(Ky shkrim është botuar në 17 mars 2020)

Virusi korona nuk njeh kufij. Është shpërhapur thuajse në gjithë botën, e sigurisht në gjithë Evropën. Është një emergjencë globale, e cila lyp një përgjigje globale. Pra mund të nxjerrim prej tij dy mësime, që na detyrojnë të reflektojmë për të ardhmen.

Mësimi i parë ka të bëjë me brishtësinë tonë dhe bashkë me të për ndërvarësinë tonë totale. Pavarësisht përparimeve teknologjike, rritjes së pasurive dhe shpikjes së armëve gjithnjë e më vdekjeprurëse, vazhdojmë – të gjithë, e shumë lehtësisht, për sa kohë që jemi qenie thjesht njerëzore –të jemi të cënueshëm prej katastrofave, ca prej tyre të provokuara prej vetë nesh me ndotjet tona të papërgjegjshme, të tjera, si epidemia aktuale, pasojë e fatkeqësive natyrore.

Me një ndryshim në krahasim me gjithë tragjeditë e së shkuarës: karakteri global i katastrofave bashkëkohore të cilat godasin gjithë botën, të tërë njerëzimin, pa dalluar kombësitë, kulturat, gjuhët, fetë, apo as kushtet politike e ekonomike.

Rrjedh, fatkeqësisht – prej kësaj pandemie planetare – një pohim dramatik i domosdoshmërisë dhe i urgjencës për të krijuar një konstitucionalizëm planetar: siç u propozua prej shkollës «Costituente Terra» të cilën e përuruam në Romë në 21 shkurtin e shkuar.

Mësimi i dytë ka të bëjë me nevojën që përballë emergjencave të një natyre të tillë të merren masa efikase e sidomos të njëtrajtshme, të shmanget shumëllojshmëria e masave të aplikuara, që në shumë raste janë të papërshtatshme, sepse kjo mund të çojë në favorizim të infeksionit dhe mund të shumëfishojë dëmet për të gjithë.

Mirëpo, përkundër kësaj, secili vend po merr masa të tjera, ndonjëherë tërësisht të pamjaftueshme si ato që morën ShBA e Anglia, ku qeveritë po e nënvleftësojnë rrezikun për të mos dëmtuar ekonomitë e tyre. Edhe në Evropë 27 vendet anëtare po lëvizin në mënyrë të pakoordinuar, duke përdorur secila strategji të ndryshme: prej masave të forta në Itali e Spanjë, e tek ato më të lehta në Francë e Gjermani. E të paktën për sa i përket Evropës, marrja e masave të përbashkëta kundër epidemisë do të duhej të ishte edhe pasojë e detyrueshme e traktateve në fuqi.

Neni 168 i Traktatit mbi funksionimin e BE-së, që i dedikohet shëndetësisë publike, pasi që pohon se «Bashkimi është garantues i një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit njerëzor», cakton se «shtetet anëtare koordinojnë mes njëri-tjetrit, në lidhje me Komisionin, politikat respektive» si dhe se «Parlamenti Evropian dhe Këshilli mund të marrin edhe masa për të mbrojtur shëndetin e njerëzve, sidomos për të luftuar kundër goditjeve të mëdha që shpërndahen përtej kufijve». Përveç kësaj, neni 222 i titulluar «Klauzola të solidaritetit» cakton se «Bashkimi dhe shtetet anëtare veprojnë së bashku, në një frymë solidariteti, sa herë që një shtet anëtar është viktimë e ndonjë fatkeqësie natyrore».

Si është e mundur që Bashkimi Evropian është i aftë të imponojë te shtetet anëtare vetëm sakrifica politike, politika austeriteti që shkojnë në të mirë të balancës buxhetore, por nuk është në gjendje të imponojë masa shëndetësore që shkojnë në të mirë të qytetarëve të tij? Komisioni Evropian ka ndër pjesëtarët e vet një komisioner për shëndetësinë, një tjetër për të drejtat shoqërore, një tjetër për kohezionin dhe reformat, madje edhe një për administrimin e krizave. Çfarë po presin këta, pse nuk e marrin në dorë këtë situatë emergjence, që të çojnë përpara në gjithë Evropën, me udhëzime të qarta, masa homogjene e efikase në përballje me epideminë?

Por mbi të gjitha karakteri global i kësaj epidemie vërteton se është nevoja – tashmë evidente në çështjet e sulmit ndaj mjedisit, por bëhet edhe më e dukshme e më urgjente prej bilancit të përditshëm të të vdekurve e të të infektuarve – që të krijohet një Kushtetutë e Tokës, e cila parasheh garanci dhe institucione në lartësinë e sfidave globale, e që përkujdeset për jetën e të gjithëve.

Ekziston tashmë një Organizatë Botërore e Shëndetësisë. Por ajo nuk ka mjetet dhe aparatet e nevojshme as për të çuar në vendet e varfra 460 barna jetike të cilat para 40 viteve kjo organizatë vendosi që do të duhet të ishin të qasshëm prej secilit njeri, e që mungesa e tyre shkakton çdo vit 8 milionë të vdekur. Sot epidemia globale i godet të gjithë, pa bërë dallim mes të pasurve e të varfërve.

Do të duhej pra të shfrytëzohej rasti e të bëhej OBSh-ja një institucion që i jep siguri globit, e pajisur me pushtet e mjete ekonomike të nevojshme për t´u përballur me krizën me masa të arsyeshme e të përshtatshme, të pakushtëzuara prej interesave politikë apo ekonomikë ekzistues, por me synimin e vetëm garantimin e jetës të gjithë qenieve njerëzore, veç pse janë të tilla.

Për këtë hap përpara në qytetërim – realizimin e një konstitucionalizmi global dhe të një sfere publike planetare – sot ekzistojnë të gjitha premisat: jo vetëm ato institucionale por edhe ato sociale e kulturore. Mes pasojave të kësaj epidemie shohim se është edhe rivlerësimi i sferës publike në kuptimin e përbashkët, një ripohim të primatit të Shtetit përballë pushteteve Lokale në lidhje me çështjet e shëndetësisë, e mbi të gjitha zhvillimin – pas viteve plot urrejtje, racizëm e sektarizëm – të një ndjenjë të jashtëzakonshme e të papritur të solidaritetit mes njerëzve e popujve, gjë që po demonstrohet në ndihmat e ardhura nga Kina, në këngët e përbashkëta e në manifestimin e dashurisë e të falënderimit, nëpër ballkonë, ndaj mjekëve e infermierëve, shkurt, nga perceptimi se jemi një popull i vetëm në këtë planet Tokë, e përbashkëta jonë krijohet prej konditës së përbashkët ku jetojmë të gjithë.

Ndoshta prej kësaj tragjedie mund të lindë më në fund një vetëdije e përgjithshme mbi destinin tonë të përbashkët, gjë që do të kërkonte një sistem të përbashkët që do të na i garantonte të drejtat tona dhe bashkëjetesën tonë paqësore e solidare.

Përktheu nga italishtja Arbër Zaimi