Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, situatat politike, ekonomike e sociale në botë kanë pasur dy anë të peshorës në të cilën janë matur, por që çuditërisht, njësia matëse dhe krahasuese ishte gjeografia: lindja dhe perëndimi. Kjo ndarje ndonëse e shprehur në terme gjeografike, ka qenë dhe është ndarje ideologjike në pyetjen se si duhet konceptuar raporti i shtetit me ekonominë. Zëvendësim i çuditshëm i ideologjisë me gjeografinë!

Ndërhyrja e madhe shtetërore në ekonomitë e bllokut të lindjes përgjatë shekullit 20-të, ndikoi në situatat politike, ekonomike e sociale edhe të vendeve të bllokut të perëndimit. Pas krizës së madhe ekonomike të viteve 1929-39, sistemi liberal ekonomik u vu në pikëpytje dhe alternativa e vetme që shihej nga shumë në perëndim ishte socializmi shtetëror i ndërtuar në Bashkimin Sovjetik. Kjo alternativë ishte drithëruese për liberalët. Rruga e tyre e vetme ishte të ulnin volumin e lirisë së tregut dhe të bënin kompromise me klasën punëtore duke ua plotësuar kërkesat e tyre legjitime për orarin e punës, kushtet e punës, ditët e pushimit, të ardhurat, shkollimin, shëndetësinë, etj.

Por, siç e dimë, shteti socialist dështoi në fund të shekullit 20-të dhe ekonomia liberale, e evoluar tashmë në neoliberalizëm, ngadhnjeu përballë ekonomive në të cilat po ndërhynte shteti. Pasi që ishte etabluar tashmë në vendet e perëndimit, rënia e socializmit në lindje kishte hapur mundësinë që neoliberalizmi të globalizohej dhe të shtrihej në tërë rruzullin. Derregullimi financiar, liria tregtare, shfrytëzimi i fuqisë së lirë punëtore në vendet e pazhvilluara dhe në ato në zhvillim, ishin asete të paçmueshme për neoliberalizmin. Neoliberalizmi tashmë po kalonte në një fazë tjetër: ai më nuk ishte alternativë ekonomike, ai ishte sistem i paalternativë. Ironikisht, ishte e kundërta e postulatit të tij kryesor: konkurencës si motor dhe gjenerues të zhvillimit dhe progresit. Përhapja e këtij sistemi në mënyrë aq të shpejtë dhe aq masive, u pa si vulë se ekonomia nuk mund të funksionojë me shtetin brenda saj. Ekonomia mund të funksionojë vetëm e vetme, pa ndërhyrje “artificiale” të cilat çrregullojnë tregun e lirë. Tashmë, vendet e zhvilluara perëndimore kishin kaluar nga faza industriale, në atë post-industriale, e vendet e pazhvilluara e në zhvillim po industrializoheshin me ritme të shpejta, falë fuqisë së lirë punëtore dhe hapjes së tregut. Çdo rezultat në terren po shndërrohej në argument ideologjik se neoliberalizmi është stacioni i fundit i historisë së njerëzimit.

Por, ky trend i neoliberalizmit nuk ishte i pafund. Që në fillet e tij neoliberalizmi tregoi se ka shumë të meta dhe njëra ndër më të rëndësishmet nga to ishte pabarazia që po shkaktonte në çdo vend ku kishte filluar së zbatuari. Sipas ekonomistit francez Thomas Piketty-t, në vitin 1979-të, pra para qeverisjes së Thatcher-it dhe zbatimit të neoliberalizmit në Mbretërinë e Bashkuar, pabarazia në të hyra e matur nëpërmjet koeficientit Gini ishte 0.25, dhe nga viti 1983 ky faktor u rrit vazhdimisht deri në 0.36, në dekadën e dytë të shekullit të ri (sa më i lartë të jetë faktori Gini, pabarazia në të hyra është më e madhe.) Në anën tjetër, shtypja e sindikatave nuk rezultoi me mirëqenie më të lartë për punëtorët, ashtu siç paradoksalisht pretendonin neoliberalët. Këtë më së miri e tregon raporti i pjesëmarrjes së punëtorëve në sindikata dhe rritja e pagave përgjatë periudhave të ndryshme në ShBA. Sipas një hulumtimi nga Instituti për Politika Ekonomike në ShBA, po të ishte pjesëmarrja në sindikata sot, siç ishte në vitet e 70-ta, punëtorët e ShBA-së do t’i kishin pagat rreth 9% më të larta se sot. Por, neoliberalizmi nuk u tregua i dëmshëm për të gjithë. Mungesa e rritjes së përfitimeve për punëtorët u përkthye si kosto më e ulët për pronarët, për të cilët u rritë marzha e fitimit. Nga koha e Reagan, kur përqindja e të hyrave të përgjithshme të cilat i përfitonte 1%-shi më i pasur në ShBA ishte rreth 12%, ajo u rritë deri në 24% në shekullin 21.

Neoliberalizmit sot po i shfaqet edhe një e metë tjetër: mungesa e rritjes ekonomike. Ka kohë që vendet e perëndimit, ku përparësi në masë të madhe i jepet investimeve private, nuk kanë shënuar rritje të theksuar ekonomike. Sipas raporteve të Bankës Botërore, përgjatë viteve të fundit rritja e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) për kokë banori në BE ka qenë rreth 1.6%, në ShBA rreth 1.3% dhe në Japoninë e goditur nga deflacioni afatgatë, rreth 0.2%. Në anën tjetër, vendet të cilat përgjithësisht bazohen në investimet shtetërore po shënojnë rritje ekonomike në vazhdimësi dhe në shkallë të lartë. Investimet masive dhe planifikimi shtetëror i tyre, ka sjellur rezultate të dukshme në ekonomitë si ajo e Kinës dhe e Indisë, të cilat tani po realizojnë strategjitë ekonomike dhe politike që në dekadën e radhës të hyjnë në grupin e ekonomive me të ardhura të larta, sipas standardeve të Bankës Botërore. Rritja e BPV-së për kokë banori në Kinë dhe Indi, kap shifra mbi 6%.

Përveç rritjes ekonomike, vendet ku shteti ndërhynë rregullisht në ekonomi e kanë kaluar shumë më lehtë krizën financiare të vitit 2007-8. Siç tregon gjeografi David Harvey në librin e tij “Marx, Capital, and the Madness of Economic Reason”, në vitin 2008, për shkak se ShBA-të ishin në krizë dhe aty ishte ulur konsumi, eksportet e Kinës ranë për 30%. Shumë fabrika u mbyllën dhe 20-30 milionë punëtorë kinezë humbën vendet e punës. Në vitin 2010, siç tregon një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara tw Amerikws kishin 7.5 milionë vende të punës më pak për shkak të krizës, përderisa Kina kishte vetëm 3 milionë vende të punës të humbura. Me investime të mëdha shtetërore, Kina kishte arritur që t’iu gjejë vende të punës rreh 17 milionë personave që i kishin humbur ato në vititn 2008.

Sigurisht se shkalla e zhvillimit ekonomik mund të jetë mashtruese si njësi krahasimi, sepse ekonomitë në zhvillim zakonisht arrijnë shkallë më të larta të rritjes ekonomike në krahasim me vendet e zhvilluara. Por, çështja është se e ardhmja ekonomike botërore po farkëtohet nga investimet e planifikuara shtetërore, më shumë se sa nga investimet e çrregullta private. Rritjen e madhe ekonomike të cilën po e realizon Kina, po shprehet në ndikimin e saj politik dhe ekonomik në nivel të rajonit dhe atë botëror. Një ndër projektet më të mëdha është “Rruga e re e mëndafshit” me anë të së cilës Kina syon t’i lidhë me rrugë tokësore e detare Azinë, Afrikën dhe Evropën, me ç’rast projekti do të përfshijë 2/3 e popullsisë botërore dhe ¾ e burimeve të energjisë. Për këtë projekt Kina do të investoj rreth 100 miliardë dollar në vit dhe këtë shumë do ta financojë nga burimet shtetërore.

Krahasimin, përveç se mes të shteteve të ndryshme në kohë të njëjtë, mund ta bëjmë edhe në mes të shtetit të njëjtë në kohë të ndryshme. Pas Luftës së Dytë Botërore, ShBA-të kishin nevojë që të shfrytëzonin kapacitetet produktive të krijuara gjatë luftës dhe që të sistemonin veteranët e luftës në ekonomi. Në këtë periudhë në ShBA u bënë investimet më të mëdha të cilat lidhën Perëndimin e Jugun nëpërmjet lidhjeve rrugore; qytete të ndryshme u shndërruan në megaqytete; u investua në sistemet e ndryshme të transportit nëpër qytete të ndryshme, u zhvillua periferia dhe kështu u krijua një kulturë e re jetese, e njohur si “ëndrra amerikane”.

Ëndrra amerikane realizimin më të afërt e ka pasur deri në vitet e arta të 1970-ave, kur ekonomia bazohej në prodhimin industrial dhe mirëmbahej nëpërmjet një klase të mesme të madhe e stabile. Sot, kjo ëndërr është shumë më e largët, për shkak se klasa e mesme është në zvogëlim të vazhdueshëm, përderisa hendeku i pabarazisë ekonomike është gjithmonë në rritje. Arsye për këtë është derregullimi i sistemit financiar, liberalizimi i tregut dhe tërheqja e shtetit nga investimet e planifikuara dhe afatgjata ekonomike. Por, njeriun e parë në hënë nuk e dërgoi investimi privat, por ai shtetëror. Programet e investimeve të viteve të 1950-a dhe 1960-a, të cilat bëheshin për ta kaluar zhvillimin teknologjik të Bashkimit Sovjetik, kanë mundësuar lulëzimin e arsimimit, hulumtimeve shkencore dhe inxhinierike në ShBA. Si rezultat i këtyre investimeve shtetërore, u mundësua edhe krijimi i Silicon Valley, që sot shihet si simbol i suksesit të ndërmarrësisë private.

Në vitin 2015 buxheti i ShBA-ve për financimin e hulumtimeve dhe zhvillimin e teknologjive të reja ishte 0.6% e shpenzimeve të përgjithshme, e cila është 1/3 e buxhetit që ishte ndarë për këtë qëllim në vitin 1964. Për më keq, buxheti i propozuar nga Donald Trump për vitin 2019 i shkurton investimet në këtë sektor për 42.3%. Ky dhe tregues të tjerë janë arsyeja e rrezikimit të shtresës së mesme në ShBA, përderisa shtresën e mesme të konsoliduar e në rritje e gjejmë tek vendet ku shteti ndërhynë rregullisht në ekonomi.

Pas luftës së fundit, edhe shteti ynë përdori mekanizmat e veta për ta zhbërë veten, e bashkë me veten edhe industrinë prodhuese nga ekonomia. Fabrikat që dikur prodhonin produkte që eksportoheshin në Evropë, u kthyen në studio televizive e në depo tregtare. Ato ndërmarrje që vazhduan me prodhim, pasiqë u blenë nga investitorët e huaj, shfrytëzonin punëtorët e vendit tonë me kompensime të ulta e pa siguri në punë. Sindikatat u luftuan duke i korruptuar e duke vënë si të parët e sindikatave persona që punëtorin e kishin të fundit në listën e tyre. Partitë politike u kooptuan me këtë sistem, e ekonomistët që dikur diplomuan me teza të ekonomisë socialiste, brenda natës u shndërruan në gardianë të privatizimit, derregullimit, hapjes së tregut e deindustrializimit. Filozofi Slavoj Žižek del se ka të drejt kur ironikisht thotë se menaxherët më të mirë e më të suksesshëm të kapitalizmit janë socialistët e dikurshem ose të tanishëm, si në Hungari, Kosovë, Slloveni, Poloni në njërën anë, dhe Kinë, Vietnam e Laos në anën tjetër.

Rezultatet të cilat i ka prodhuar neoliberalizmi në Kosovë janë të ditura për të gjithë ne: pjesëmarrje e ulët në fuqinë punëtore; papunësi e lartë, veçanërisht tek vajzat dhe gratë; mungesë e prodhimit; deficit të lartë tregtar; mungesë të investimeve shtetërore e private; mungesë të investimeve të jashtme; rrezikim të shtresës së mesme ekonomike dhe polarizim ekonomik të shoqërisë, duke krijuar një shtresë të vogël të pasur dhe një shtresë të madhe të rrezikuar nga varfëria, apo tashmë nën varfëri.

Ivestimet private po tregohen impotente jo vetëm në ekonominë tonë, por edhe në ato të vendeve të zhvilluara e në zhvillim. Njohja e rrethanave të cilën e posedon shteti, kapacitetet intelektuale, financiare e politike që ka shteti si autoritet, kanë bërë që investimet shtetërore t’i lënë prapa ekonomitë të cilat dominohen nga investimet private. Jo se po paraqitet si diçka befasusese, por rezultatet e neoliberalizmit po vulosin faktin që ky sistem më shumë sjellë rritje të pabarazisë, sesa rritje ekonomike. Investimet private të motivuara vetëm nga profiti, mundësisht profiti i shpejt, po lenë pasoja të mëdha negative në shoqëritë e ndryshme. Në anën tjetër, investimet e planifikuara e afatgjata shtetërore, po prodhojnë rritje të lartë ekonomike dhe po mundësojnë krijimin dhe mbajtjen e shtresës së mesme.

Sigurisht se edhe në ekonomitë ku shteti ndërhynë rregullisht, investimet private janë të pranishme dhe ato krijojnë vlerë dhe gjenerojnë zhvillim ekonomik. Por, ato si të vetme dhe të pa orientuara nga shteti po gjenerojnë zhvillim të ulët ekonomik dhe, në anën tjetër, po e rrisin pabarazinë ekonomike e sociale. Ky realitet, po shfaqet haptazi veçanërisht në vendet në zhvillim.

Prandaj, ekonomisë sonë sot nuk i duhet privatizim i mëtutjeshëm dhe bartje e potencialit ekonomik tek sektori privat. Ekonomia jonë ka nevojë për strategji shtetërore të zhvillimit, që për nga përvoja tashmë e dimë se duhet të jetë e kundërta e privatizimit. Mungesa e shtetit në ekonominë tonë nuk ka prodhuar rritje të mirëqenies. Përkundrazi, ajo i ka hapur rrugë krimit ekonomik dhe rritjes së pabarazisë ekonomike. Ekonomia jonë ka nevojë për më shumë shtet brenda vetes, në formë të planifikimit të investimeve, kanalizimit të burimeve natyrore e njerëzore, rritjes së cilësisë në arsim, investimit në hulumtim e zhvillim, luftimin e krimit e zhvillimin e një gjyqësori të drejt.

Që të dyja, përvoja në nivel lokal dhe shembulli në nivel global, na tregojnë së neoliberalizmi nuk është zgjidhje e problemeve tona, por shkaktari i shumë prej tyre. Prandaj, vendi ynë nuk duhet të humbë kohë duke ecur edhe më tutje në këtë linjë ideologjike. Vendi ynë ka nevojë për ndryshim rrënjësorë të konceptimit të raportit të shtetit me ekonominë.