(Ky shkrim është botuar në 17 mars 2020)

Një gazetar italian veproi, siç e lyp zakoni i mirë i profesionit të tij, duke shtrembëruar e duke falsifikuar konsideratat e mia mbi konfuzionin etik në të cilin epidemia po e hedh vendin, ku nuk ka më respekt as për të vdekurit. Ashtu siç nuk çon peshë të citojmë emrin e tij, nuk ia vlen barra qiranë as të përgënjeshtrojmë manipulimet e tij më çmim të liruar. Kush ka dëshirë mund të lexojë tekstin tim «Ngjitja», në këtë faqe. Më mirë po botoj këtu disa reflektime të tjera të cilat, paçka se janë të qarta, me gjasë edhe këto do të shtrembërohen.

Frika është këshilltare e keqe, mirëpo bën të duken shumë gjëra që më përpara bënim sikur nuk i shihnim. Gjëja e parë që tregon me prova dallga e panikut që ka paralizuar vendin, është se shoqëria jonë nuk beson më në asgjë, pos në jetën e zhveshur. Është e dukshme se italianët janë të gatshëm të sakrifikojnë praktikisht gjithçka, kushtet normale të të jetuarit, marrëdhëniet shoqërore, punën, deri edhe miqësitë, ndjenjat e bindjet fetare a politike, përballë rrezikut se mos sëmuren. Jeta e zhveshur – dhe frika se mos po e humbin atë – nuk është diçka që i bashkon njerëzit, por i verbëron e i ndan. Qeniet e tjera njerëzore, po njësoj si në murtajën e përshkruar nga Manzoni, tash shihen vetëm si ngjitës të mundshëm, të cilët me çdo kusht duhen shmangur e nga të cilët duhet të mbahet një distancë të paktën prej një metri. Të vdekurit – të vdekurit tanë – nuk kanë të drejtë as për funeral, dhe nuk dihet mirë se çfarë po i ndodh kufomave të personave që i kemi dashur. I afërmi ynë është fshirë dhe është interesante se kishat po heshtin në lidhje me këtë gjë. Ç´u ndodh raporteve njerëzore në një vend që mësohet të jetojë në këtë mënyrë edhe për kushedi se sa kohë? E çfarë është shoqëria që nuk ka vlerë tjetër, pos mbijetesës?

Gjëja tjetër, jo më pak shqetësuese se e para, të cilën epidemia na i shpërfaq kthjelltësisht, është se gjendja e jashtëzakonshme me të cilën qeveritë na kanë mësuar prej kohësh me të vërtetë është bërë konditë normale. Ka patur në të shkuarën epidemi më të rënda, mirëpo askush nuk kishte menduar ndonjëherë të shpallte gjendje të jashtëzakonshme si kjo aktualja, e cila na ndalon deri dhe të lëvizim. Aq shumë janë mësuar njerëzit të jetojnë në kushte krize të pambarimtë sa që duket se nuk po e vënë re se jeta e tyre është thjeshtuar në një konditë tërësisht biologjike dhe ka humbur çdo dimension, jo vetëm shoqëror e politik, por deri edhe njerëzor e afektiv. Një shoqëri që jeton në një gjendje të jashtëzakonshme të përjetshme nuk mund të jetë shoqëri e lirë. Ne në fakt jetojmë në një shoqëri që i ka sakrifikuar liritë ndaj të ashtuquajturave «arsye të sigurisë» dhe për këtë gjë është vetëndëshkuar me një jetë të kaluar përgjithmonë në gjendje frike e pasigurie.

Nuk habit më fakti se kur flasim për virusin përmendet lufta. Masat e emergjencës në fakt po na detyrojnë të jetojmë në kushte shtetrrethimi. Por një luftë me një armik të padukshëm, që mund të fshihet brenda çdo njeriu, është më absurdja e luftërave. Në të vërtetë është një luftë civile. Armiku nuk është jashtë, është brenda nesh.

Ajo që më shqetëson nuk është edhe aq, apo jo vetëm, e tashmja, por e ardhmja. Ashtu si luftërat që i kanë lënë trashëgim paqes një sërë teknologjish të poshtra, prej telave me gjemba deri te centralet bërthamore, është shumë e mundshme që edhe në këtë rast të përpiqen të vazhdojnë përtej emergjencës shëndetësore eksperimente që qeveritë nuk i kishin bërë dot më parë: mbyllja e universiteteve e shkollave dhe zhvillimi i mësimit vetëm online; ndalimi një herë e mirë i tubimeve e i të folurit për arsye politike apo kulturore dhe shkëmbimi i mesazheve vetëm në mënyrë digjitale; e që kudo të bëhet e mundur që makinat të zëvendësojnë çdo kontakt – çdo ngjitje – mes qenieve njerëzore.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi