, janë të pakta gratë që nuk ndjehen të mashtruara kur mbaron dita e nusërisë dhe e gjejnë veten para një lavamani të ndyrë. Shumë prej nesh kanë akoma iluzionin se martohemi për dashuri. Shumë prej nesh e pranojnë që martohemi për para dhe siguri; por është koha ta sqarojmë se ndërsa dashuria ose paraja që përfshihet është shumë pak, puna që na pret është enorme. Kjo është arsyeja pse gratë e moshuara na thonë gjithmonë, “Gëzoni lirinë gjersa mundeni, blini çfarë të doni tani”. Por për fat të keq është pothuajse e pamundur të shijosh sado pak liri nëse qysh nga ditët më të hershme të jetës tuaj jeni të trajnuara të jeni të bindura, të nënshtruara, të varura dhe, më e rëndësishmja, të sakrifikoni veten dhe madje të ndjeni kënaqësi prej kësaj. Nëse kjo gjë nuk ju pëlqen, është problemi, dështimi, faji dhe anormaliteti juaj. 

Duhet ta pranojmë se kapitali ka qenë shumë i suksesshëm në fshehjen e punës sonë. Ka krijuar një kryevepër të vërtetë në kurriz të grave. Duke mos lejuar pagë për punë të shtëpisë dhe duke e shndërruar atë në një akt dashurie, kapitali ka vrarë shumë zogj me një gur.  

Para së gjithash, ai ka siguruar një ferr me punë pothuajse falas dhe është siguruar që gratë, larg prej të qenit në luftë kundër saj, ta kërkonin vetë atë punë si gjënë më të mirë në jetë (fjalët magjike: “Po, e dashur, ju jeni një grua e vërtetë “). Në të njëjtën kohë, ai ka disiplinuar edhe punëtorin mashkull, duke e bërë gruan “e tij” të varur nga puna dhe paga e tij, dhe e kanë futur në këtë kurth duke i dhënë një shërbëtore, meqenëse ai vetë ka bërë aq shumë punë në fabrikë ose zyrë.

Në fakt, roli ynë si gra është të jemi shërbëtore të paguara, por të lumtura dhe mbi të gjitha të dashuruara, të “klasës punëtore”, d.m.th, të atyre shtresave të proletariatit, të cilave kapitali u detyrua t’u jepte më shumë fuqi shoqërore. Në të njëjtën mënyrë si perëndia e krijoi Evën për t’i dhënë kënaqësi Adamit, kështu kapitali e krijoi amvisërinë për t’i shërbyer punëtorit mashkull fizikisht, emocionalisht dhe seksualisht, për të rritur fëmijët e tij, për të rregulluar çorapët, për ta shëruar egon e tij kur është i lënduar nga puna dhe marrëdhëniet shoqërore (që janë marrëdhënie të vetmisë) të cilat ia ka rezervuar kapitali. Është pikërisht ky kombinim i veçantë i shërbimeve fizike, emocionale dhe seksuale që përfshihen në rolin që gratë duhet të kryejnë për kapitalin, e që krijojnë karakterin specifik të amvisës si shërbëtore, që ia bën punën asaj aq rraskapitëse dhe në të njëjtën kohë aq të padukshme. 

Nuk është rastësi që shumica e burrave fillojnë të mendojnë të martohen, sapo të punësohen për herë të parë. Kjo jo vetëm sepse ata tashmë mund ta përballojnë martesën, por edhe sepse të kesh dikë në shtëpi i cili kujdeset për ty është kushti i vetëm për të mos u çmendur pas një dite të kaluar në një linjë montimi ose në një tavolinë. Çdo grua e di që për të qenë një grua e vërtetë, duhet të ketë një martesë të “suksesshme”. Dhe në këtë rast po ashtu, sa më e varfër familja, aq më i lartë skllavërimi i gruas, dhe kjo jo thjesht për shkak të situatës monetare. Në fakt kapitali ka një politikë të dyfishtë, një për klasën e mesme dhe një për familjen e klasës punëtore. Nuk është rastësi që ne gjejmë maçoizmin më të pasofistikuar te familja e klasës punëtore: sa më shumë goditje që burri merr në punë aq më shumë gruaja e tij duhet të aftësohet për t’i përthithur ato, aq më shumë atij i lejohet ta shërojë egon e tij në kurriz të saj. Ti e rreh gruan dhe hedh mbi të frustrimin ose dërrmimin prej punës, ose humbjen e betejës (edhe pse të punosh në një fabrikë është tashmë humbje). Sa më shumë që një burrë shërben dhe shtypet nga shefi i tij, aq më shef dëshiron ai të jetë e të tjerët t’i shërbejnë. Shtëpia e një burri është kështjella e tij dhe gruaja e tij duhet të mësojë: të presë në heshtje kur është në humor të keq, ta mëkëmbë kur është i thyer dhe shan gjithë botën, të kthehet në krahun tjeter në shtrat kur ai i thotë: “ Jam shumë i lodhur sonte”, ose kur e kryen aq shpejt duke bërë dashuri, sa, siç e tha një grua, ka mundur ta kryejë edhe në një kavanoz të majonezës. Gratë kanë gjetur gjithmonë mënyra për të luftuar, ose për t’ua kthyer përgjigjen burrave, por gjithmonë në një mënyrë të izoluar dhe të privatizuar. Problemi, pra, është se si ta nxjerrim këtë luftë nga kuzhina e dhoma e gjumit në rrugë. Ky mashtrim që përvidhet nën emrin e dashurisë dhe martesës, na prek të gjithave, edhe nëse nuk jemi të martuara, sepse nëse punët e shtëpisë natyralizohen dhe seksualizohen plotësisht, pasi është bërë një atribut femëror, dhe të gjitha ne si gra karakterizohemi me to.

Nëse është e natyrshme të bëni gjëra të caktuara, atëherë të gjitha gratë pritet t’i bëjnë ato, bile edhe që kjo t´u pëlqejë – madje edhe ato gra që, për shkak të pozitës së tyre shoqërore, mund t’iu shpëtojnë disa prej atyre punëve ose shumicës së tyre, sepse burrat e tyre mund të përballojnë shërbyese, apo psikologë, apo forma forma të tjera të relaksimit dhe dëfrimit.

Ne mund të mos i shërbejmë një burri, por të gjithë jemi në një marrëdhënie shërbimi në raport me të gjithë botën mashkullore. Kjo është arsyeja pse të quhesh femër është një poshtërim i tillë, diçka degraduese. “Buzëqesh, e dashur, çfarë nuk shkon me ju?” është diçka që çdo burrë ndihet i autorizuar t´jua thotë, qoftë ai burri juaj, apo një njeri që po ju kontrollon biletën në një tren, apo shefi juaj në punë.

Përktheu nga anglishtja Rinë Zhitia