(Ky shkrim u botua në 17 mars 2020)

Shkruan Hannah Arendt se «kohët e errëta» janë ato kur 

«Hapësira publike errësohet dhe bota bëhet aq e paqartë sa që personat nuk kërkojnë më asgjë tjetër prej politikës, përveçse t´u kushtojë vëmendje interesave të tyre jetikë dhe lirive të tyre private».

Në gjendjen e emergjencës që po përjetojmë, ku politika është reduktuar tërësisht në vendimmarrje vertikale, në të cilën çdo formë e pjesëmarrjes apo e shqyrtimit dhe diskutimit të vendimeve është pezulluar, e ku gjendemi të shtrënguar të rrimë në shtëpi, të frikësuar, ku na ndalohet lëvizja apo takimi me njëri-tjetrin, është e fortë përshtypja se po ndodh një errësim i dimensionit publik.

Është e lartë gjasa që pandemia e COVID-19 të jetë një prej atyje nyjëtimeve të kohës historike të cilave me të drejtë u japim emërtimin kriza, sepse e paparashikuara sjell lëkundje të sistemeve teorike, aseteve institucionale dhe formave të jetës, duke krijuar hapjen për ndryshime të pakthyeshme pas. Kriza duhet lexuar me dykuptimësinë e rrënjës greke krisis, e cila na jep idenë e zgjedhjes, e marrjes së vendimit, duke përvijuar një rrezik, një kërcënim, por edhe (paçka se dramatike) një mundësi e shans.

Çfarë na pret përtej krizës? Errësimi i plotë i politikës? Apo rigjenerimi i saj në forma që sot e kemi të vështirë t´i parashikojmë? A do të jetë terri ai që do të ecë përpara, kompletimi përfundimtar i veprës depolitizuese të prodhuar prej neoliberalizmit, të ndihmuar prej një ngjarjeje sa të papritur aq edhe rrënuese? Apo do të jetë një eklips i hapësirës publike, me mbarimin e të cilit ndonjë dritë tjetër do të kthehet të ndriçojë aftësitë tona për veprim politik.

Shumë varet, natyrisht, nga ajo që do të dimë të nxjerrim prej kësaj kohe të pezullt, dhe unë po marr guximin këtu për një farë optimizmi. Prej narrativës së jetës në kohën e COVID-19 vijnë sinjale kundërthënëse: manifestime individualizmi ekstrem prej free-riders-ësh, por, ndoshta në numër më të madh, shprehje – apo shenja a fragmente – të një vetëdije tjetër. Kurrë gjatë viteve të shkuara nuk kishim dëgjuar kaq shpesh të shqiptohen fjalë si përkujdesje, marrëdhënie, përgjegjësi. Ndoshta po mësojmë – në kurrizin tonë, por më mirë vonë se kurrë – se edhe përpara një virusi që ka efekt ndarës mes nesh e që na detyron të mbajmë distanca (një virus vërtet neoliberal, siç ka thënë Benasayag), kemi përgjegjësinë që të mendojmë përtej vetes sonë, mund të përkujdesemi për të tjerët edhe pse ata janë larg, pikërisht pse e dimë që jemi të brishtë, jemi në marrëdhënie të vazhdueshme me të tjerët, në një lidhje ndërvarësie reciproke.

«Një rrethanë e jashtëzakonshme» ka shkruar Caterina Botti, «na lejon që ta rigjejmë atë sfondin aq të rëndimtë sa shpesh bëhet i padukshëm, nuk e shohim, nuk e themi, sfondin mbi të cilin spikat ekzistenca jonë singulare, pra bashkësinë e marrëdhënieve që e bëjnë atë të mundur. Bëhet shumë i dukshëm, i thënshëm, fakti se jemi të varur njëri prej tjetrës e që askush nuk jeton apo nuk shpëton vetëm. Kjo gjë do të thotë edhe – për ta parë pozitivisht atë që në dukje të parë mund të lexohet negativisht – se është brenda fuqive tona, brenda fuqive të secilit prej ne, të bëjë diçka për të tjerët».

A mund ta shndërrojmë pra këtë krizë në një shans për të njohur. Edhe më tepër, a mund ta shndërrojmë këtë njohje në aftësi për veprim politik?

Mua më duket se vetëdija për brishtësine e secilit, për domosdoshmërinë e marrëdhënieve, për ndërvarësinë mes njëra-tjetrit, bashkuar me përvojën reale, fizike të sëmundjes, të zisë, të karantinës, të qeverisjes totale të jetëve tona, ka gjasa të mira që të prodhojë një ndjesi të re të përbashkët mbi shumë çështje politikisht të rëndësishme.

Disa ndryshime të rëndësishme tashmë janë sinjalizuar prej sondazheve të opinionit publik: emergjenca e virusit korona ka bërë të rizbulohet domethënia dhe vlera e publikut, pas dekadave gjatë të cilave është dhënë privatëve hapësirë në terrene jetike, siç është shëndetësia. Po ashtu, ka ndodhur edhe një ndryshim i përgjithshëm i mendimit të qytetarëve mbi projektin e «autonomisë së diferencuar», i cili deri para pak muajsh dukej se ishte pranë realizimit, e i cili do të dekretonte fundin e shërbimeve sociale të qasshme për të gjithë (mund të lexohet për këtë çështje Ida Dominijanni)

Por ka edhe më, në përvojën që po përjetojmë, e cila ka potencialin për të shndërruar ndjesinë e përbashkët dhe për të riorientuar politikën. Së pari, ndërprerja e beftë e ritmeve qerthullore të prodhimit e të konsumit, të cilat janë tipike për shoqëritë tona të kapitalizmit të vonë, edhe pse natyrshëm prodhon një ankth të gjerë për pasojat ekonomike, nuk duhet përjashtuar që mund të çojë edhe në vetëdijësim më të lartë për çmendurinë e një sistemi i cili i dënon njerëzit me punë edhe kur rrezikojnë jetën, jo vetëm pse janë të thirrur «në vijën e parë të frontit», jo vetëm për t´iu përgjigjur nevojave të prodhimit, por edhe (e shpesh në të njëjtën kohë), për shkak se nuk kanë asnjë mënyrë për të mbijetuar nëse nuk punojnë. Një sistem i cili shtyn të sakrifikohen për hir të punë, aspekte esenciale të jetës siç janë marrëdhëniet e përkujdesja. E për fund, një sistem i themeluar mbi pabarazitë – moshore, gjinore, klasore, shtetërore… – të cilat kriza e virusit korona i ka shpërfaqur dhe i ka evidentuar në mënyrë të tillë që është vështirë të ndodhë në koshte «të zakonshme». A do të dijë kjo krizë të prodhojë e të shpërndajë antitrupa kundër sundimit të pasfiduar të modelit neoliberal, i cili e bën homo œconomicus-in masë matëse të njeriut, dhe e bën individin përgjegjësin përfundimtar për mbijetesën e vet?

Në radhë të dytë, masat e ndërmarra për të «mposhtur» virusin, aq të vështira sa që të rikonfigurojnë tërësisht mënyrat tona të jetesës, na kanë çuar në përvoja konkrete – qoftë edhe për një kohë që urojmë të jetë e shkurtër dhe urojmë të ketë një fund – me peshën e politikave që ndikojnë sferën e të drejtave dhe të lirive individuale. Në një kohë historike të përshkuar prej joshjes nga modelet e ushtrimit autoritar të pushtetit, ndoshta nuk ka shans më të mirë se ky që të fitojmë imunitet prej tundimeve antidemokratike.

Në fund, COVID-19 e ka shkatërruar teorinë sovraniste. Për asgjë – përveçse për të helmatisur ujërat – nuk kanë shërbyer thirrjet raciste dhe bërtitjet për mbyllje të kufijve. Virusi nuk njeh kufij, dhe na paraqet imazhin e një planeti të ndërlidhur me një forcë të tillë që nuk ka mundur ta bëjë asnjë diskurs politik apo teorik deri më sot. Jo vetëm kjo, por pikërisht në momentin kur mirëqenia egoiste dukej se po pushtonte përfundimisht skenën politike, virusi na detyroi të përjetojmë përmbysjen e saj: jemi bërë ne tashmë ata trupat që duhen ndaluar nëpër kufij; ata që duhen izoluar nëpër anije apo nëpër aeroplanë, dhe u duhet ndaluar zbarkimi. Nuk ka më rëndësi se sa bardhësi, kulturë apo pasuri kemi. 

Do të ishte mirë që të gjitha këto të na jepnin ndonjë mësim. Të na mësonin psh. të kemi bashkëndjenjë me ata që arratisen, me frikërat e tyre. Edhe ne e gjetëm veten, brenda pak ditësh, duke nxituar për të kapur trenat, të kapluar nga paniku. Edhe ne e ndjemë se si të tjerët mund të bëhen të këqij ndaj nesh, kur na perceptojnë si rrezik.

Nëse rreziku prej infektimit dhe imperativi për t´u përkujdesur për të tjerët ka ditur të veprojë mbi ndërgjegjet tona, duke na bërë të mendojmë përtej vetvetes, a do të jemi në gjendje ta shndërrojmë këtë gjendje në energji politike, psh. përballë sfidave të mëdha të përbashkëta, si ajo mjedisore, apo si lufta kundër pabarazive shoqërore? A do të jemi në gjendje ta zgjerojmë vetëdijen për marrëdhëniet dhe ndërvarësinë e qenieve njerëzore, duke përfshirë mes jetëve «që kanë peshë» edhe ato të cilat kanë mbetur nëpër kufijtë e Evropës e që Evropa i ka braktisur në dorë të fatit?

Kur të mbarojë gjithë kjo (sepse do të mbarojë, apo jo?), do të duhet të mendojmë për të vdekurit e për të gjallët tanë, për të rindërtuar një sistem shëndetësor publik në lartësinë e sfidave që vijnë prej plakjes së popullsisë, për të riparuar botën e punës të shkatërruar prej mungesës së mbikqyrjes, për t´i dhënë hapësirë në jetët tona edhe gjërave të tjera përveç përfitimit, apo mbijetesës së thjeshtë, si dhe për t´i dhënë hapësirë të tjerëve, që kërkojnë mbrojtje.

Nëse përvoja e tmerrshme që po përjetojmë do të dijë të na ushqejë ndjesi të reja të përbashkëta dhe një qasje etike e politike të frymëzuar prej vlerave si përkujdesja, përgjegjësia e solidariteti, eklipsi i cili sot duket se po na sjell errësirë, do të mund të përfundojë. Do të mund të çelet rruga për një dritë të re. Madje, për shumë prej nesh, për gjeneratën time – ky është guximi im – do të mund të ishte përvoja e politizimit më të madh që na ka rënë për fat të përjetojmë kolektivisht. 

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi