Nga Pierre Dardot dhe Christian Laval

Pierre Dardot dhe Christian Laval janë autorë të «Commun. Essai sur la révolution au XXI siècle» (2014) dhe të «Dominer. Enquête sur la souveraineté de l´Etat en Oçident» (2020). Ky shkrim u botua në 19 mars 2020.

Pandemia e COVID-19 është një krizë shëndetësore, ekonomie e shoqërore globale, e një niveli të jashtëzakonshëm. Pak ngjarje historike mund të krahasohen me të, të paktën jo në dekadat e fundit. Kjo tragjedi qysh tash është një sprovë për gjithë njerëzimin. Sprovë në të dyja kuptimet e fjalës: në njërën anë dhimbje, pasiguri e rrezik; test, vlerësim e gjykim nga ana tjetër. Ajo që sprovohet prej pandemisë është aftësia që kanë organizatat politike dhe ekonomike për t´u ballafaquar me një problem global të lidhur me ndërvarësitë individuale, apo thënë ndryshe, që ka prekur edhe nivelin më elementar të jetës shoqërore. Si një distopi e bërë realitet, ajo që po jetojmë na mundëson të parashohim atë që e pret njerëzimin brenda pak dekadash, me ndryshimin klimatik, nëse struktura ekonomike dhe politike e botës nuk ndryshon shumë shpejt e shumë rrënjësisht.

Një përgjigjje shtetërore për një krizë globale?

Vëzhgim i parë: në një vend a në një tjetër, kudo po vihet bast me qejf të madh mbi sovranitetin e shtetit-komb si përgjigje për epideminë globale, dhe kjo po bëhet në dy mënyra pak a shumë komplementare dhe të artikuluara sipas mënyrës së vet në secilin vend: në njërën anë po kërkohet prej shtetit që të merren masa autoritare për kufizimin e kontakteve, ku bie në sy vendosja e «gjendjes së emergjencës» (të shpallur apo jo) si në Itali, Spanjë apo Francë; nga ana tjetër pritet që shteti të mbrojë qytetarët prej «importimit» të virusit i cili vjen nga jashtë. Disiplina sociale e proteksionizmi kombëtar po bëhen kështu dy akset prioritare të luftës kundër pandemisë. Gjejmë te ajo dy fytyrat e sovranitetit të shtetit: sundimin së brendshmi dhe pavarësinë së jashtmi.

Vëzhgimi i dytë: presim po ashtu nga shteti që të ndihmojë ndërmarrjet e të gjitha lloheve që ta kalojnë sprovën, duke u dhënë atyre ndihmë e garanci për kreditë që ato do të kenë nevojë të marrin për të mos falimentuar e për të ruajtur sa më shumë që munden krahun e punës. Shteti nuk ka më skrupuj dhe shpenzon pa kufi, për «të shpëtuar ekonominë» (whatever it takes), edhe pse deri dje e kundërshtonte çdo kërkesë për të rritur kapacitetet e spitaleve me punonjës shëndetësorë e numër shtretërish, për shkak të respektit obsesiv për shtrëngimet buxhetore dhe për kufizimin e borxhit publik. Shtetet duket sikur sot i kanë rizbuluar të mirat e ndërhyrjes në ekonomi, së paku për sa i përket mbajtjes në këmbë të aktivitetit të sipërmarrjeve private e garantimit të sistemit financiar.[i]

Ky ndërrim brutal marshi, që do të bënim gabim nëse do ta quanim fund i neoliberalizmit, shtron një pikëpyetje qendrore: aktivizimi i prerogativave të shtetit sovran, si në punë të brendshme ashtu edhe në ato të jashtme, a është përgjigjje e natyrshme për një pandemi e cila prek solidaritetet shoqërore më elementare?

Ajo që kemi parë deri tani nuk na lë vend për mëdyshje. Ksenofobia institucionale e shteteve u manifestua menjëherë sapo që filluam të vetëdijësoheshim për rreziqet vdekjeprurëse të virusit ndaj të gjithë njerëzimit. Në një mënyrë tërësisht të pakoordinuar shtetet evropiane ndërmorën masat e para në përgjigjje ndaj virusit korona. Shumë shpejt pjesa më e madhe e shteteve evropiane, sidomos ato të Evropës Qendrore, u izoluan me mure administrativë kufijsh shtetërorë për të mbrojtur popullatat prej «virusit të huaj». Lista e vendeve që u izoluan të parat zbulon nga ana tjetër edhe vendet ku ka ksenofobi më të madhe shtetërore. Orban-i e hapi lojën i pari: «Po luftojmë në dy fronte, në atë kundër emigrantëve dhe në atë kundër virusit korona, të cilët janë të lidhur me njëri-tjetrin, sepse të dy përhapen përmes lëvizjes së njerëzve»[ii]. Ky regjistër shumë shpejt u përhap në nivel evropian dhe botëror: secili shtet u desh t´ia dalë mbanë vetëm, gjë që i gëzoi shumë gjithë ekstremet e djathta evropiane e botërore. Gjëja më e pështirë ka qenë mungesa e solidaritetit me vendet e prekura më së shumti. Braktisja e Italisë në fatin e vet nga ana e Francës dhe e Gjermanisë, të cilat janë treguar egoiste deri në pikën që kanë refuzuar të dërgojnë në Itali mjete mjekësore dhe maska mbrojtëse, i ka rënë këmbanave për fundin e Evropës së ndërtuar mbi konkurrencën e përgjithshme mes shteteve.

Sovranitet shtetëror dhe zgjedhje strategjike

Në 11 mars drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus deklaroi se kemi të bëjmë me një pandemi, dhe u shfaq vërtet i shqetësuar për shpejtësinë me të cilën po shpërndahej virusi, dhe me «nivelin alarmues të mosveprimit» të shteteve. Si të shpjegohet ky mosveprim? Analiza më bindëse u dha prej ekspertes së pandemive, Suerie Moon, bashkëdrejtuese e Qendrës së Shëndetësisë Globale, brenda Institutit të Studimeve të Larta Ndërkombëtare e Zhvillimore: «Kriza e cila po përjetojmë tregon këmbënguljen e parimit të sovranitetit shtetëror në punët globale. (…) Por nuk ka asgjë për t´u befasuar. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë gjithnjë i brishtë, por sidomos në pesë vitet e fundit ai është edhe më i dobët, me zgjedhjen e udhëheqësve politikë, sidomos në Shtetet e Bashkuara e në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët aspirojnë të tërhiqen prej globalizimit. (…) Pa perspektivën globale e cila e mbështet OBSh-në, do të jemi duke luajtur me katastrofën. (…) Ajo u tërheq vëmendjen udhëheqësve politikë e atyre të shëndetësisë, anembanë planetit, se qasja globale ndaj pandemisë dhe solidariteti, janë elemente esenciale të cilat i nxisin qytetarët që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme»[iii]. Sado të bazuara e të drejta që janë këto vërejtje, ato megjithatë nuk vënë në dukje se si OBSh-ja prej shumë dekadash është dobësuar financiarisht dhe është lënë në duart e financuesve privatë (80% e financimit të OBSh-së vjen prej donacioneve private nga sipërmarrje e nga fondacione). Me gjithë këtë dobësim, OBSh-ja kishte mundësi qysh prej fillimit të shërbente si një kornizë bashkëpunimi për luftën kundër pandemisë, jo vetëm për arsyen se ka patur në zotërim informacione të besueshme qysh prej fillimit të janarit, por edhe sepse rekomandimet e saj për kontroll radikal e të parakohshëm të popullsisë, për epideminë, kanë qenë të vazhdueshme e këmbëngulëse. Sipas drejtorit të përgjithshëm të OBSh-së vendimi politik i shumë shteteve për të mos e bërë testimin sistematik dhe gjurmimin e kontakteve, të cilat kanë funksionuar mirë në Kore të Jugut e Taivan, ka qenë një gabim shumë i madh i cili ka kontribuar në shpërhapjen e virusit në shumë shtete të botës.

Prapa kësaj vonese në përgjigjje qëndrojnë disa zgjedhje strategjike. Vende si Koreja e Jugut kanë marrë vendim për depistim sistematik, për izolim të bartësve e për «distancim social». Italia e ndërmori mjaft herët strategjinë e kufizimit absolut për ta ndalur epideminë, gjë e cila ishte bërë më përpara edhe në Kinë. Shtete të tjera u vonuan shumë në reagimin e tyre, duke zgjedhur vendimin fatalist dhe kripto-darvinian për një strategji të ashtuquajtur «të imunitetit kolektiv» (herd immunity). Britania e Madhe, e Boris Johnson-it fillimisht ndoqi një rrugë pasive, ndërsa vende të tjera në një mënyrë pak më ambige u vonuan në ndërmarrjen e masave kufizuese, sidomos Franca e Gjermania, që të mos përmendim Shtetet e Bashkuara. Duke u fokusuar te «vonimi» apo «ngadalësimi» i epidemisë përmes sheshimit të lakores së infekstimeve, këto vende në fakt hoqën dorë prej mbajtjes në kontroll të epidemisë qysh prej fillimit, që do të kishte kërkuar depistimit sistematik dhe kufizimin e përgjithshëm të popullsisë, siç kishte ndodhur më parë në Uhan dhe në provincën Hubei. Kjo strategjia e imunitetit kolektiv supozon se duhet pranuar si e mirëqenë që 50 deri në 80% e popullsisë do të infektohet, sipas parashikimeve të qeveritarëve gjermanë e francezë. Kjo i bie se duhet të pranohet vdekja e qindra mijëra, në mos po miliona njerëzve, atyre «më të brishtëve». Ndërsa udhëzimet e OBSh-së kanë qenë shumë të qarta: Shtetet nuk duhet të heqin dorë prej depistimit sistematik dhe prej gjurmimit të kontakteve të personave që kanë dalë pozitivë në teste.

«Paternalizmi libertar» në kohë epidemie

Pse shtetet i kanë dhënë një mbështetje aq të vogël OBSh-së, e mbi të gjitha, pse nuk i kanë dhënë rolin kryesor në koordinimin e përgjigjjeve ndaj pandemisë? Në këndvështrimin ekonomik epidemia në Kinë i ka vënë në pozicion fort të vështirë pushtetet ekonomike e politike, sepse ndalimi i prodhimit e i tregtisë nuk është parë kurrë më parë në këto përmasa, dhe pas tij vjen një krizë ekonomike dhe financiare me një peshë të jashtëzakonshme. Hezitimet në Gjermani e Francë, e edhe më shumë në ShBA kanë ndodhur për shkak se qeveritë kanë zgjedhur që ta mbajnë sa më gjatë që është e mundshme ekonominë në funksionim, apo më saktësisht për shkak të vullnetit të tyre për ta mbajtur në dorë vendimmarrjen finale midis imperativit shëndetësor dhe imperativit ekonomik, sipas situatës që konstatohej nga dita në ditë, pa lejuar që të ndikohen prej parashikimeve dramatike, për të cilat megjithatë ishin në dijeni. Ishin parashikimet katastrofike nga Imperial College, sipas të cilave politika laissez faire do të shkaktonte miliona të vdekur, ato që i tunduan qeveritë midis datave 12 e 15 mars, që do të thotë tashmë tepër vonë, drejt marrjes së vendimit për një kufizim të përgjithshëm[iv].

Pikërisht në këtë moment ndërhyri influenca e neveritshme e ekonomisë behaviour-iste dhe e teorisë «nudge» në vendimmarrjen politike[v]. Ne e dimë tashmë se «njësia-nudge» e cila këshillon qeverinë britanike ka arritur të imponojë teorinë sipas së cilës individët të cilët që do të kufizoheshin shumë shpejt prej masave të ashpra, do të relaksoheshin e do të lëshonin disiplinën e tyre pikërisht në momentin kur ajo do të ishte më e rëndësishme se kurrë, pra menjëherë pasi të tejkalohej piku i epidemisë. Qysh prej 2010 qasja ekonomike e Richard Thaler-it, e shpërfaqur në librin e tij «Nudge», ka frymëzuar «qeverisjen eficiente» të shteteve[vi]. Ajo konsiston në nxitjen e njerëzve, pa i detyruar ata, që të marrin vensimet e duhura, përmes disa «shkeljeve të syrit», pra përmes një influence të butë, indirekte, të pranueshme e opsionale mbi individin, i cili në fund mbetet i lirë për të bërë zgjedhjen e tij. Ky «paternalizëm libertar» kur vjen puna te lufta kundër epidemisë përkthehet në dy udhëzime: nga njëra anë mospranimi i detyrimeve që përcaktojnë sjelljen individuale dhe në anën tjetër, vendosja e besimit te «gjestet barrierë» siç janë qëndrimi në distancë, larja e duarve, vetëizolimi në rast se kemi kollë, e të gjitha këto për të ruajtur veten, pra interesin vetjak. Mirëpo parimi i nxitjes së butë ishte i rrezikshëm, nuk ishte i mbështetur shkencërisht në asnjë të dhënë që tregonte se mund të kishte rezultat në situata epidemie. Dhe pikërisht ky parim çoi në ngërçin që e dimë të gjithë. Është e nevojshme të nënvizojmë se kjo ka qenë politika e ndjekur edhe nga qeveritarët francezë, deri në ditën e shtunë, 14 mars. Deri në atë moment Macron-i kishte refuzuar të shpallte masat ufizuese, sepse, siç e ka thënë të premten më 6 mars, «nëse marrim masa tepër të forta, atëherë nuk do të jenë të zbatueshme në afatgjatë». Teksa po dilte nga një shfaqje teatrale, ku kishte shkuar bashkë me të shoqen, ai deklaroi: «Jeta vazhdon. Nuk ka asnjë arsye, përveç pjesës së brishtë të popullatës, që të ndryshojmë zakonet e përditshme». Pas këtij propozimi, i cili sot duket i papërgjegjshëm, nuk mund të mos e shohim ideologjinë e «paternalizmit libertar», si një mënyrë për të shmangur masat e forta të cilat domosdoshmërisht do të preknin ekonominë.

Sovranitet i shtetit apo shërbime publike?

Ngërçi i paternalizmit libertar i ka bërë autoritetet politike të marrin një kthesë mbresëlënëse, e cila nisi të vihet re qysh në fjalimin presidencial të 12 marsit, ku u bë apel për një përbashkim kombëtar, për bashkimin e shenjtë, për «forcën shpirtërore» të popullit francez. Fjalimi i dytë i Macron-it drejtuar popullit, ai i 16 marsit, ishte edhe më eksplicit në përzgjedhjen e një qëndrimi e një retorike luftarake: kishte ardhur koha për mobilizim të përgjithshëm, për «vetëmohimin patriotik», sepse «jemi në luftë». Tashmë figura e Shtetit Sovran ishte ajo që po shfaqej në formën më ekstreme, e po ashtu në formën më klasike, në atë të armës e cila do të godasë armikun «i cili është aty, i padukshëm, i pakapshëm, dhe përparon».

Por kishte dhe një dimension tjetër befasues në fjalimin e tij të 12 marsit. Në mënyrë të papritur e gati si të mrekullueshme Emmanuel Macron-i u shndërrua në një mbrojtës të shtetit të mirëqenies e të spitaleve publike, madje arriti deri në pikën sa tha se është e pamundur që gjithçka të thjeshtohet në logjikën e tregut. Një numër komentuesish e politikanësh, disa prej tyre nga e majta, u nxituan që të përshendesnin këtë pozicionim të ri, si një pranim i rolit të pazëvendësueshëm që kanë shërbimet publike. Por si përfundim këtu kemi të bëjmë me një formë reagimi si ajo që ndodhi pas interpelancës që u shkaktua nga vizita e tij në spitalin «Pitié Salpêtrière» në 27 shkurtin e shkuar: kur një profesori të neurologjisë i cili kërkoi nga Macron-i një «goditje joshëse» në favor të spitaleve: Macron-i iu përgjigj me një përgjigje pozitive së paku në parim. Por u kuptua menjëherë se reklamat e bëra me këtë rast në masë të madhe ishin mashtrime, sepse nuk u vunë asnjëherë në pikëpyetje politikat neoliberale të cilat janë zbatuar metodikisht për vite me radhë[vii]. Ka edhe më. Në të njëjtin fjalim presidenti tha se «delegimi i ushqimit, i mbrojtjes, i kapacitetit tonë për përkujdesje, i kuadrit tonë jetësor tek të tjerët» ka qenë një «marrëzi» e që duhej të «rimarrim kontrollin». Kjo thirrje te sovraniteti i shtetit-komb u përshëndet prej shumë anëve, duke përfshirë edhe prej neofashistëve të RN (Bashkimi Kombëtar). Mbrojtja e shërbimeve publike kështu përzihet me prerogativat e shtetit: tërheqja e shëndetit publik jashtë logjikës së tregut shpërfaq një gjest sovraniteti, i cili kërkon korrigjimin e delegimeve të shumta që në të shkuarën i janë bërë Bashkimit Evropian. Por a është kaq qartë se nocioni i shërbimeve publike si i tillë atypëraty lidhet me sovranitetin e shtetit, a thua se e para themelohet te e dyta e se dy nocionet janë të pashkëputshme prej njëra-tjetrës? Pyetja meriton një analizë shumë më serioze, sepse bëhet fjalë për një argument qendror të atyre që mbështesin sovranitetin shtetëror.

Le t´ia nisim prej çështjes së natyrës së sovranitetit shtetëror. Sovranitet do të thotë në fakt «epërsi» (prej latinishtes superanus), por ndaj kujt? Ndaj ligjeve e ndaj detyrimeve të gjithfarëllojshme të cilat mund të kufizojnë pushtetin e shtetit, si në raport me marrëdhëniet me shtete të tjera, ashtu edhe në marrëdhëniet me qytetarët e vet. Shteti sovran i mbivendoset angazhimeve e detyrimeve, të cilat është i lirë t´i lidhë e t´i këpusë sipas dëshirës. Mirëpo shteti po të konsiderohet si person publik nuk mund të veprojë përveçse përmes përfaqësuesve të tij, të cilët mishërojnë pushtet edhe përtej ushtrimit të funksioneve të tyre. Pra epërsia e shtetit do të thotë faktikisht epërsi e përfaqësuesve të tij, sa i përket ligjeve, detyrimeve e angazhimeve që mund t´i pengojnë. E pikërisht kjo epërsi është ajo që ngrihet në rang parimi, nga të gjithë sovranistët. Megjithatë, sado që kjo e vërtetë mund të tingëllojë e papëlqyeshme për veshët e tyre, ky princip vlen pavarësisht orientimit politik të pushtetarëve. Esenciale është që ata veprojnë në cilësinë e përfaqësuesve të shtetit, çkado qoftë ajo që bëjnë me sovranitetin shtetëror. Delegimet e vazhdueshme që përfaqësuesit e shtetit francez kanë bërë në favor të BE-së kanë qenë sovrane, konstrukti i BE-së qysh prej hapave të parë është ndërtuar mbi parimin e sovranitetit të shtetit. Po ashtu, fakti se shteti francez si shumë shtete të tjera në Evropë, i nënshtrohet detyrimeve të veta ndërkombëtare sa i përket çështjes së mbrojtjeve të të drejtave njerëzore, rrjedh nga një logjikë e sovranitetit: deklarata e mbrojtjes së të drejtave njerëzore detyron shtetet që të krijojnë një mjedis të sigurt e mbrojtës për ato të drejta, por ligjet dhe praktikat e shteteve nënshkruese, sidomos ato të Francës në kufirin mes saj dhe Italisë, i shkelin këto detyrime ndërkombëtare. I njëjti argument vlen edhe në rastin e detyrimeve klimatike, prej të cilave po çlirohen me plot gëzim shtetet, duke ndjekur me lakmi interesat e momentit. Po edhe në çështjet e të drejtës publike të brendshme, shteti nuk është duke ndenjur. Kështu, që t´i përmbahemi rastit francez, të drejtat e indigjenëve të Guianës mohohen, në emër të parimit të «Republikës që është një dhe e pandashme», shprehje që na çon edhe një herë të sovraniteti i shenjtë i shtetit. Si përfundim, kjo e fundit është alibia që i lejon përfaqësuesve të shtetit që të shmangin çdo detyrim që do të mund të legjitimonte një kontroll nga ana e qytetarëve.

Le ta mbajmë në mend këtë gjë, se do të na ndihmojë që të shpjegojmë karakterin publik të shërbimeve të ashtuquajtura «publike». Është kuptimi i fjalës «publike» që duhet të marrë gjithë vëmendjen tonë në këtë pikë. Shumë rrallë vetëdijësohemi për faktin se brenda kësaj shprehjeje fjala «publike» nuk mund të thjeshtohet absolutisht në «shtetërore». Sepse publicum-i që përmendet këtu nuk ka të bëjë vetëm me administrimin shtetëror, por me kolektivitetin tërësor, siç kushtetohet prej bashkësisë së qytetarëve: shërbimet publike nuk janë shërbime të shtetit në kuptimin që shteti mund t´i përdorë sipas dëshirës, e po ashtu nuk janë një projeksion i shtetit. Ato janë publike për aq sa janë «në shërbim të publikut». Në këtë kuptim ato përbëjnë një detyrim pozitiv të shtetit kundrejt qytetarëve. Thënë ndryshe, këto janë detyrime që shteti dhe qeverisësit ua kanë borxh të qeverisurve, e janë larg së qeni një nder që shteti ua bën nënshtetasve, siç lë të kuptohet formula e «shtetit të mirëqenies», e cila është polemike sepse është me prejardhje liberale. Juristi Léon Duguit, teoricien i madh i shërbimeve publike, e ka nënvizuar qysh në fillim të shek. XX: është përparësia e detyrave të qeveritarëve ndaj të qeverisurve që përbën themelin e asaj çka quhet «shërbim publik». Në këndvështrimin e tij shërbimet publike nuk janë një manifestim i fuqisë së shtetit, por një kufizim i pushtetit qeveritar. Janë ato përmes të cilave qeveritarët bëhen shërbëtorë të të qeverisurve[viii]. Këto detyrime, të cilat u imponohen qeveritarëve e agjensive të tyre, janë themeli i «përgjegjësisë publike». Për këtë arsye shërbimet publike mbështeten mbi parimin e solidaritetit social, që i imponohet gjithkujt, e jo mbi parimin e sovranitetit i cili nuk përputhet me atë të përgjegjësisë publike.

Ky konceptim i shërbimeve publike sigurisht është penguar prej fiksionit të sovranitetit të shtetit. E megjithatë është ky koncept që vazhdon të jehojë përmes marrëdhënies shumë të fortë që kanë qytetarët me ato që i mbajnë si të drejta themelore. E drejta e qytetarëve për shërbime publike është detyrimi strikt për të ofruar shërbime publike, i cili ua lidh këmbët përfaqësuesve të shtetit. Është ai që shpjegon pse qytetarët e shumë shteteve evropiane të prekur prej krizës në forma të ndryshme kanë këmbëngulur të tregojnë se janë shumë të lidhur me këto shërbime që janë angazhuar në luftën e përditshme kundër virusit korona: qytetarët e shumë qyteteve spanjolle kanë duartrokitur prej ballkoneve ekipet e shërbimit shëndetësor, cilido që ka qenë qëndrimi i tyre ndaj shtetit unitar e të centralizuar të Spanjës. Pra dy gjërat duhet të dallohen e të ndahen prej njëra-tjetrës me kujdes. Lidhja e qytetarëve me shërbimet publike, sidomos me shërbimet spitalore, nuk është një mbështetje për autoritetin apo për fuqinë publike në format e saj të ndryshme, por një lidhje me disa shërbime që si synim përfundimtar kanë përmbushjen e nevojave të publikut. Larg së manifestuarit të një mbështetjeje identitare për shtetin-komb, kjo lidhje e qytetarëve me shërbimet publike dëshmon një sens të universales e cila tejkalon kufijtë dhe na bën po aq të ndjeshëm ndaj sprovave që jetohen prej «bashkëqytetarëve të pandemisë», qofshin ata italianë, spanjollë, evropianë apo diçka tjetër.

Urgjenca e të përbashkëtave botërore

S´mund t´i zëmë besë premtimit të Macron-it, sipas të cilit ai do të ishte i pari që do të vinte në pikëpyetje «modelin tonë të zhvillimit» kur kriza të përfundojë. Mund të mendohet, me plot të drejtë, se masat drastike sa i përket ekonomisë, mund të jenë përsëritje e atyre të 2008, dhe të kenë për synim një «rikthim në normalitet», që do të thotë rikthim të shkatërrimi i planetit e te pabarazia në rritje e kushteve shoqërore. Përkundrazi, mirë është të kujdesemi që fatura e stërmadhe e «shpëtimit të ekonomisë» të mos paguhet edhe kësaj radhe prej taksapaguesve e njerëzve me të ardhura të vogla. Megjithatë, sajë kësaj sprove, diçka ka ndryshuar e kjo do të thotë se asgjë nuk do të mund të jetë njësoj si më parë. Sovranizmi i shtetit, me refleksin e tij siguritar e me tropizmën e tij ksenofobike, ka dëshmuar që ka dështuar. Në vend që të vërë në kontroll kapitalin global, ai e administron veprimin e vet duke nxitur konkurrencën. Dy gjëra tashmë janë bërë të qarta për miliona njerëz. Nga njëra anë, rëndësia e shërbimeve publike, si institucione të së përbashkëtës, të afta që të aktivizojnë solidaritetin jetik mes njerëzve. Nga ana tjetër, nevoja politike më urgjente për njerëzimin, instituimi i të përbashkëtave bptërore. Duke qenë se rreziqet madhore janë globale, edhe ndihma ndërvedi duhet të jetë globale, politikat duhet të koordinohen, mjetet e dijet duhet të ndahen, bashkëpunimi duhet të jetë rregulla absolute. Shëndeti, klima, ekonomia, arsimi, kultura, nuk duhet të konsiderohen më si prona private apo si të mira shtetërore: ato duhet të konsiderohen si të përbashkëta botërore dhe të instituohen politikisht si të tilla. Një gjë është e sigurtë tashmë: shpëtimi nuk do të vijë nga lart. Vetëm kryengritjet, rebelimet dhe koalicionet transnacionale të qytetarëve do të mund t´ia imponojnë atë shteteve dhe kapitalit.

Përktheu nga frëngjishtja Arbër Zaimi


[i] Një prej planeve më ambiciozë të rimëkëmbjes gjatë këtyre ditëve është ai i Gjermanisë, i cili shkëputet brutalisht prej dogmave ordoliberale që janë në fuqi qysh prej themelimit të RFGj-së

[ii] Cituar nga Nelly Didelot «Coronavirus: les fermetures de frontière se multiplient en Europe» Liberation, 14 mars 2020

[iii] Intervistë me Suerie Moon: « Avec le coronavirus, les Etats-Unis courent au désastre », Le Temps, 12 mars 2020

[iv] Ekipi i Neil Ferguson-it e ka modelizuar shpërhapjen e virusit duke treguar se «laissez faire» do të çonte në vdekjen e 510.000 e respektivisht 2,2 milion personave në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara, shih Hervé Morin, Paul Benkimoun dhe Chloé Hecketsweile « Coronavirus : des modélisations montrent que l’endiguement du virus prendra plusieurs mois », Le Monde, 17 mars 2020.

[v] «To nudge» do të thotë të ngacmosh lehtë, të shkundësh dikë. Bëhet fjalë për një nxitje apo stimul që synon të shkaktojë veprim, pa e detyruar individin.

[vi] Richard H. Thaler dhe Cass R. Sunstein, «Nudge: Improving Decisions about Health, Wealth and Happiness», Yale University Press, 2008. Shih po ashtu Tony Yates «Why is the government relying on nudge theory to fight coronavirus?» The Guardian, 13 mars 2020.

[vii] Shih Ellen Salvi, « Emmanuel Macron annonce une “rupture” en trompe-l’œil », Mediapart, 13 mars 2020.

[viii] Léon Duguit, Souveraineté et liberté, Leçons faites de l’Université de Columbia (New-York), 1920-1021, Felix Alcan, 1922, Onzième Leçon, p. 164.