Intervistë me Tithi Bhattacharya

Përktheu: Liridona Kelani

Pandemia e koronavirusit ka treguar me një qartësi brutale, për shumë prej nesh, se sa shpejt mund të ndryshojë shoqëria, dhe ç´janë ato pa të cilat ne mundemi apo nuk mundemi të jetojmë. Del se pjesë të mëdha të ekonomisë kapitaliste thelbësisht mund të vihen në ngrirje gjatë kohëve të krizës, teksa burimet ridrejtohen drejt shëndetësisë. Shumë gjëra për të cilat më parë na thuhej se janë të pamundura – prej lirimit të të burgosurve, e deri te pezullimi i pagesës së qirave e kredive, e deri te thjesht shpërndarja e parave në dorë në formë të një pagese për secilin që gjendet brenda një shteti të caktuar – po bëhen.

Tithi Bhattacharya prej një kohe tashmë po mendon se si do të dukej një shoqëri e orientuar kah jetët e njerëzve më shumë se sa kah nevojat e Tregut të Plotfuqishëm. Ajo është profesoreshë e historisë dhe drejtoreshë e studimeve globale në Universitetin e Purdue, autore e Feminism for the 99 Percent: A Manifesto (të cilin mund ta gjeni pa pagesë si libër elektronik në Verso Books), pjesë e bordit editorial të gazetës së re Spectre, dhe redaktore e një libri të ri të quajtur Social Reproduction Theory: Remapping Class, Recentering Oppresion (Teoria e Riprodhimit Shoqëror: Hartografia e re e klasave, Rigjetja e qendrës së shtypjes). Folëm me të se çka mund të mësojmë nga teoria e riprodhimit për aktualitetin, kërkesat që duhet të bëjë e majta pikërisht tani, dhe si mund t´i vëmë në punë këto mësime për të parandaluar katastrofën klimatike.

Sarah Jaffe: Sa për fillim, na shpjego shkurt se çka është teoria e riprodhimit shoqëror.

Tithi Bhattacharya: Mënyra më e mirë për ta përkufizuar riprodhimin shoqëror janë aktivitetet dhe institucionet që nevojiten për të bërë jetën, për ta mirëmbajtur jetën dhe për ta zëvendësuar jetën nëpër gjenerata. Unë i quaj këto aktivitete “jetë-bërëse”.

Jetë-bërja në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës është të lindësh dikë. Por për ta mirëmbajtur atë jetë, kërkohen një mori aktivitetesh të tjera, siç janë pastrimi, ushqimi, gatimi, larja e rrobave. Ka edhe kërkesa fizike institucionale: një shtëpi për të banuar; transporti publik për të shkuar në vende të ndryshme; objektet rekreative publike, si parqet, programet e pas shkollës. Shkollat dhe spitalet janë disa nga institucionet themelore që janë te nevojshme për mirëmbajtjen e jetës dhe të jetë-formimit.

Këto aktivitete dhe institucione që janë të përfshira në procesin e jetë-bërjes ne i quajmë punë e riprodhimit shoqëror dhe institucione të riprodhimit shoqëror. Por, riprodhimi shoqëror është poashtu një kornizë. Është një thjerrëz përmes së cilës shohim botën përreth dhe përpiqemi ta kuptojmë atë. Kjo na lejon të gjejmë burimin e pasurisë në shoqërinë tonë, që është edhe jeta njerëzore edhe puna njerëzore.

Korniza kapitaliste ose thjerrëza kapitaliste janë e kundërta e jetë-bërjes: ato janë send-bërje ose fitim-bërje. Kapitalizmi pyet, “Edhe sa gjësende të tjera mund të prodhojmë?” për shkak se gjësendet sjellin përfitim. Nuk merret në konsideratë ndikimi i ketyre gjësendeve te njerëzit, por vetëm synohet krijimi i një perandorie sendesh ku kapitalizmi është nekromanti që mbretëron mbi gjithçka.

Shumica e këtyre aktiviteteve dhe shumica e punëve në sektorin e riprodhimit social – siç janë infermieria, mësimdhënia, pastrimi – dominohen nga punëtore gra. Dhe meqë kapitalizmi është sistem sende-bërës, e jo jetë-bërës, këto aktivitete dhe këta punëtorë janë tejet të nënvlerësuar. Punëtorët e riprodhimit social janë punëtorët që paguhen më së paku, të parët që largohen nga puna, përballen vazhdimisht me ngacmime seksuale dhe shpeshherë edhe me dhunë direkte.

Jaffe: Jetojmë në kohëra si kjo, kur kemi lugatë si Glenn Beck-u që thonë se do të ishin të lumtur të vdisnin vetëm që kapitalizmi të vazhdonte të funksiononte, gjë që e bën kaq të qartë atë që ju thatë.

Bhattacharya: Kriza e koronavirusit ka qenë jashtëzakonisht qartësuese në dy aspekte. Së pari e ka bërë të qartë atë që feministet e riprodhimit shoqëror kanë qenë duke thënë tash e sa kohë, që puna e përkujdesjes dhe jetë-bërjes përbëjnë punën esenciale të shoqërisë. Tani kur të gjithë jemi të izoluar, askush nuk po thotë “Na duhen agjentë bursash dhe bankierë investimesh! Le t’i mbajmë këto shërbime të hapura!”. Të gjithë po thonë, “Le t’i mbajmë në punë infermieret, shërbimet e pastrimit së mbeturinave, dhe prodhimin e ushqimit.” Ushqim, karburant, strehim, pastrim: këto janë “shërbimet thelbësore.”

Kriza gjithashtu ka shpërfaqur në mënyrë tragjike se kapitalizmi është plotësisht i paaftë për tu përballur me një pandemi. Ai është i orientuar drejt maksimizimit të fitimit në vend të mirëmbajtjes së jetës. [Kapitalistët argumentojnë] se viktimat më të mëdha në gjithë këtë nuk janë jetët e panumërta që po humbasin, por ekonomia e përgjakur. Ekonomia, duket se qenka fëmija i vogël i brishtë që gjithkush, prej Trump-it e deri te Boris Johnson, janë të gatshëm ta mbrojnë me vizllime shpatash.

Ndërkohë, sektori i shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara është shkatërruar nga privatizimi dhe nga masat austeritare. Njerëzit po thonë që infermierët duhet t´i prodhojnë maskat e tyre vetë, në shtëpi. Gjithmonë kam thënë se kapitalizmi privatizon jetën dhe jetë-bërjen, por mendoj se pas pandemisë na duhet ta riformulojmë këtë: “Kapitalizmi e bën private jetën, por gjithashtu e bën publike (shoqërore) vdekjen.”

Jaffe: Do doja të flisnim më shumë për mënyrën sesi nënvlerësohet puna e përkujdesjes dhe format e tjera të punës së riprodhimit shoqëror. Guvernatori i Pensilvanisë kishtë një listë të mirëfilltë të bizneseve që janë thelbësore për mirëmbajtjen e jetës, të cilat lejoheshin të qëndronin të hapura edhe gjatë mbylljes së plotë prej pandemisë. Punonjësit e higjienës publike e lëshuan punën sepse nuk kanë pajisje mbrojtëse. Tendenca jonë për ta zhvlerësuar këtë lloj pune ndikohet e poashtu ndikon atë që mendojmë për njerëzit që bëjnë punë të tilla.

Bhattacharya: Infermieritë dhe industria e përkujdesjes aktualisht i ofrojnë shërbime rreth 4 milionë njerëzve në Shtetet e Bashkuara. Shumica e tyre janë në programin Medicare. Kohët e fundit New York Times raportoi se 380,000 pacientë vdesin nga infeksionet çdo vit në institucionet e kujdesit afatgjatë, të cilat shpesh nuk janë të gatshme të investojnë për procedurat e duhura sanitare dhe shëndetësore. Këto institucione luajnë një rol të rëndësishëm në përshkallëzimin e epidemive. Le t’ia bashkangjisim kësaj faktin se në Shtetet e Bashkuara, 27 milionë njerëz nuk kanë asnjë sigurim shëndetësor.

Gati 90 % e punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe ndihmës-infermiereve në Shtetet e Bashkuara janë gra. Më shumë se 50 përqind e tyre jane gra me ngjyrë. Nuk e di me siguri – askush nuk e di – se sa prej tyre janë imigrantë pa letra. Ato janë dyfish më të rrezikuara, si nga humbja e punës ashtu edhe nga bastisjet e ICE (Immigration and Customs Enforcement / Kontrolli Kufitar dhe Doganor). Mesatarisht, ato fitojnë rreth 10 dollarë në orë dhe në shumicën e rasteve nuk u paguhet pushimi mjekësor apo sigurimi shëndetësor. Këto janë gratë, puna e të cilave po mban kaq shumë nga institucionet e përkujdesjes në vendin tonë.

Kam marrë disa nga kategoritë e vendeve të punës që janë në listën e shërbimeve themelore të publikuara nga shtetet e Indianës dhe Pensilvanisë, dhe i kam krahasuar pagat e atyre punonjësve të shërbimeve thelbësore me pagat e menaxherëve. Dallimi është astronomik. Punëtorët në këto shërbime për të cilat po thuhet tash se janë thelbësore – e që, si feministe dhe si socialiste, ne gjithnjë e kemi ditur se janë thelbësore – paguhen më pak se 10 dollarë në orë, ndërsa bankierët rrinë ulur në shtëpi.

Gjatë krizës, ne duhet të bëjmë kërkesa siç janë vendosja e menjëhershme e asaj që unë po e quaj “pagë e pandemisë” për punëtorët e kujdesit thelbësor. Ata po vënë në rrezik jetën e tyre. Ata kanë nevojë për paga shumë më të larta. Duhet investuar në spitale dhe shërbime mjekësore menjëherë, duhen bërë përpjekje që të shtetëzohet kujdesi shëndetësor privat, siç ka bërë Spanja. Duhet siguruar përkujdesje për fëmijët dhe ndihmë e menjëhershme financiare për të gjithë, veçanërisht për punëtorët që edhe gjatë kësaj kohe duhet të shkojnë në punë. Jo bastisje të imigrantëve, apo dëbime. Kjo është diçka që i ndalon njerëzit të përdorin ndihmën mjekësore – ata kanë frikë të shkojnë te një mjek, druhen se mund të kapen nga ICE. Irlanda dhe Portugalia kanë krijuar ligje që zgjasin të gjitha afatet e vizave dhe e kanë rrëzuar statusin e imigrantit pa letra. Këto janë modelet që duhet të ndjekim.

Jaffe: Një nga shpërthimet e mëdha të përhapjes së virusit në Uashington ndodhi se infermieret nëpër shtëpitë e përkujdesjes ishin të punësuara në disa vende, e për rrjedhojë, sollën virusin nëpër shtëpi të ndryshme kujdesi. Pagesa e pamjaftueshme në një punë të vetme po shkakton përhapjen e virusit.

Bhattacharya: Virusi, në një farë mënyre, është demokratik. Ka prekur madje edhe Princin Charles. Sidoqoftë, kjo nuk duhet të na mashtrojë e të na bëjë të besojmë se qasja në kurim do të jetë po aq demokratike sa virusi. Si të gjitha sëmundjet tjera në kapitalizëm, varfëria dhe qasja në përkujdesje do të përcaktojnë se kush jeton dhe kush vdes.

Do të ketë një efekt shkatërrues në vendin tim, Indinë. Kryeministri fashist Narendra Modi sapo ka urdhëruar një bllokim njëzet e një ditor. Biznesi është mbyllur në të gjitha qytetet. Çka ndodh me punëtorët migrantë? A ka Modi plan për ta? Jo. Miliona punëtorë migrantë po ecin përgjatë gjithë vendit për t’u rikthyer në fshatrat e tyre të lindjes, rreshta njerëzish që praktikisht po udhëtojnë në këmbë, nga perëndimi në lindje. Modi ka mbyllur të gjitha format e transportit publik dhe privat në mënyrë që t’i ndalojë ata të shkojnë në shtëpi, sepse ata mund të mbartin me vete infeksionin. Sidoqoftë, Modi u sigurua që indianët që jetojnë jashtë Indisë – indianët e klasës së mesme të sipërme – të kthehen në shtëpi. Kishte fluturime speciale, u bënë përjashtime për të lejuar uljet e aeroplanëve, pavarësisht mbylljeve të paralajmëruara dhe u lëshuan viza speciale.

Kjo është mënyra se si një numër i qeverive kapitaliste nga Jugu Global do të merren me të varfërit e tyre. Do të shohim sesi virusi do të përndjekë lagjet e Kalkutës, Mumbait, Johanesburgut, e të tjera. Tashmë po dëgjohen deklarata nga sundimtarët se si virusi qenka një mënyrë që planeti të shërohet, të shpëtojë nga të padëshiruarit. Kjo është thirrje eugjenike për spastrim shoqëror të më të prekurve dhe më të dobëtve.

Jaffe: Çka po kuptojmë është se ndotja e mjedisit nuk po ulet për shkak të uljes së popullsisë, sepse shumica e njerëzve nuk po vdesin. Por po mësojmë se bota qenka shumë më e shëndetshme nëse punohet me pak, sepse njerëzit po bëjnë – siç po thoshit – vetëm punë jetë-bërëse.

Bhattacharya: Ky argumenti që koronavirusi është një buton për reset-in e tokës, është argument eko-fashist. Do të duhet të ishte një reset për organizmin shoqëror. Nëse virusi kalon dhe ne kthehemi në jetën e mëparshme, atëherë s´do të kemi mësuar asgjë nga kjo.

Për shkak se u bë e nevojshme të qëndrojmë në shtëpi, na u mundësua të gjejmë bukurinë dhe kohën për t´iu gëzuar atyre me të cilët ndajmë të njëjtin kulm. Por nuk duhet të harrojmë se shtëpitë nën kapitalizëm, ndërkohë që na ofron siguri, janë edhe teatër i një dhune të jashtëzakonshme. Dy ditë më parë mora një email nga një strehimore e viktimave të dhunës në familje, ku dikur jam angazhuar si vullnetare. Ata më pyesnin se mos doja angazhohesha sërish atje, sepse parashikonin një shtim të madh të rasteve.

Miqtë e mi feministë në Brazil, Sri Lankë dhe Indi, të gjithë po raportojnë të njëjtën gjë: ka një rritje të rasteve të abuzimit shtëpiak, për shkak të rritjes së tensionit meqë të gjithë po qëndrojnë në shtëpi. Nuk kemi nevojë për izolim shoqëror. Kemi nevojë për izolim fizik dhe solidaritet shoqëror. Ne nuk mund të jemi moskokëçarës për fqinjin e moshuar që jeton matanë rrugës; mund të mos jetë e sigurtë për ta të shkojnë në dyqane ushqimore. Nuk mund të jemi moskokëçarës për kolegen që vjen në punë me më shumë grim rreth syve dhe na thotë se është përplasur me derën. Duhet të kujdesemi për ta vazhdimisht.

Njerëzit po i bëjnë këto vullnetarisht, edhe pse pushtetarët tanë po bëjnë absolutisht shumë pak për t’i nxitur. Mësuesit po vozisin pranë shtëpive të studentëve e i përshëndesin me dorë duke u thënë: “Do të bëhet mirë!” Rrethi im shkollor, si shumë të tjerë gjetiu, po siguron ushqim për çdokënd nën moshën tetëmbëdhjetë vjecare. Në shtetin ku jam unë, ushqimi po dërgohet nëpër shtëpitë e tyre. Kjo nuk është diçka që e ka bërë qeveria federale apo ndonjë politikan. Këtë kanë vendosur ta bëjnë vetë mësuesit dhe rajonet përreth shkollave. Ka akte të shkëlqyera solidariteti, dashurie e kujdesi qe po lulëzojnë në këtë krizë të jashtëzakonshme. Këto janë burimet tona për shpresë.

Jaffe: Po shtroj pyetjen tani për punët e shtëpisë, sepse kemi një situatë ku shumë nga punët “thelbësore” që janë duke u bërë, po bëhen nga gratë. Dhe puna e përkujdesjes shtëpiake, për të cilën zakonisht u bie barra këtyre grave, tash po bëhet nga burrat e tyre, që befasisht po bëhen më pak “thelbësorë”. Ç´perspektivë sjell kjo mbi mënyrën se si disa njerëz e kuptojnë punën e riprodhimit shoqëror?

Bhattacharya: Joan C. Williams ka bërë një studim interesant që tregon se burrat e klasës punëtore tregojnë më shumë kujdes ndaj fëmijëve sesa burrat e klasës së mesme. Burrat e klasës së mesme mburren shumë (me punën shtëpiake që bëjnë), ndërsa burrat e klasës punëtore heshtin e nuk u pëlqen ta pranojnë këtë gjë, sepse është punë e grave.

Pyes veten se a do të zbehet kjo tabu. Në Shtetet e Bashkuara, gratë bëjnë mesatarisht nëntë orë më shumë punë në shtëpi sesa burrat, në bazë javore. Ky nëntë orësh mund të ndryshojë, por pyes veten a do ndryshojë edhe qëndrimi për këtë. A do të fillojnë burrat të ndihen krenarë që po punojnë për ta ruajtur familjen prej rrënimit, gjatë kohës që partneret e tyre po punojnë për ta shpëtuar botën prej rrënimit?

Jaffe: Njëra nga arsyet pse burrat nuk e pranojnë këtë – siç thatë edhe ju – është se kjo është punë e grave. Shumica e punës është po ashtu e ndarë në baza racore. Shumë prej atyre që po bëjnë punën e përkujdesjes sot janë gra imigrante, gra me ngjyrë.

Bhattacharya: Është e ndarë në bazë racore në Shtetet e Bashkuara. Në pjesë të tjera të botës, për shembull në Indi, këtë punë e bëjnë gratë migrante, më të varfrat, e shpesh nga kasta më e ulët. Këtë lloj pune e bëjnë më të brishtët e çdo shoqërie. Pagat dhe përfitimet e tyre e reflektojnë këtë.

Sipas nocioneve të riprodhimit shoqëror, shumë nga detyrat që duhen kryer brenda një dite të caktuar, kryhen nga gratë me ngjyrë. Ne nuk do të ishim në gjendje të ushqehemi, të ecim rrugëve, të kemi përkujdesje për fëmijët dhe të moshuarit tanë, të kemi pastërti në shtëpitë dhe hotelet tona, pa gratë migrante dhe ato me ngjyrë që bëjnë këtë lloj pune. Kjo punë që botë-bërëse mbetet tërësisht e papranuar prej kapitalizmit.

Jaffe: Po dëgjojmë shpesh se kriza e tashme ngjan si luftë. Por ekonomisti James Meadway po i referohet asaj si e kundërta e ekonomisë së luftës, sepse ajo çka duhet bërë është e kundërta e luftës. Na duhet të zvogëlojmë prodhimin. Shpresoj se kjo mund të na bëjë të kuptojmë se puna që na nevojitet, e që do të duhet të vazhdojë edhe në një botë rrënjësisht të ndryshme, është ajo punë që ne sistematikisht e kemi nënvlerësuar ndër shekuj, e jo ajo e “Trupave” që jemi mësuar t´i fetishizojmë.

Bhattacharya: Pajtohem me James se prodhimi do duhet të zvogëlohet. Sidoqoftë, jo të gjitha llojet e prodhimit. Duhet të rrisim prodhimin e furnizimeve mjekësore, ushqimit dhe burimeve tjera jetë-bërëse. Në Shtetet e Bashkuara – vendi më i pasur në botë – kam mike infermiere që detyrohen të shkojnë në punë pa pajisjet e nevojshme.

Por merrni, për shembull, blerjet përmes internetit. Është bukur të jesh në gjendje të porosisësh disa rroba ose këpucë. Por duhet të kujtojmë se, edhe nëse një palë këpucë janë prodhuar tashmë, kur i porosisni, ato duhet të kalojnë nëpër shumë vende pune derisa të mbërrijnë në derën tuaj. Mendoni për shoferët e kamionëve që e bëjnë këtë. Mendoni për njerëzit që punojnë në pikat e pushimit të shoferëve. Mendoni për njerëzit që i pastrojnë ato pika pushimi. Nëse ju duhet të porosini barna esenciale në internet, në rregull, vazhdoni. Mirëpo ato këpucët e lezetshme edhe mund të presin.

Zakonisht ne nuk mendojmë për punën e padukshme që fshihet pas atyre këpucëve. Ne nuk mendojmë për qeniet njerëzore përgjatë zinxhirit të prodhimit dhe furnizimit, të cilët sigurohen që ato këpucë të mbërrijnë deri në derën tonë. Por në këto kohë pandemie, ne duhet të mendojmë për këta njerëz dhe të përpiqemi të përcaktojmë se a ia vlen t´i ekspozojmë ata me rrezikun, duke I detyruar që të shkojnë në punë e të kryejnë një shërbim të tillë për ne? A është ky një rrezik që ne duam t’ua imponojmë atyre? Kjo ka të bëjë me fokusimin te puna e njerëzve më shumë se sa te prodhimi i punës së tyre.

Gjëja e dytë në lidhje me atë shprehjen “të mbështesim Trupat tona”: unë mendoj se duhet të ripërkufizojmë tërësisht se cilat janë trupat. Punëtorët tanë të shëndetësisë, punëtorët që prodhojnë ushqimin, pastruesit, punëtorët e pastrimit të mbeturinave: këto janë trupat tona! Këta janë njerëzit që duhet të mbështesim. Ne nuk duhet të mendojmë për trupat si njerëz që ia marrin jetën të tjerëve. Ne duhet të mendojmë për trupat si njerëz që japin dhe mirëmbajnë jetën.

Jaffe: Me dekada të tëra jemi përballur me kundërshtim kur kemi kërkuar që të ndryshohet kapitalizmi që të mund të luftohen ndryshimet klimatike, dhe tani po shohim se sa shpejt mund të ndryshojnë gjërat, kur distileritë që prodhojnë pije alkoolike, madje edhe fabrikat e Ford-it po planifikojnë të kalojnë te prodhimi i dezinfektantëve të duarve, apo respiratorëve. Ç´mësim na jep kjo për luftën që do të zhvillohet në të ardhmen kundër katastrofës klimatike?

Bhattacharya: Lufta jonë për infrastrukturë është e nevojshme por e pamjaftueshme. Ne duhet të luftojmë për një ndryshim të qëndrimit ndaj organizimit shoqëror. Kjo është më e vështirë sesa të luftosh thjesht për fitore social-demokratike. Tashmë e dimë se rritja e temperaturës globale do të vërë në krizë aftësinë e njerëzimit për të prodhuar ushqim në nivel global.

Nëse nuk kontrollohet, temperaturat do të rriten aq shumë sa që në vende si Azia e Jugut dhe Afrika, bujqësia nën qiell të hapur do të bëhet e pamundur gjatë pjesës më të madhe të vitit dhe bagëtitë do të ngordhin. Sot në Delhi, ku jeton familja ime, shkollat duhet të rrinë të mbyllura për periudha të mëdha gjatë një viti, verës për shkak se është shumë nxehtë, ndërsa në dimër për shkak të smogut.

Rreziku që i kanoset prodhimit të ushqimit po çon në një spirale që mund të rrisë seksizmin dhe dhunën ndaj grave nëpër gjithë globin, sepse janë gratë, apo personat e identifikuar si gra, ato që mbahen si “përgjegjëse” për ta sjellë ushqimin në tavolinë dhe shpeshherë edhe për ta prodhuar vetë atë. Përveç kësaj, tashmë ka edhe një krizë të ujit të pijshëm nëpër gjithë globin, që do të vazhdojë te përkeqësohet.

Me fjalë të tjera, nëse nuk merremi me ndryshimin e klimës me po atë lloj urgjence me të cilën po merremi sot me koronavirusin, atëherë kjo pandemi do të na duket si një festë në krahasim me atë që po vjen. Apokalipsi i klimës nuk do të jetë i përkohshëm dhe shumëkush nuk do të ketë mundësi për strehim të sigurt.

Tani po shohim se ç´masa të jashtëzakonshme shtetet kapitaliste mund të ndërmarrin për t’u ballafaquar me një krizë. Qeveria britanike ka marrë përsipër 80 përqind të pagave për shumë punëtorë. Qeveria amerikane po planifikon t´u dërgojë çeqe familjeve. Por nëse këto lloj masash e kjo vëmendje që po i jepet gjërave më thelbësore do të largohen sapo të kalojë kjo krizë, atëherë do të vijë apokalipsi klimatik dhe nuk do të ketë rrugëdalje.

Pas krizës COVID-19, kapitalizmi do përpiqet të kthehet në të bërit biznes si zakonisht. Lëndë djegëse fosile do vazhdojnë të përdoren. Detyra jonë është të mos e lejojmë sistemin të harrojë.