(Ky shkrim u botua në 9 mars 2020)

Gabojmë. Në kërkim të gabimeve gabojmë. Pa u ndalur kurrë. Të përhumbur përballë një armiku të padukshëm e shumë të fuqishëm. Por a është armik? A mund të jetë kjo jona betejë pa u shpallur askund ndonjë luftë?

Cilat janë fjalët e duhura?

Dekrete mbas dekretesh po nxirren në përpjekje për t´i bërë ballë një situate gjithnjë e më urgjente e të rëndë. Dekretime të jashtëzakonshme për një situatë jashtë rregullave të zakonshme. Dekrete që përpiqen të ndërtojnë argjinaturë për atë çka duket se ka dalë tërësisht jashtë kontrollit.

Mos po përpiqen vallë të vënë në kontroll edhe imtësitë më të vogla? Sepse imtësitë janë të rëndësishme… Ka madje dhe nga ata që thonë se Zoti i mirë fshihet nëpër imtësi.

Një gjë tashmë është e qartë. Një analizë e përshtatshme për situatën nuk mund të përdorë më vetëm ato që ne besonim që dinim. Duhen fjalë të reja. 

A është vallë e zhveshur jeta që po goditet? A janë të zhveshura jetët e banorëve të këtij planeti të trazuar?

Po i jetojmë trupat tanë si objekte angushtie, të zhveshur përballë rëndësisë së tyre të jashtëzakonshme. Trupat nuk janë vetëm bartës epidemie. Por edhe mjete që bartin atë çka jemi. Mjete komunikimi. Simptoma të qenies sonë të përbashkët, të konturuar prej epidermash të ndjeshme e të ekspozuara, fytyrash që na mbrojnë e që na lejojnë kontaktimin. Forma ndoshta të ndryshme të asaj që kemi marrë tashmë frymë, kemi mësuar, kemi mbajtur mend, kemi harruar, kemi ëndërruar… Kurrë thjesht vetëm – kjo është e pamundur. Por gjithnjë së bashku.

E përbashkët që kurrë nuk amalgamohet kurrë në një përzierje të vetme, nuk shkrihet, nuk bëhet kon-fuzion. Kurrë njëzëri. Sigurisht kurrë kur mësohet më në fund fuqia e saj. Ndarja dhe largësia janë dy rojtarë. Rojtarë marrëdhëniesh që nuk kanë frikë për veten, pikërisht sepse e sfidojnë veten.

Është e kotë të përpiqesh të hipotetizosh për forma jete pa lidhje me njëra-tjetrën, të teorizosh jetë pa marrëdhënie. 

Është e kotë të kapesh me teorinë, kur dikush gabon. Abstraksioni është gjithnjë real. Është njëra prej formave më sublime që mund të marrë trupi, një formë e domosdoshme për të.

Të qenit së bashku nga largësia është ushtrimi që bën të mundur shpikjen e fjalëve të reja, qëndrimeve të rinj, horizontëve të rinj. E fundja diçka tashmë ka nisur të ndodhë. Por bëhet fjalë për një ushtrim i cili ka nevojë për shumë durim. 

Një ushtrim të cilin shumë gra e kanë përjetuar në lëkurën e tyre gjatë shekujve, në shtëpitë e tyre.

Do ta rizbulojmë qendërsinë e konditës shtëpiake. Do të kemi mundësinë për të zbuluar më në fund potencialet e saj politike, prej të cilave nuk privohet privatja. Me trupat, përdorimin e të cilëve ne mendonim se e njihnim të cilët, nëse do të tregohemi të mirë me ta e do t´u japim vëmendjen e duhur, kanë për të na dërguar atje ku nuk kemi qenë kurrë ndonjëherë. 

Është shans. Mos ta lëmë të na ikë.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi