(Ky shkrim është botuar për herë të parë në 27.04.2020)

Në kohën e krizës së koronës, pështjellimet shoqërore dhe hapësirat e interpretimit janë të mëdha. Në rast se do të përjashtonim njëherë vuajtjet e jashtëzakonshme njerëzore të shkaktuara nga virusi si dhe rreziqet politike, ekonomike dhe sociale që rezultojnë nga kjo situatë, dhe të merrnim një qëndrim të kthjellët socio-teorik, do ishim në gjendje të evidentojmë disa fakte të shumë të rëndësishme. 

Së pari, në një botë të mobilitetit fizik dhe material, domethënë të prodhimit e të transportit e lidhjeve, mund të vihen re reduktime globale dhe masive në masën e mbi 80% të vëllimit të tyre. Në shumë vende të botës, veprimtaritë kulturore dhe arsimore kanë pushuar tërësisht. Ngadalësimi është një fakt makrosocial i kohës dhe jo një fantazi prapavepruese siç pohojnë kritikët.     

Së dyti, ky ngadalësim vjen si rezultat i veprimit politik, e në shumë shtete i veprimit të qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike, dhe jo si rezultat i mekanizmit veprues të viruseve; pra bëhet fjalë për një përvojë e veprimit politik. Në një hark kohor prej disa javësh politika ka fituar një kompetencë veprimi të paparë ndonjëherë kundrejt logjikës së vetë tregut financiar, koncerneve të mëdha, interesave afariste etj., si dhe natyrisht edhe kundrejt të drejtave të qytetarëve dhe qytetareve. Kjo përvojë është në kontrast të thellë me përvojën e impotencës që ka dominuar deri tani në raport me krizën klimatike, por edhe në raport me marrëdhëniet tejet të pabarabarta të pasurisë dhe të shpërndarjes së saj. U dëshmua si krejtësisht i gabuar supozimi se primati normativ i politikës nuk mund të bëjë asgjë lidhur me logjikën inherente të diferencimit funksional.

Së treti, në “modusin normal” shoqëritë operojnë, si me thënë, në varësi të shtegut së rrahur, që do të thotë, se në të gjithë segmentet sundojnë rregulla dhe zakone të caktuara, dhe se ne po ndjekim zinxhirin e proceseve dhe ndërveprimeve të paracaktuar e të etabluar.

Sa më komplekse që është një shoqëri aq më të vështirë e më të rrezikshme do ta ketë për të dalë jashtë binarëve të paravendosur. Mirëpo tashmë janë ndërprerë shumë rrjedha e procese, kanë pushuar rutinat dhe janë ndalur rrotat. Ky është një përjashtim historik, që arrihet tepër rrallë. Është shumë e mundshme që pas përfundimit të krizës, shoqëria do të bëjë përpjekjet e veta për t’u rikthyer sa më shpejtë e mundur në rutinën dhe binarët e vjetër e t’u japë rrotave një të shtyrë. Megjithatë, ne ndodhemi në një “pikë të bifurkacionit” prej ku duket i mundur ndryshimi i shtegut. 

Se si do vejë puna tutje, këtë nuk mund ta parashikojë asnjë model sociologjik, ekonomik apo fantashkencor, sepse kjo nuk varet më nga dijet tona, por nga veprimi ynë. Faktin që nuk është e domosdoshme t’i rikthehemi zinxhirit të mëparshëm interaktiv (apo ta rifunksionalizojmë atë), por të nisim nga e para, të bëhemi kreativ, Hannah Arendt e ka quajtur specifika e aftësisë njerëzore për të vepruar, dhe e ka emërtuar Natalitet. 

Përktheu nga gjermanishtja Bekim Qoku