(Ky shkrim u botua në 17 mars 2020)

Dërgimi i furnizimeve dhe personelit mjekësor në Itali nga ana e Kinës, si dhe propozimet për bashkëpunim teknologjiko-mjekësor, nuk janë thjesht produkt i solidaritetit përballë pandemisë së virusit korona. 

Në planet e Republikës Popullore peshojnë dy objektivë. 

I pari është të heqin prej vetes imazhin e qendrës së pandemisë e cila po godet planetin, si dhe të rimëkëmbin atë që quhet soft power. Qoftë duke vërtetuar se nuk janë doemos djepi i virusit, qoftë duke ofruar ndihmë për vendet e huaja. Mes këtyre, përveç Italisë numërohet edhe Belgjika, Spanja, Etiopia, Namibia dhe Filipinet. Realizimi i «rrugëve të mëndafshta të shëndetësisë» që është propozuar prej Pekinit, do të formalizonte prirjen kineze për të udhëhequr përparimin shëndetësor në kornizat e Belt and Road Initiative, (BRI, Iniciativa e Rrugës së re të Mëndafshit).

Republika Popullore ka shpallur para pak kohësh se ka tejkaluar kulmin e pandemisë dhe tani është duke e rikthyer gradualisht në funksionim ekonominë e cila po e pëson shumë rëndë impaktin e sëmundjes. Por shfaqja e rasteve të reja në Hubei (rajoni vatër i virusit korona) lë të kuptohet se problemi ende nuk është zgjidhur. Megjithatë Pekini ka nevojë për besimin e vendeve të tjera në mënyrë që të ringjallë eksportin e investimet, thelbësore për rritjen ekonomike kineze.

Objektivi i dytë i Kinës është që të ringjallë marrëdhëniet me Romën, një vit pas aderimit të Italisë në BRI. 

Për Kinën mbështetja e Romës për rrugën e re të mëndafshit ka në radhë të parë një vlerë politike. Italia nuk është thjesht vendi i vetëm i G7 që është bërë pjesë e projektit gjeopolitik kinez. Ajo mbi të gjitha është pjesë e sferës së influencës së ShBA-ve. Gadishulli apenin është vendndodhje e shumë bazave amerikane e të NATO-s.

Në të njëjtën kohë ndërmarrjet kineze Huawei dhe ZTE janë impenjuar për zhvillimin e rrjetit 5G në territorin italian, sido që të mbikqyrura prej qeverisë, pas aktivizimit të klauzolës së kontrollit shtetëror në fushën e telekomunikacioneve. Përfshirja e dy kolosëve kinezë në taktikën e ndihmave shëndetësore tregon për interesat afatgjata të Kinës në gadishull.

Deri më sot rruga e re e mëndafshit nuk ka sjellë rezultatet e pritura për Italinë. Trieste dhe Gjenova ende nuk janë bërë nyje të rrugës detare. Eksporti i Italisë në Republikën Popullore është rritur vetëm me 1%, dhe gjatë këtij viti mund të ndodhë një rënie e madhe si pasojë e pandemisë. Përveç kësaj ShBA-të i janë hakmarrë Italisë në një mënyrë pak a shumë të drejtpërdrejtë. Fillimisht kanë goditur me tarifa disa prodhime ushqimore italiane. Pastaj e kanë detyruar Romën të heqë dorë prej zhvillimit të moduleve të presuara për stacionin hapësinor kinez, si dhe të nënshkruajë një tjetër marrëveshje me NASA-n.

Pekini dëshiron t´i japë frymëmarrje të re marrëdhënies me Romën, duke përfituar prej krizës që po shpaloset.

Në fillim të marsit Italia, vendi i dytë në botë për numrin e të prekurve, ka kërkuar të aktivizohet mekanizmi i mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian, për të mundur të marrë furnizime mjekësore. Reagimi i vonuar i BE-së dhe vështirësia e Italisë për të importuar një numër të përshtatshëm maskash prej vendeve të tjera, ia kanë mundësuar Kinës një ndërhyrje të lehtë.

Siç është shtruar hipoteza edhe më parë, Republika Popullore po përdor me shpejtësi të madhe përvojën që ka krijuar përballë virusit korona për të ndihmuar rritjen e vet në fushat e shëndetësisë dhe teknologjisë, e për të marrë përparësi edhe në marrëdhëniet e jashtme. Duke i ndërthurur rrugën e mëndafshit digjitale me atë të shëndetësisë.

Mbështetja që Huawei, ZTE, Alibaba dhe Xiaomi i kanë dhënë Italisë dëshmon për implikimet teknologjike të marrëdhënieve Romë – Pekin, të cilat prej kohësh kritikohen nga ShBA-të.

Ambiciet e Huawei-t shkojnë përtej dhurimeve të produkteve mjekësore. Ndërmarrja ofroi që të zhvillojë një rrjet cloud për të ndërlidhur disa struktura spitalore me njësitet e emergjencës në kohë të menjëhershme, si dhe për të lidhur qendrat më të rëndësishme Italiane me spitalet e Uhanit.

Përmirësimi i ndërlidhjes digjitale mes strukturave shëndetësore italiane do të ndihmonte që të ishin më efikase. Mirëpo, nëse kjo i besohet Huawei-t, do të kishte shumë të panjohura sa i përket mbikqyrjes së infrastrukturave kritike, si dhe administrimit të të dhënave që ato mbajnë mbi gjendjen shëndetësore të popullatës.

ZTE i ka dhuruar dy mijë maska Komunës së Akuilas. Përfituesi nuk është i rastësishëm. Pranë Teknopolit të Abrucos ndërmarrja kineze ka krijuar një Qendër Inovacioni e Hulumtimi për eksperimentimin e rrjetit 5G, bashkë me Unievrsitetin e Akuilas.

Jack Ma, themeluesi i Alibaba, i ka dhuruar BE-së 100.000 teste tampon dhe 1,8 milion maska, nga të cilat 500.000 i janë dhuruar Italisë. Furnizimet e drejtuara për në Itali kanë zbarkuar në aeroportin e Liezhit në Belgjikë. Bëhet fjalë për një sipërfaqje prej 220.000 metrash katrorë që administrohen prej ndërmarrjes kineze Cainao, ku magazinohen produktet që shiten prej gjigandit kinez të tregtisë online në Evropë.

Dhuratat e personeli mjekësor i dërguar prej Kryqit të Kuq kinez kanë patur impaktin më të fortë mediatik. Meritë për këtë ka edhe rëndësia që iu dha prej ministrit të jashtëm Di Maio, një mbështetës i njohur i harmonisë me Pekinin. Bëhet fjalë për skuadrën e tretë që dërgon Kina, pas atyre që u dërguan në Iran e Irak. Me vete solli 30 ton materiale, ventilatorë, respiratorë, elektrokardiografë, maska e mjete të tjera shëndetësore. Formalisht Pekini ka dashur t´i përgjigjet me të njëjtin pozitivitet atyre 18 ton materiale shëndetësore që Italia dërgoi në Uhan gjatë shkurtit. 

Presidenti kinez Xi Jinping i ka thënë kryeministrit italian Giuseppe Conte se do të vijnë edhe mjekë e materiale të tjera shëndetësore. Shenjë se marrëdhënia mes Pekinit e Romës do të bëhet më intensive.

Dorëzimi i një mijë aparateve respiratore – frut i bashkëpunimit mes bankës Intesa Sanpaolo, kompanisë mediatike Class Editori, agjensisë informative Xinhua dhe Bankës së Kinës – tregon se po përforcohet edhe ndërveprimi kino-italian në sektorin e informacionit e të lajmeve. Për këto gjëra kishte shenja edhe në memorandumet që u nënshkruan gjatë vizitës së Xi Jinping në Itali në mars të 2019.

Dhuratat prej enteve publike të lidhura me Republikën Popullore (psh. provinca e Zhejiangut, një ndërmarrje e qumështit dhe e djathit në Hunan, apo Shoqata Italo-Kineze e Ndërmarrësve) apo prej ndërmarrjeve private kineze (psh. grupi Fossun) që iu dërguan Lombardisë, Piemontit, Kalabrisë dhe Sardenjës, kanë për synim që të zhvillohet një klimë e përshtatshme për rimëkëmbjen e veprimtarisë sipërmarrëse kur të tejkalohet kriza shëndetësore.

Rrëfimi për luftën e përbashkët kundër virusit korona mund të kthehet në themel mbi të cilin do të promovohet bashkërendimi kino-italian, gjatë kësaj vjeshte, me rastin e pesëdhjetë vjetorit të fillimit të marrëdhënieve diplomatike mes Italisë dhe Republikës Popullore.

Është e mundur që Kina të ofrojë ndihmë edhe për shumë vende të tjera. Duke filluar prej atyre afrikane, ku infeksionet po rriten. Në Afrikë Pekini duhet të përkujdeset për qytetarët e vet si dhe për aktivitetet ekonomike e ushtarake, duke përfshirë bazën në Xhibuti.

Dërgesa e maskave dhe tamponëve nga ana e Jack Ma në ShBA, lë të kuptohet se Republika Popullore do të mund të zbatojë në mënyrë sistematike këtë taktikë të ndihmave edhe me Uashingtonin. Në dritën e tensioneve në rritje brenda ShBA-ve, është e vështirë që presidenti Donald Trump të pranojë mbështetjen kineze.

Ka shumë arsye pse Pekini do të mund të shtrijë dorën e ndihmës ndaj Shtëpisë së Bardhë. Sepse ashtu do ta vendoste atë përballë një dileme: ta pranojë ofertën – pra efikasitetin e rrugës së mëndafshtë të shëndetësisë – apo ta refuzojë atë dhe të ushqejë debatin e brendshëm në ShBA sa i përket prioritizimit të shëndetit të qytetarëve përballë gjeopolitikës.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi