(Ky shkrim u botua në 21 mars 2020)

Shtëpia «all´italiana» nuk është streha e pajisur me furnizime, që mbron banorët prej ashpërsisë së klimës, siç ndodh me banesat përtej alpeve, ku jeta përpiqet të mbrohet prej natyrës së pamëshirshme për shumë muaj të vitit: shtëpia «all´italiana» është si një vend i zgjedhur prej nesh për të shijuar në jetën tonë, me zotërim krenar, bukuritë që tokat tona e qiejt tanë na dhurojnë në stinë të gjata. Në shtëpinë italiane nuk ka dallim të madh mes jashtë dhe brenda. (…)

Projektimi i saj nuk rrjedh thjesht prej nevojave materiale të të jetuarit, ajo nuk është thjesht një «machine à habiter». I ashtuquajturi «komfort» në shtëpinë «all´italiana» nuk është thjesht te gjërat që i japin përgjigje domosdoshmërive, nevojave, rehatisë së jetës sonë dhe organizimit të shërbimeve. Ky «komfort» është diçka më e lartë, është ai që na jep me arkitekturën një masë për vetë mendimet tona, na jep me thjeshtësinë e tij një shëndet për zakonet tona, na jep me gjerësinë e saj pritëse ndjesinë për një jetë plot vetëbesim e me shumë njerëz, dhe si përfundim, për hapjen e vet të zbukuruar, të lehtë e krenare me jashtësinë, komunikimin me natyrën, në grishjen që shtëpia «all´italiana» ia bën frymës sonë që kërkon pamje qetësuese e të paqta, të cilat konsistojnë në kuptimin e vërtetë të fjalës së bukur italiane «Conforto».

Gio Ponti – «La casa all´italiana», 1928

 Virologët, autoritetet, rrjetet sociale, hashtagjet, slloganet, të gjithë bien dakord mbi diçka primare dhe të thjeshtë për t´u bërë: fillimisht në mënyrë dashamirëse, pastaj në mënyrë autoritare, pastaj dalëngadalë gjithnjë e më urdhëruese po na thonë të rrimë në shtëpi. Çfarë janë shtëpitë? Makina për të banuar, apo vende ku njerëzit mund të ruajnë gjithë objektet e ndjenjës? Shtëpia është e mirë shoqërore apo e mirë private? A është në gjendje t´i qëndrojë sprovave çdo shtëpi? A është njësoj kur mbyllesh në shtëpi të rehatshme e të bukura, si në shtëpi modeste, të degraduara apo të shëmtuara? Kush nuk ka shtëpi, ku do të rrijë?

Jetojmë në një peizazh introvert të shoqërisë; të përshpejtuar e të beftë, të imponuar prej COVID-19, i cili ka tejkaluar çdo parashikimi e parafytyrim letrar apo kinematografik. Shtëpitë, dikur konak e çlodhje, zbavitje e pushim, duhet të shndërrohen menjëherë, pa projektim apo ristrukturim, në lëvozhga veze, zhguall breshke, në strehë mbrojtëse prej frikës, fortesë prej së cilës duhet bërë rezistencë. Të gjithë në shtëpi! Jo më familje të gjera, përkundrazi jemi bërë të gjithë familje të ngushta, ku numrat janë sa më minimalë, dhe kemi përjashtuar për siguri sa herë që është e mundshme gjithë të moshuarit, ringrihen mure e grumbullohen pa sharing të mira materiale, nuk ka më co-housing apo co-working mes shokësh apo të panjohurish, brenda pak ditësh, brenda pak muajsh, i kemi rrëzuar gjithë praktikat sociale të studiuara e të teorizuara prej ajkës së sociologëve, ekonomistëve, arkitektëve e urbanistëve, ato ide që na janë prezantuar si e ardhmja e shndritshme. Sot dhe nesër nuk e di ç´do të ndodhë, por tash për tash jemi të gjithë të ndarë – të distancuar – pa shumë shkëmbim e pa bashkëpunime trupore.

Sot në kohët e COVID-19 gjithçka konsumohet në shtëpi, të mbyllur nëpër shtëpi.

Në shtëpi, aty duhet bërë gjithçka: duhet të bëhen zyra, vende për ndjenja e frikë, palestra e kinema, madje dhe shkolla, aq sa në mëngjes takohen gjysmëbustet e televizionit me gjysmëbustet e mësueseve të famijëve, eksperimente me platforma të reja dhe fluksi i ndërlidhjeve ngarkon router-at shtëpiakë a thua se janë rezervuar që mbledh ujë të pijshëm pas një thatësire.

Të vetmet pararoja të shoqërizimit të distiluar e të distancuar janë bërë ballkonët e famshëm të Italisë, ku ende këndohet, vallzohet, llafoset. Kur në janar na erdhën videot nga qyteti kinez i Uhanit, me lutjet, slloganët inkurajues, mbështetjet dhe vetëndihmesa mes banorëve, kur bërtisnin «Jiayou» prej dritareve e ballkoneve të rrokaqiejve të Uhanit, nuk ua vumë veshin, sepse jemi gjithnjë eurocentrikë për dreq, e të pavëmendshëm.

Praktikat njerëzore për reagimin ndaj emergjencave janë si puna e virusit, shpërndahen dhe ripërsëriten me variacione sipas vendit, dhe prej Kinës erdhën në Itali, me vendosjen e flamurëve kombëtarë në pallate e shtëpi të ndryshme, në ballkone e në vende të dukshme, e më pas do të shkojnë nëpër ballkonet e Evropës, apo nëpër verandat e sprawls-ëve amerikanë:

«Prej së brendshmi shtëpia ´all´italiana´ drejtohet kah e jashtmja, me portikët e tarracat, me pjergullat e verandat, me llozhat e ballkonet, me strehëzat e belvederet, shpikje të gjitha shumë komfortuese për një banim të qetë, të cilat janë aq italiane sa që në çdo gjuhë quhen me termin italisht». Gio Ponti (vepër e cituar)

Ballkonë të jashtëm, ballkonë të vegjël, ballkonë këndorë, ballkonë individualë e kolektivë, llozha që ngjajnë si një dhomë pa mure, verandat që zgjaten kah zbrazëtia, kah qyteti ose panorama; ballkonët e mbyllur për të lënë jashtë abuzuesit, e më vonë infektuesit, nga ana tjetër janë bërë gracka për familjet që nuk kanë më ku të shfryhen, ndërtesat me dritaret katrore e seriale që lejojnë të dalë veç një siluetë njerëzore në një kohë të caktuar, figura të izoluara e të distancuara me më shumë se një metër largësi, në fasadat e ndërtesave, dhe tash nuk mjafton më të ngushëllohemi me Le Corbusier-in kur thoshte «dritarja është një njeri».

Zërat nëpër oborre më përpara na bezdisnin e tash, edhe për pak kohë, deri sa të kryhet gjithçka, do të jenë të vetmet zëra të mundshëm të urbanitetit të mbyllur.

Gjatë këtyre ditëve në shtëpi hahet gjithnjë një snack dhe vazhdimisht merret një break, në një kohë që s´ka shumë përcaktime e që ka shumë mbivendosje përbërësish sa që s´mund të jetë e shijshme. I ashtuauajturi smart working shpesh përzihet me dy xhiro në dhomën e ndenjjes e dy fërgesa në tigan, me lajmet televizive, me kronikat, numërimin e të vdekurve të të gjallëve të pozitivëve dhe të të shëruarve; dhe videokonfliktet mes shkencëtarëve kanë zëvendësuar videokonfliktet mes politikanëve.

Në shtëpi konsumojmë shumë lajme, dukemi si të zhytur në qerthullin e librit «Ekspozita e mizorive» të Ballard-it, pasivë apo aktive ndaj lajmeve presim me padurim se çfarë do të ndodhë gjer në pikën ku sistemi mediatik prek sistemin tonë nervor.

Gjithë koha tjetër është përpjekje për të jetuar.

«Kë mund të ftojmë sot në mbrëmje?»

«Merre një skype në tavolinë, bëje një call, shkarkoje aplikacionin e house party-t, dhe le ta pimë një gotë së bashku»

«Thirri të gjithë që ke qejf»

«Po, prindërit, miqtë, fqinjët, edhe ata që nuk të kanë përshëndetur kurrë.»

«Mos u vër në siklet, vish diçka rastësore, vishu si të duash, edhe ajo nuk ka nevojë të shkojë te parukieri, mos u lodh shumë, rri me pizhama…»

«Po si të lidhem? E kam shtëpinë rrëmujë… duhet të gjej një qosh të përshtatshëm… ah lëre, e zgjidha, po e mjegulloj sfondin.»

«Ngrije pak kamerën, po dridhesh, fike dhe ndize prapë… po digjet imazhi jot ndërkohë që ti po pjek ushqimin por këtu era nuk vjen.»

«Nuk jam mirë. Kush? Jo unë mirë të shoh, mirë duket» – «Jo jo e kam fjalën që nuk jam mirë me shëndet me gjithë këto…»

«Mirë, po mos u mërzit, të gjitha këto do kalojnë… – do bëjmë një festë çlirimi prej pandemisë.»

«Kur…?»

«Nuk dihet ende.»

Shtëpia është mbushur me kablla, rimbushës, lidhës, pengohem gjithnjë dhe nuk e kuptoj pse? Gjithçka është wireless mirëpo gjithë këto kablla po më shtrëngojnë kaviljet. Kam hedhur gjithçka në tavolinë në një kohë bastarde, një kohë trans e cila paqartëson kufijtë mes mëngjesit e pasdites e deri të nata, biskota e crackers, kos dhe meze me ullinj, dosjen me projekte e vizatime, një fetë tortë me mollë që është ngjitur me kopertinën e dosjes, raportin mbi shkarkimin e ujërave të bardha midis fletëve të një libri të kuzhinës. 

OK, në orën 12:00 po ndalem, po bëjmë një briefing në dhomën e ngrënies. Nuk ka më sallë mbledhjes.

«Djem, këtu është shumë rrëmujë, ta riorganizojmë shtëpinë po sidomos të riorganizojmë kokën, në tavolinën e kompjuterit ka shumë gjëra, po kush dreqin i ka shkarkuar gjithë këto giga me videolojëra…? Më ka ngecur Archicad-i dhe duhet të vazhdoj projektimin sepse duhet të bëj një videoprezantim!»

Si përfundim: rafti me ushqime rezervë duket sikur është plaçkitur prej ndonjë bande, aparati i kafesë nuk po mbërrin të pushojë, Alexa, Siri dhe Hey Google ndërhyjnë kaq shpesh, vijnë notifications për orare, takime, njoftime për motin, që dielli shkëlqen dhe deti është i qetë, gjëra që nuk dua t´i di, nuk i përcjell më, më shumë se sa ndihmës zanorë më duken si acarues zanorë; ka 12 ditë që punoj i shtrirë e më kanë dalë rrudhat. Po si ka mundësi, a nuk do të duhej të ishim bërë më të bukur, më të shëndoshë e më të lumtur, të kujdeseshim për trupin tonë dhe të mposhtnim dominimin e punës mbi ne? Epo si dreqin jetohet pa të ardhura, e si mund të kesh të ardhura kur rrihet në shtëpi, pastaj shumë punë edhe më përpara nuk ishin me prioritet, imagjino tash. Po po dakord, po nëse del jashtë mund të vdesësh, ose t´u çosh vdekjen të tjerëve.

«Duhet të rrish në shtëpi dhe të përsërisësh: gjithçka do të shkojë mirë!»

Shikon gjithë ato oferta të pabesueshme solidariteti digjital, hapjet falas të muzeve e bibliotekave, ekspozitat dhe teatrot online, sa shumë kineteka falas… dhe mendon se ka ardhur periudha e artë, pastaj shqetësohesh sepse e di që këto dhurata fillimisht të pëlqejnë por pas pak ditësh frika dhe domosdoshmëritë do të luftojnë me ty. Është kohë e cila duhet rinegociuar, frika kërkon që të negociohen të drejtat e domosdoshmëritë, demokracia dhe dëshirat, pa aleanca të qëndrueshme, e vetmja shpresë mbetet tek revoltat prej ballkonëve, te luftërat mes kateve të banesave, e ndëshkime alternative nuk duket se ka.

Shtëpitë që jetojnë, ndërkohë që qytetet shuhen, nuk janë të mundura në idenë tonë për botën, repertori i pamasë i institucioneve dhe i infrastrukturave të tregtisë e të lëvizjes në imagjinatë duken tashmë si antike, networks dhe clouds vezullojnë mbi shtëpi, si profilaktikë të së ardhmes. 

Shtëpitë, e mira totale absolute, kanë kristalizuar botën e pandemisë. Pak shkëmbime e shumë ishuj nëpër qytete. Do të jetë dallimi i katit, i pozicionit të banesës, pasja apo jo e verandave, ballkoneve e kopshtijeve (mundësisht të varura), ajo që mund të japë ose jo Komfort.

Komforti na i përplas fytyrës gjithë dallimet shoqërore, pëllëmba prej konradiktave nuk do t´i dhemb shumë atyre që do të kenë maska të llojit FFP2 apo FFP3, të përparuara dhe ergonomike sepse nëse fytyra do të jetë e mbuluar mirë dhe në mënyrë efikase, sigurisht deri në një përgënjeshtrim tjetër, gjithçka do të shkojë mirë.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi