(Ky shkrim u botua në 20 mars 2020)

një intervistë në vitin 1987, Margaret Thatcher u përgjigj: «Shoqëria nuk ekziston… ekzistojnë individët burra e gra dhe ekzistojnë familjet». Për vite me radhë ky citim – i cili vetë ka mundësi të jetë një parafrazim i Hayek-ut – është parë si mishërim i asaj politike që përzien ideologjitë neoliberale e neokonservatore: një shoqëri e përbërë tërësisht prej individësh, të ndarë nëpër njësi që korrespondojnë me familjen heteropatriarkale. Megjithatë «distancimi social» – strategjia që me shumë vonesë u pranua edhe nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar si mënyra më e mirë për të kufizuar shpërndarjen e virusit korona – së paku në afat të shkurtër duket se ia ka dalë mbanë të krijojë diçka jo shumë larg kësaj pikëpamjeje. A u plotësua më në fund ëndrra neoliberale?

Pavarësisht ngjashmërive familjare me paraardhësit e vet liberalë, qeverisjet e sotme më shumë duket se po veprojnë sipas një ideologjie tjetër, asaj të paternalizmit liberal, të njohur edhe si «Nudge» (ngacmimi), ideologji që u bë e famshme kur u përdor edhe nga Blair, Cameron e Obama, për politikat e shërbimeve publike. Si strategji qeverisëse «nudge» frymëzohet prej teorisë së ekonomisë bihejvioriste, një qasje gjerësisht heterodokse e cila thekson se teoria e zgjedhjeve racionale është e kufizuar sa i përket të kuptuarit e dinamikave shoqërore.  Tre prej propozuesve të ekonomisë bihejvioriste – Daniel Kahneman, Robert Shiller dhe Richard Thaler – morën çmimin Nobel respektivisht në vitin 2002, 2013 dhe 2017, megjithatë avokati më i madh i kësaj teorie është ndoshta Cass Sunstein, një studiues amerikan i jurisprudencës, i cili drejtoi Zyrën për Informim dhe Çështje Rregullative në Shtëpinë e Bardhë gjatë viteve 2009-2012.

Jo shumë ndryshe prej neoliberalizmit, ekonomia bihejvioriste njeh dy nivele kryesore të dinamikave shoqërore. I pari është niveli individual, në të cilin njerëzit marrin vendime si puna e zgjedhjes se çfarë duan të blejnë, me cilin flirtojnë, ku të udhëtojnë për turizëm, etj. Sigurisht disa nga këto vendime do të kenë pasoja edhe për të tjerët – psh. ndonjëherë duhet të blesh gjëra për gjithë familjen – megjithatë në fund të fundit, ato vendime merren nga individët. Niveli tjetër është ai agregat, zakonisht i quajtur «Shtet», por sigurisht mund të shfaqet në shkallë të ndryshme të qeverisjes, prej – asaj të qytetit, apo municipale, e deri te ajo e firmës, apo e ndërmarrjes. Parashikimet bihejvioriste në nivelin agregat bëhen duke marrë në llogari vëzhgimet bihejvioriste të individëve; pra merret shuma totale e vendimeve individuale. Megjithatë, pika ku ndryshon paternalizmi liberal prej kushëririt të tij neoliberal, si strategji qeverisëse, është pikërisht çështja e zgjedhjes.

Ndërkohë që neoliberalizmi parapëlqen zgjedhjet e individëve në treg, deri në atë masë sa secilin vendim e redukton në zgjedhje në treg, paternalizmi liberal me vetëdije iu mbivendoset parapëlqimet individuale dhe përpiqet t´i vendosë ato në një vijë me atë që supozohet se është interesi i përbashkët i kolektivit. Si në MB ashtu dhe në ShBA «nudge» u përdor si strategji kundër «epidemisë» së perceptuar të obezitetit, faji për të cilin iu vu zgjedhjes së gabuar të ushqimeve – sidomos prej njerëzve nga klasa punëtore. Ideja ishte se po të rimodelohej ambienti ku njerëzit vendosnin për zgjedhjen e tyre (në gjuhën e ekonomisë bihejvioriste «arkitektura e zgjedhjes») – psh. po të vendoseshin fruta e perime të freskëta pranë hyrjes së supermarketeve dhe po të ekspozoheshin ato në mënyra «estetikisht të kënaqshme» – kjo do t´i ngacmonte njerëzit që të bënin zgjedhje të cilat, në afat të gjatë janë në të mirë të shëndetit të tyre.

Ç´është më e rëndësishmja, strategjia «nudge» i lë të paprekura shumë tema. Nuk përmenden psh. politika si ajo e subvencioneve për fermerët lokalë dhe prodhuesit e vegjël, të cilët do të mund të prodhonin ushqim të shëndetshëm (dhe të prodhuar në mënyrë të qëndrueshme), më të lirë e më të qasshëm për blerësit. As nuk përmenden te kjo strategji çështje si punësimi, pushimet e paguara, përfitimet sociale, apo barazia gjinore, të cilat do të mund t´i lejonin familjet që të planifikonin e të përgatisnin një mënyrë më të shëndetshme të të ushqyerit. Strategjia «nudge» nuk vë në pikëpyetje as «tregjet» apo mekanizmat që vendosin çmimet. Përgjegjësia në analizë të fundit i mbetet konsumatorit individual: ata mund ta bëjnë zgjedhjen «e duhur». Në thelb «e duhura» në këtë kontekst nuk ka të bëjë me atë çfarë njerëzit mendojnë apo ndjejnë se duhet të bëjnë, por çfarë është «e duhura» për Shtetin në tërësi.

Një logjikë e ngjashme mund të dallohet edhe në administrimin e epidemisë së virusit korona. Strategjia «nudge» nuk merret me mungesën e shtretërve në spitale, apo me shkurtimin sistematik të buxhetit për shërbimin publik shëndetësor. As nuk ndalet që të konsiderojë detyrimet e mundshme morale që lindin prej faktit se shumica e njerëzve ndoshta do të kishin preferuar që të vdiste një numër sa më i vogël njerëzish. Në vend të këtyre gjërave, strategjia «nudge» pranon si të pashmangshme shkallën e vdekshmërisë të parashikuar – që siç e dimë ishte parashikuar më e ulët nga ç´doli – dhe merr vendim që të lejojë virusin të përhapet në shoqëri, që të fitohet «imuniteti grupor». Kjo vendimmarrje refuzon të marrë parasysh vëzhgimet dhe këshillat enga shkencëtarët e nga ekipet mjekësore të vendeve të tjera, qofshin ata edhe të OBSh-së apo të NHS-së britanike; e në të njëjtën kohë ia mohon publikut qasjen në informacion me rëndësi jetike. Vendimmarrësit supozojnë se populli është më mirë të mos e dijë se cila është përmasa e vërtetë e sfidës; se kjo do i çojë në panik; pastaj do të vuajnë nga «lodhja bihejvioriste» dhe kjo do të ndërhynte në master-planin qeveritar.

Dallimi kryesor mes neoliberalizmit dhe paternalizmit liberal, është dallim i epistemologjisë politike. Sipas ekonomistëve bihejvioristë njerëzit nuk janë racionalë, së paku jo në kuptimin klasik liberal. Përkundrazi, ata janë të ndikuar prej anshmërive kognitive (procesimit të informacionit), e po ashtu janë të prirur drejt fitimit afatshkurtër. Prandaj ata duhen «ngacmuar» (nudge), që të bëjnë zgjidhjet e duhura; e kush më mirë mund t´i drejtojë kah zgjidhjet e duhura pos elita e ndriçuar e … ekonomistëve bihejvioristë. Neoliberalizmi nuk u zë besë (disa prej) ekspertëve, ndërsa paternalizmi liberal nuk i zë besë «popullit». Por, ndërkohë që neoliberalizmi e zgjidh problemin e monopolit epistemik duke ia lënë vendimmarrjen «tregut», paternalizmi liberal ia jep atë monopol komunitetit të vet epistemik.

Problemi me «nudge» është jo aq vetë shkenca që e mbështet – se të gjitha perspektivat teorike domosdoshmërisht janë të kufizuara prej bashkësisë së aksiomave ontologjike ku mbështeten. Problemi është mënyra se si këto aksioma po përdoren për të ndikuar vendimmarrjen politike. Praktika e «nudge» mbështetet në një përzierje të rrezikshme pavarësie e injorance: presupozohet se njerëzit vendosin në mënyrë të pavarur, por megjithatë është më mirë të mbahen në terr sa i përket kontekstit politik që ua strukturon veprimin. Në këtë këndvështrim njerëzit janë si bagëtia: shohin vetëm çka kanë përballë, prandaj duhen udhëhequr nga ndonjë bari. Me fjalë të tjera, jo vetëm që njerëzit modelohen si individë injorantë, të paarsyeshëm dhe të prirur kah synimet afatshkurtra: por edhe politikat bëhen të tilla që të mos u lënë zgjidhje përveçse të sillen në këtë mënyrë.

Në disa kontekste, sigurisht, veprimi njerëzor duket sikur përputhet me këtë përshkrim – paniku për të blerë letër tualeti është një shembull i kësaj. Megjithatë njerëzit dinë të tregojnë edhe nivel shembullor solidariteti, siç po duket në rrjetet e ndihmës së ndërsjelltë që kanë filluar të organizohen kudo në MB, apo në mobilizimin për të siguruar pagesa e mbrojtje për punëtorët pa kontrata, apo te thirrjet që të ndalen pagesat e qirave. Kjo në fakt është shoqëria: rrjete marrëdhëniesh mes njerëzish (dhe sipas disa teoricienëve edhe mes jo-njerëzish) që i mbivendosen njëra-tjetrës, të cilat ndonjëherë janë në konflikt apo konkurrojnë.

Edhe znj. Thatcher e ka pranuar këtë gjë. Në autobiografinë e saj ajo ka dhënë një sqarim: «Kuptimi i fjalëve të mia, që ishte i qartë në atë kohë, por që më vonë u shtrembërua përtej çdo sensi, ishte se shoqëria nuk është abstrakte… por një strukturë e gjallë individësh, familjesh, fqinjësh dhe shoqatash vullnetare». Sigurisht, edhe ky sqarim i Thatcher-t vazhdon në jetë një nocion tepër konservator, jo thjesht për heteronormativitetin, por edhe për fiksimin me lokalizmin dhe anashkalimin e politikës (përveç nëse me «shoqata vullnetare» kuptohen organizata aq të larmishme sa sindikatat, partitë politike, kishat dhe klubet e boksierëve psh.). Por, siç po e vë në pah pandemia aktuale, këto rrjeta marrëdhëniesh njerëzore janë shumë të qëndrueshme, jo vetëm për shkak se njerëzit mbështeten në to gjatë krizave, por edhe për shkak se në fund të fundit ato janë gjëja që na bën njerëz.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi