(Ky shkrim u botua në 7 prill 2020)

Si mund të vente puna deri aty sa për shkak të një sëmundjeje seriozitetin e së cilës nuk mund ta gjykoj, por e di që nuk është murtajë, një shoqëri e tërë ta gjykonte të arsyeshme që të ndjente veten të molepsur apo të helmatisur, të ngujohej nëpër shtëpi e të pezullonte kushtet normale të jetës, pra kushtet e saj të punës, marrëdhëniet shoqërore dhe dashurore, e bile edhe bindjet e saja fetare e politike? Po si mund të ndodhte që dita ditës të shikonim veten e të tjerët, thua se ai apo ata janë agjentë infektimi, e duhet ta mbulojnë fytyrën e tyre me një maskë dhe të mbajnë një distancë sigurimi prej 2 metrash? Mendoj se na duhet patjetër që të reflektojmë në lidhje me këtë. 

Të jepet përshtypja sikur kjo sëmundje ngjitëse, në njëfarë mënyre, ka ekzistuar tashme, qoftë edhe vetëm në të pavetëdijshmen tonë. Mesa duket kushtet jetësore janë katandisur në atë farë feje, sa ka mjaftuar një shenjë e beftë që këta kushte të shpërfaqen mu ashtu si janë – do të thotë: të padurueshëm, tamam si një sëmundje ngjitëse. Në njëfarë mënyre, kjo është e vetmja gjë pozitive që do të mund të evidentonim nga kjo situatë: Ka mundësi që njerëzit të pyesin veten më vonë, se a ka qenë kjo mënyra e duhur si ata e kanë çuar jetën.

Ortodoksia e re

Megjithatë, neve na duhet të reflektojmë jo më pak edhe mbi nevojën për religjionin që e nxjerr në pah këtë situatë. Një tregues për këtë është gjuha e huajtur nga fjalori eskatologjik që po rikthehet në një mënyrë obsesive në një ligjërim goditës të medias dhe shpall fundin e botës. Duket sikur nevoja religjioze, të cilën kisha nuk është më gjendje ta përmbushë, qëmton një tjetër vendqëndrim, por që të njëjtin e gjen tek ai religjion që kaherë është shndërruar në religjionin e mirëfilltë të kohës sonë: tek shkenca. 

Ashtu si çdo religjion tjetër, edhe ky mund të evokojë besëtytni dhe ankthe, gjë që është tipike për religjionet në kontekstin e krizave, e opinioneve dhe rregullave të ndryshme dhe kundërthënëse. Ato shtrihen nga pozicioni i minoritetit heretik (që e kanë marrë gjithashtu disa shkencëtarë me nam) i cili kundërshton seriozitetin e fenomenit, deri tek diskursi mbisundues ortodoks, i cili pohon të kundërtën dhe përfaqësuesit e të cilit kanë qasje radikalisht divergjente përsa i përket luftës ndaj sëmundjes. Dhe në raste të tilla, siç është zakon, dalin në shesh disa njohës a kinse njohës që i shkojnë pas qejfi monarkut të tyre, i cili si në kohën grindjeve religjioze që e përçanë atëbotë krishterimin, ndërhynte sipas interesit të njërës rrymë apo tjetrës parti dhe zbatonte masat që ai vetë i caktonte.

Një çështje e tretë për të cilën duhet vrarë mendjen gjithashtu është shkallmimi publik i çdo bindjeje, çdo besimi të përbashkët. Duhet pranuar fakti, se njerëzit nuk besojnë më në asgjë përpos në jetën e zhveshur biologjike, të cilën duam ta ruajmë me çdo kusht. Por mbi frikën për të mos humbur jetën, ngrihet një tirani, një leviatan përbindësh me shpatën e tij zhveshur. 

Për këtë arsye, ata njerëz që kanë ruajtur sado pak kthjelltësinë e mendimit, do ta kenë të pamundur që, pasi të njoftohet fundi i epidemisë, t’i rikthehen jetës së para krizës. Mbase kjo është pikërisht çështja që sot na dëshpëron më së shumti, edhe pse, siç e ka thënë dikush, shpresa na është dhënë vetëm për hir të pashpresës. 

Eufemizmi i ri

Historia na mëson se çdo dukuri sociale ka implikime politike ose të paktën duhet të ketë. Ndaj është e udhës që të vëzhgojmë me kujdes konceptin e ri që sapo ka zënë vend në leksikun politik të perëndimit: Social Distancing, pra distancimi social. 

Ndonëse koncepti mori konotacion eufemik vetëm për të shmangur fjalën e tmerrshme “kufizim”, duhet megjithatë t’ia shtrojmë vetes pyetjen, se si do të dukej një rend politik që do ngrihej mbi këtë bazë. Meqë nuk bëhet fjalë për një hipotezë të kulluar teorike, kjo punë bëhet edhe më urgjente. Çdo urgjencë – kësaj herë është shëndetësore – është gjithashtu edhe një laborator, ku testohen gjendjet e reja politike dhe sociale që janë ende në pritje të njerëzimit. 

Natyrisht që ka si gjithmonë njerëz të marrë që bëjnë thirrje për të nxjerrë përfitime pozitive nga e tërë kjo situatë. Sigurisht se nuk duhet të mungojë evidenca, që teknologjitë e reja dixhitale, fatmirësisht prej shumë kohësh tash, po na mundësojnë komunikime në distancë. Nuk besoj që një komunitet që krijohet në bazë të Social Distancing do të jetë i aftë njerëzisht dhe politikisht për të mbijetuar. E shoh të rëndësishëm faktin që ne duhet të reflektojmë mbi këtë temë, pa marrë parasysh perspektivat tona subjektive. 

Si fillim, mendimi merr në shqyrtim thelbin vërtet karakteristik të fenomenit, i cili doli në pah si rezultat i masave të Social Distancing. Në kryeveprën e tij “Masa dhe pushteti”, Elias Kaneti, masën mbi të cilën bazohet pushteti, e përkufizon përmes shfuqizimit të frikës se do të të prekin. 

Ndërsa njerëzit zakonisht frikësohen nga prekja e një të panjohuri, dhe përsa që njerëzit të gjithë distancën e krijuar rreth vetes e ndërtojnë si pasojë e frikës, atëherë situata e vetme ku kjo frikë mposhtet është masa. “Vetëm kur jemi midis masës çlirohet njeriu nga frika e të prekurit. (. . .) Sapo t’i jepemi njëherë masës, nuk kemi më frikë nga prekja. (. . .) Kushdo që të ngjesh, është i ngjashmi yt. Pastaj papritmas gjithçka funksionon si brenda një trupi. (. . .) Kjo mposhtje e frikës nga prekja i takon masës. Lehtësimi që përhapet brenda saj, arrin një masë dukshëm të lartë në dendësinë e saj më të madhe”

Kolektivizmi i ri

Nuk mund të them se ç’do të kishte menduar Canetti rreth fenomenologjisë së re të masës, me të cilën jemi duke u ballafaquar tani. Ajo çfarë është krijuar nga veprimet e marra për distancimin social është vërtet një masë, por, si të thuash, është një masë kokëposhtë, që përftohet nga individë të cilët mbajnë me çdo kusht në një distancë të ndërsjellë. Një masë jo e dendur, po e holluar, që megjithatë ngelet masë, kur ajo, ashtu si fill më pas e saktëson Canetti, përkufizohet sipas kompaktësisë dhe pasivitetit të saj, ajo në këtë mënyrë “nuk i mundësohet asnjë lëvizje vërtet e lirë. (. . .) Masa e amullt rri e pret. Ajo pret një kokë për t’iu treguar”.” 

Disa kapituj më tutje, Canetti përshkruan masën që krijohet përmes një ndalimi: “Nuk duan të bëjnë hiç më shumë kur janë bashkë, sa kanë bërë deri atë çast si individë.” Ndalimi është i papritur; ata ia imponojnë atë ndalim vetes. (. . .) Sidoqoftë ai godet me një forcë të madhe. Ka vetinë e domosdoshmërisë së një urdhri, por ajo çfarë është vendimtare në këtë ndalim është karakteri i tij negativ.” 

E rëndësishme është që mos dalim nga tema: Një komunitet që ngrihet mbi parimin e Social Distancing – siç mund të besohet me naivitet në fillim – nuk ka të bëjë fare me një individualizëm të skajshëm. Përkundrazi, ky komunitet do qe – ose nga vëzhgimet tona ai tashmë është – një masë e holluar dhe e krijuar mbi një ndalim, e cila pikërisht për këtë arsye është veçanërisht kompakte dhe pasive.

Përktheu nga gjermanishtja Bekim Qoku