Nga Adam Quarshie

(Ky shkrim u botua në 26 mars 2020)

Isha një javë në Portugali, për t´i ikur dimrit të vranët britanik, kur filloi të shpërfaqet ashpërsia e krizës së virusit korona. Në hostelin ku po qëndroja, në Lisbonë, u mblodhëm të gjithë rezidentët dhe pamë lajmet në një televizor në dhomën e ndenjes. Filluam të bënim teori konspiracioni pa lidhje dhe shaka se cili prej nesh mund të ishte bartës i virusit, pa e marrë shumë seriozisht që situata do të mund të përshkallëzohej e të na e rrezikonte jetën. Në atë kohë kriza ndodhej ende në vende të largëta, në Kinë, Iran, Kore të Jugut, dhe Evropa, me përjashtim të Italisë veriore, ishte në masë të madhe e pacënuar. Mirëpo pasi u ktheva në Britani nja dy ditë më vonë, e kuptova se po e gjeja vendin në një realitet shoqëror e politik drastikisht të ndryshëm.

Valët e para të ankthit më goditën në supermarketin e lagjes. Shkova një të enjte dhe i gjeta raftet ku duhet të ishin frutat, perimet, buka, makaronat dhe orizi, të zbrazëta. Brenda një kohe shumë të shkurtër jeta e zakonshme ishte pezulluar. Një mik më dërgoi sms ku më shkruante se ishte angazhuar për organizimin e një grupi të ndihmës së ndërsjelltë në Bristol, ku jetoj dhe unë. Hyra në Facebook dhe u bëra pjesë e grupit dhe pashë se postimet të cilat dikur kërkonin ndihmë për të gjetur ndonjë qen të humbur apo për të dhuruar rroba të përdorura, tani ishin zëvendësuar nga postime që ofronin ndihmë për ata të cilët ishin më të rrezikuar prej infeksionit.

Kjo gjë nuk ndodhte vetëm në Bristol. Në kohën kur po shkruaj këtë tekst më shumë se 700 grupe të ndihmës së ndërsjelltë kanë lulëzuar anembanë vendit. Të jep zemër fakti se pavarësisht një dekade të kaluar nën regjim austeriteti e pavarësisht gjithë këtyre viteve të polarizimit politik në Mbretërinë e Bashkuar, lidhjet themelore të solidaritetit, empatisë dhe altruizmit kanë mbetur të pacenuara. Por, edhe pse befasisht u bë pjesë e jetëve tona, ndihma e ndërsjelltë është koncept me originë radikale. Në fakt ka qenë një prej parimeve kryesore të anarkizmit për më shumë se një shekull.

Ndihma e ndërsjelltë dhe darwin-izmi social

Koncepti i ndihmës së ndërsjelltë kështu siç e kuptojmë sot i ka rrënjët te një prej teksteve kryesore të mendimit të hershëm anarkist, «Ndihma e ndërsjelltë: faktor i evolucionit», nga Pjotër Kropotkin. Lindur në një familje aristokrate ruse në Moskë në vitin 1842, Kropotkin-it iu hoq titulli fisnik dhe e drejta e trashëgimisë prej familjes, dhe ai u bë aktivist e revolucionar duke i kaluar shumë dekada të jetës në arrati, jashtë vendit. «Ndihma e ndërsjelltë», i cili së pari u publikua në anglisht në 1902, ishte përgjigjja e Kropotkin-it për teoritë e darwin-izmit social të cilat kishin marrë pozitë dominuese në Evropë nga fundi i shek. XIX. Darwin-izmi social aplikonte në organizimin shoqëror njerëzor disa prej teorive të shtruara në «Mbi origjinën e specieve» të C. Darwin-it (publikuar në 1859). Jetën njerëzore ata e përshkruanin si një luftë të madhe për burime mes individëve të cilët janë thelbësisht konkurrentë të njëri-tjetrit, gjë që reflektohet në një rend shoqëror hierarkik.

Kropotkin-i nuk pajtohej me këtë përshkrim brutal të konkurrencës mes njerëzve. Ai shtroi tezën se bashkëpunimi mes individëve është faktor po aq i rëndësishëm sa konkurrenca, për mbijetesën e species. Teoria e tij mbështetej në dy lloje të hulumtimeve. Së pari, vëzhgimi i botës së natyrës. Vite më parë Kropotkin-i kishte bërë shërbimin ushtarak në regjimentin kozak të ushtrisë ruse, e më pas mori pjesë në hulumtime gjeografike në Siberi e në Mançuri. Interesi i tij për biologjinë, dhe vëzhgimet e tij se si mbijetonin kafshët në kushtet e ashpra të atyre viseve, e bëri atë të besonte se «ndihma e ndërsjelltë është po aq ligj i jetës shtazore, sa edhe lufta e ndërsjelltë». Ai mori shembuj të tillë si jetët shumë të organizuara të milingonave, thneglave e bletëve, si dhe praktikat e gjuetisë së përbashkët që zhvillojnë disa zogj e gjitarë, për të dalë të përfundimi se gjasat më të mira për mbijetesë të një specieje shtazore vinin prej bashkëpunimit.

Së dyti, ai e bazoi teorinë e tij në studimin e shoqërive njerëzore, sidomos ato të Australisë, Polinezisë, Guinesë së Re Papua, dhe Arktikut. Ai vëzhgoi se si të drejtat e gjuetisë e të peshkimit shpesh ndaheshin kolektivisht në kulturat indigjene të bazuara te klani apo te fisi, dhe më së shumti dominonin lidhjet farefisnore se sa ato hierarkike. Duhet vënë re në këtë pikë se edhe pse Kropotkin-i ishte një mendimtar radikal në kontekstin e Rusisë të fundshekullit XIX, shkrimet e tij megjithatë ishin të ndikuara nga paragjykimet e kohës. Kapitulli i librit të tij me titullin «Ndihma e ndërsjelltë te njerëzit e egër» psh. reflekton bindjet se evropianët ishin superiorë.

Megjithatë, ai besonte se prirjet komunitare të hasura në kulturat klanore ishin po ashtu prezente në shoqëritë evropiane, sidomos në qytetet-shtete të Evropës mesjetare. Struktura komunitare e gildeve – proto-sindikata të organizuara rreth zanateve të caktuara – ishte një shembull i tillë, ku lënda e parë blihej e shitej nga kolektivitete. Po ashtu, ai nënvizoi strukturën shoqërore të disa qyteteve mesjetare, të cilat ishin të organizuara nëpër «lagje», të cilat funksiononin si gjysmë-autonome. Megjithatë këto praktika komunitare gjithnjë e më shumë luftoheshin prej rritjes së shtetit modern.

Raste historike e bashkëkohore të ndihmës së ndërsjelltë

Qysh prej fillimit të shek. XX, ndihma e ndërsjelltë ka qenë një parim qendror i praktikës anarkiste. Edhe pse në kuptimin e përhapur të termit anarkizmi karakterizohet si filozofi e dhunës dhe e prishjes së rendit, ka shumë shembuj se si anarkistët merren me organizimin e rregullit në shumë aspekte të zakonshme të jetës së përditshme, aty ku shteti mungon.

Prodhimi e shpërndarja e ushqimit shpesh ka qenë një problem në vetvete për shoqëritë. «Food not Bombs», një rrjet vullnetar që vepron në dhjetëra qytete të botës, është themeluar mbi shpërndarjen e ushqimit të tepruar, që bizneset dëshirojnë ta hedhin në mbeturina. Prej ushqimit të tepruar ky rrjet prodhon vakte vegjetariane apo vegane që shpërndahen falas për këdo që ka nevojë. Po ashtu, shumë qendra sociale të organizuara në hapësira të zaptuara – në Evropë, në Amerikë e në vende të tjera – si edhe lëvizja «Oçupy», e cila fillimisht u nis në Nju Jork në vitin 2011, e kanë ndihmën e ndërsjelltë si parim themelor.

Shembuj të tjerë të ndihmës së ndërsjelltë kanë koinciduar me kohë të trazirave intensive. Gjatë krizës ekonomike e cila tronditi Argjentinën në fillim të viteve 2000, kur shteti falimentoi për shkak të borxhit të stërmadh dhe qytetarët panë se si kursimet e tyre humbën vlerën e punët e tyre u shkatërruan, lulëzoi një ekonomi paralele e themeluar mbi parimet e ndihmës së përbashkët, në lagjet anembanë vendit. Fabrikat të cilat ishin mbyllur dhe ishin braktisur prej pronarëve, u zaptuan dhe u rikthyen në punë prej kolektivave të punëtorëve. U organizuar kuzhina të përbashkëta që ofronin ushqim për cilindo që kishte nevojë, si dhe rrjete shkëmbimi – redes de trueque – përmes të cilave argjentinasit këmbenin me njëri-tjetrin mallra e shërbime pa nevojën e parave.

Në ShBA një pjesë e madhe e organizimit dhe e aktivizmit në komunitet padyshim që është influencuar prej Partisë «Black Panther». Edhe pse ajo nuk ishte një organizatë anarkiste, ka qenë shumë ndikuese në mënyrën se si organizatat radikale kanë ndërhyrë në nivel lagjeje, sidomos me iniciativat e tyre komunitare siç ka qenë shpërndarja e mëngjesit falas për fëmijët që shkonin në shkolla.

Ish-anëtarë të asaj organizate, si edhe nga grupe të tjera radikale, më vonë kanë vazhduar duke themeluar grupe të ndihmës së ndërsjelltë si përgjigje ndaj katastrofave natyrore. Një organizatë e tillë është «Mutual Aid Disaster Relief». Duke u bazuar në parimin «solidaritet, jo mëshirë» ata e filluan organizimin në kohën e uraganit «Katrina» në vitin 2005. Pas përgjigjjes të dështuar të qeverisë amerikane ndaj katastrofës e cila la mijëra njerëz – sidomos në lagjet më të varfra afro-amerikane – pa mbështetje e në mjerim, organizatorët e komuniteteve filluan të formojnë rrjete për shpërndarjen e ushqimit, për ofrimin e strehimit e të përkujdesjes mjekësore. Siç shkruhet edhe në faqen e tyre në internet: «Projektet e ndihmës së ndërsjelltë janë një formë e pjesëmarrjes politike në të cilën njerëzit marrin përgjegjësinë e përkujdesjes për njëri-tjetrin dhe të ndryshimit të kushteve politike».

Vullnetarizmi dhe mungesa e shtetit – a janë këto kufizimet e ndihmës së ndërsjelltë?

Te organizimi radikal, ndihma e ndërsjelltë ka rrënjë të thella, të cilat shpesh shpërfaqen në kohë krize për të krijuar rrjete të ndihmës, kur mungon përgjigjja e shtetit. Por këtu qëndron edhe paradoksi: ndihma e ndërsjelltë (apo ide shumë të ngjashme me të), mund të pajtohen fare mirë edhe me ideologjinë konservatore. Në vitin 2010, në kohën kur po fitonte Partia Konservatore në Britani, David Cameron-i shpalli vizionin e tij të «Shoqërisë së Madhe», ku organizatat vullnetare do të ndërhynin në nivelin lokal për ta marrë përsipër pushtetin duke ia hequr atë qeverisë qëndrore. Pak njerëz e morën seriozisht këtë propozim në atë kohë, dhe brenda pak viteve i u harrua.

Sidoqoftë, ideja se organizatat vullnetare duhet të marrin përsipër të mbulojnë hapësirat e lënë bosh prej një shteti që po zvogëlohet, një shteti i cili është i vendosur që ta zvogëlojë buxhetin e mirëqenies dhe të shërbimeve publike, vazhdon të jetë gjallë. Seria «Anywhere but Westminster» prej autorëve John Harris dhe John Domokos ka dokumentuar shumë shembuj të organizimeve komunitare, të drejtuara prej vullnetarësh (që shpesh janë gra), të cilët u desh të ndërhyjnë për të mbuluar zbrazëtitë e krijuara në shërbimet sociale, të shkaktuara prej zvogëlimit të shtetit si pasojë e politikave konservatore.

Pandemia aktuale është e mundur të jetë një çarje, një moment kur sistemi ynë politik rrëzohet tërësisht, si pasojë e një presioni të paprecedent. Konservatorët në fuqi tashmë po diskutojnë haptazi për ndërhyrje masive shtetërore në ekonomi, si dhe për shpërndarje të një të ardhure bazike për të gjithë, në mënyrë që të parandalohet rrëzimi i gjithë ekonomisë, diçka që pak javë më parë do të kishte qenë e pamendueshme. Krijimi spontan i grupeve të ndihmës së ndërsjelltë është një përgjigje e mirëpritur dhe e domosdoshme për krizën. Mirëpo këto grupe nuk bëjnë vetëm mbushjen e zbrazëtive të shkaktuara prej një shteti që ka hequr dorë nga përgjegjësitë e veta ndaj qytetarëve më të pambrojtur, sepse ndihma e ndërsjelltë mund të ofrojë edhe diçka tjetër: farat për një ripërfytyrim rrënjësor të shoqërisë sonë, dhe krijimin e strukturave shoqërore të ndërtuara mbi solidaritet dhe bashkëpunim, të cilat e njohin dhe e pranojnë domosdoshmërinë e ndërlidhjes sonë me njëri-tjetrin.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi