(Ky shkrim është botuar në 15 prill 2020 në NZZ)

Dua të ndaj një pyetje me ata që kanë dëshirë për këtë, një pyetje që po më mundon pareshtur tash e një muaj. Si mund të ndodhte që një shtet i tërë të rrënohej etikisht dhe politikisht përballë një sëmundjeje, pa e vënë re këtë gjë? 

Fjalët për të formuluar këtë pyetje i kam zgjedhur me shumë kujdes. Nuk është në fakt e vështirë që dikush të gjejë masën e duhur për të kundërshtuar parimet e veta etike dhe politike. Çështja është ta pyesim veten: Ku është kufiri matanë të cilit nuk jemi më të gatshëm për të hequr dorë nga këta parime themeltare?

Mendoj se lexuesi i gatshëm të reflektojë mbi çështjet e përmendura, s’ka si të mos jetë dakord me faktin që është kapërcyer pragu që e ndan njerëzimin nga barbaria. Dhe kjo po ndodh pa e vënë re, ose, duke u vepruar asisoj, kinse s’po vëmë re kurrgjë.

Tre pika

1.) Pika e parë dhe mbase më e rënda ka të bëjë me trupat e personave të vdekur. Si ia lejuam vetes, që në emër të një rreziku që nuk qemë të aftë ta vlerësojmë saktë, t’i lëmë të dashurit tanë dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi jo vetëm të vdesin në vetmi, por edhe t’i djegim kufomat e tyre pa i varrosur fare? Kjo nuk ka ngjarë kurrë në histori, qysh prej mitologjisë greke, me Antigonën, bijën mbretërore e gjer më sot.

2.) Ne toleruam pa e vrarë mendjen – sërish vetëm në emër të një rreziku të papërcaktuar saktë – që liria jonë për të lëvizur të na kufizohet deri në atë pikë, si nuk na ka ndodhur kurrë më parë në vendin tonë, madje as gjatë dy luftërave botërore (kufizimi i lirisë së lëvizjeve atëherë vlente për disa orë të ditës). Ne pra kemi toleruar që në emër të një rreziku të papërcaktuar saktë, të ndërpresim kultivimin e marrëdhënieve tona miqësore dhe dashurore, sepse i afërmi ynë është kthyer në një burim të mundshëm infektimi.  

3.) Kjo mund të ndodhte – dhe këtu do të prekim rrënjët e fenomenit – ngaqë unitetin e përvojës sonë jetësore e cila është gjithmonë trupore dhe shpirtërore njëkohësisht, e kemi ndarë dysh, në njërën anë vetëm unitetin biologjik dhe në anën tjetër kemi jetën afektive dhe kulturore.

Filozofi dhe teologu Ivan Iliç ka treguar se cila është përgjegjësia e mjekësisë moderne në lidhje me këtë çarje. Duket sikur kjo duhet të ishte evidente, por në të vërtetë bëhet fjalë për abstraksionin më të madh të mundshëm. E di se ky abstraksion i shkencës moderne është arritur përmes aparateve reanimuese, që janë të aftë të mbajnë një trup në një gjendje jetësore vegjetative.

S’ka kthim mbrapa

Por në qoftë se kjo gjendje – ky kusht – shtrihet përtej kufijve të vet hapësinor dhe kohor, siç po orvaten ta bëjnë sot, dhe në qoftë se kjo gjendje kthehet në një lloj parimi i sjelljes sociale, atëherë do biem në kontradikta nga të cilat nuk do të mund të dalim dot. E di që disa do të përgjigjen se regjimi në fuqi është veçse një gjendje e përkohshme dhe pas përfundimit të tij, gjithçka do të kthehet siç ka qenë më parë. Është vërtet e jashtëzakonshme që kjo gjë po përsëritet pandërprerë nga padija.

Po ata autoritete që kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, na bëjnë me dije vazhdimisht, që të njëjtët udhëzime do të ndiqen edhe pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, dhe se distancimi social – siç e quajnë me një eufemizëm domethënës – do të jetë parimi i ri i organizimit të shoqërisë. Dhe se atë që kemi pranuar ta durojmë, nga mirëbesimi apo nga padija, nuk do të mundkemi ta ç’bëjmë më.

Po si është puna me kishën?

Meqë ua solla të gjithëve ndërmend përgjegjësitë që kemi, s’kam si mos ua kujtoj përgjegjësitë edhe më të rënda atyre që e kanë për detyrë të vigjilojnë mbi dinjitetin e njeriut. Para se gjithash, është kisha – e cila është bërë shërbëtore e shkencës, ndërkohë kjo e fundit është kthyer në një religjion i ri i epokës sonë – që në mënyrë radikale po mohon parimet e saj qenësore. Kisha nën një papë, që e quan veten Françesku, ka harruar se Françesku përqafonte të lebrosurit. Ajo ka harruar se një nga veprat e mëshirshme është pikërisht vizita e të sëmurëve. Ajo ka harruar se martirët na mësojnë gatishmërinë për të sakrifikuar jetën para besimit, dhe se të braktisësh të afërmin është sikur ke braktisur vetë besimin.    

Pse heshtin juristët?

Një tjetër kategori njerëzish që nuk janë më në nivelin e detyrës së tyre, janë juristët. U bënë ca kohë që jemi mësuar tashmë me përdorimin e pamatur të dekreteve emergjente të qeverive, që de fakto po marrin rolin e pushtetit legjislativ dhe në këtë mënyrë anulojnë pikërisht atë parim të ndarjes së pushteteve, në bazë të të cilit përkufizojmë demokracinë.

Megjithatë, në këtë rast është kapërcyer çdo kufi, dhe të krijohet përshtypja, sikur fjalët e kryeministrit apo të drejtorit të mbrojtjes civile kanë po atë fuqi ligjore, thua ti se dalin nga goja e Fyrerit. Nuk e shikojmë, se si përkundër gjithë njoftimeve, kufizimet e lirisë po mbesin në fuqi, edhe pasi ka përfunduar afati i vlefshmërisë së dekretit për gjendje të jashtëzakonshme. Po me çfarë dispozitash juridike? Me gjendje të jashtëzakonshme të përhershme? Është pra detyrë e juristëve të kujdesen që rregullat e kushtetutës respektohen. Mirëpo juristët po heshtin. Quare siletis iuristae in munere vestro? (O jursitë, pse po heshtni, kur bëhet fjalë për detyrën tuaj?)

E di se do dalin gjithmonë njerëz që do të përgjigjen: Sakrifica më e madhe është bërë në emër të parimeve morale. Këtyre njerëzve dua t’u sjell ndërmend faktin se Adolf Eichmanni – mesa duket në mirëbesim (“buona fede”)  – vazhdon të përsëritet, se ai, atë që e ka bërë, e ka bërë me ndërgjegje të plotë për të respektuar urdhëresat e moralit kantian. Një normë që thotë, të heqim dorë nga e mira për të shpëtuar të mirën është po aq e gabuar sa ajo që kërkon që të heqim dorë nga liria për të shpëtuar lirinë.

Përktheu nga gjermanishtja Bekim Qoku