A ka diçka të bëjë skepticizmi djathtist ndaj virusit korona me filozofinë postmoderne të Thomas Kuhn-it?

(Ky shkrim është botuar në «Scientific American» më 9 mars 2020)

Jam duke u shëruar prej një gripi, kështu që po kaloj më shumë kohë se zakonisht i vetmuar këto ditë, me ide të çuditshme që vallëzojnë në trurin tim nën ethe. Së fundmi ca mendime të ndryshme – mbi Thomas Kuhn-in, mohimin e AIDS-it, George Bush-in, Errol Morris-in, Trump-in, dhe sigurisht virusin korona – të gjitha të kombinuara në një mënyrë të tillë që më çuan në përfundimin: postim për blog!

Do të filloj me Kuhn-in. Ai është filozofi i shkencës i cili argumentoi, në librin e tij të vitit 1962 Struktura e Revolucioneve Shkencore, se shkenca kurrë nuk mundet të arrijë të vërtetën objektive e absolute. Realiteti është i panjohshëm, përgjithnjë i mbuluar pas vellos së hamendjeve tona, paragjykimeve dhe përkufizimeve apo «paradigmave» tona. Së paku kjo është çka unë mendoj se Kuhn-i ka argumentuar, sepse shkrimet e tij janë aq të turbullta sa që s´mund të jem i sigurtë. Kur e intervistova, në vitin 1991, isha i vendosur të zbuloja se sa skeptik qe ai në të vërtetë. 

Na doli se ishte vërtet tepër, tepër skeptik. Folëm për orë të tëra në zyrën e Kuhn-it në MIT, dhe e gjeta veten në pozicionin që mbron idenë se shkenca ca gjëra i kupton drejt. Në një pikë i thashë Kuhn-it se filozofia e tij gjen aplikim në fusha me prirje «metafizike», si mekanika kuantike, por jo në terrene shumë më të drejtpërdrejta, siç është studimi i sëmundjeve infektive.

Si shembull mora AIDS-in. Ca skeptikë, sidomos virologu Peter Duesberg, shtronin pyetje se a është vërtet i ashtuquajturi virus i imunodeficiencës njerëzore, HIV-i ai që e shkakton AIDS-in. Këta skeptikë ose kishin të drejtë ose gaboheshin, i thashë, e jo thjesht saktë apo gabim brenda një konteksti të veçantë social – kulturor – linguistik. Kuhn-i tundi kokën prerë dhe tha:

Do të thosha se ka shumë terren të rrëshqitshëm. Është një spektër i tërë virusësh që përfshihen në këtë. Është një spektër i tërë kushtesh, prej të cilave AIDS-i është vetëm njëra syresh, e kështu me radhë… Mendoj se kur të gjitha këto të publikohen, ti do të thuash ah, tash po e kuptoj pse Duesberg-u besonte ashtu, paska ditur diçka dhe ai. Unë nuk mund të të them se a e ka të saktë apo të gabuar ai mendimin. Nuk besojmë më në këto gjëra. Por nuk besojmë as te ata djemtë që thonë se virusi është shkaki i AIDS-it… Çështja se çfarë është AIDS-i si një konditë klinike dhe se çfarë nuk është entiteti i sëmundjes në vetvete – kjo është gjë që ndryshon me kohën. E kështu me radhë. Kur mëson të mendosh më ndryshe për këto gjëra, nëse arrin të mësosh, nuk do të duket më me rëndësi shtrimi i pyetjes se a e ka dikush të drejtë apo gabim.

Kjo ishte e folura tipike e Kuhn-it. Si për të demonstruar pikëpamjet e veta mbi mënyrën se si gjuha mjegullon, ai i zgjaste pafundësisht me cilësorë pohimet e veta. Dukej i paaftë për të thënë diçka që s´kishte dykuptimësi. Por, çka po thoshte ishte se, edhe kur vijmë te një pyetje që duket si e drejtpërdrejtë – dhe me rëndësi jetike! – si ajo se a e shkakton HIV-i apo jo AIDS-in, ne nuk jemi në gjendje të themi se cila është «e vërteta». Nuk i ikim dot interpretimeve, subjektivitetit, kontekstit kulturor, prandaj kurrë nuk mund ta dimë se a është objektivisht i drejtë apo i gabuar, një pretendim i dhënë.

Këtë perspektivë unë e quaj postmodernizëm ekstrem. Unë nuk jam postmodernist ekstrem. Po, shkenca është veprimtari subjektive e kulturalisht kontingjente, dhe gjuha mbulon po aq sa zbulon e llaka-llaka, mirëpo ndonjëherë shkenca ka të drejtë. Shkenca i ka zbuluar elementët, galaksitë, bakteriet dhe viruset, e nuk i ka shpikur ato.

Dikur, në vitet 1960 dhe 1870 postmodernizmi ishte shumë i përhapur në qarqet majtiste, te tipat kundërkulturorë që e shihnin shkencën si të lidhur me kapitalizmin, militarizmin dhe izma të tjerë të këqij. Por, gjatë këtyre dekadave të fundit, postmodernizmi ekstrem – e sidomos ideja se çdo pohim reflekton interesat e atij që e thotë – është bërë edhe më i përhapur në mesin e djathtistëve.

Kjo u bë e qartë qysh herët gjatë administratës së George W. Bush, kur një zyrtar i lartë i administratës, në një intervistë me reporterin e The New York Times, Ron Suskind, e përbuzi publikisht «komunitetin e bazuar te besimi në realitet», të cilin e përkufizoi si njerëz të cilët «besojnë se zgjidhjet dalin në pah prej studimit qëllimmirë të realitetit të vëzhgueshëm». Zyrtari i Bush-it vazhdoi: «Në të vërtetë bota nuk funksionon më kështu. Ne jemi një perandori tash, dhe kur ne veprojmë, krijojmë realitetin tonë».

Postmodernizmi djathtist u bë edhe më virulent pas zgjedhjes së Obama-s president në vitin 2008, siç e solli në kujtesë në një kolumnë të kohëve të fundit Nicholas Kristof i The New York Times. Në vitin 2009, pasi që zyrtarët e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve dhe ata të agjensive të tjera nisën të nxisin amerikanët për të marrë vaksinat kundër gripit të derrit, drejtuesi djathtist i një talk-shoë, Rush Limbaugh deklaroi «Unë nuk do ta marr (vaksinën) pikërisht sepse ti po më thua se duhet ta marr». Glenn Beck (a e mbani mend?) nuk ndenji pa thënë dhe ai diçka «Po të kisha dikë të infektuar nga gripi i derrit do ta lija të kollej mbi mua. Do të bëja saktësisht të kundërtën e asaj që thotë Homeland Security (Ministria e Brendshme)». Në atë kohë Donald Trump e siguroi Fox News-in se gripi «ka për t´u larguar» dhe se «vaksinat janë shumë të rrezikshme».

60 milion amerikanë u prekën prej gripit të derrit, 274.000 prej tyre u shtruan në spitale dhe 12469 vdiqën, sipas Qendrës për Kontrillin e Sëmundjeve. Një studim prej analistit të politikave publike, Mathew Baum nga Harvard, zbuloi se njerëzit nga shtetet e kuqe, pra nga shtetet që votojnë zakonisht republikanët, kishin përqindje më të ulët të njerëzve që e kishin marrë vaksinën ndaj gripit të derrit, prandaj patën edhe më shumë raste vdekshmërie prej tij. E megjithatë, sërish Trump dhe Limbaugh, sërish për arsye ideologjike, e nënvleftësuan virusin korona, të cilin Limbaugh e krahasoi me «një ftohje të zakonshme». Kështu Kristof e përmbylli kolumnën duke thënë se «ndërkohë që djathtistët e thekur mund të jenë shkak nervozimi për demokratët, ata më shpesh janë rrezik më i madh për vetë pasuesit e tyre».

Regjisori Errol Morris, i cili ka qenë student i Thomas Kuhn-it në vitet 1970 dhe përfundoi duke e urryer atë, ka sugjeruar se një pjesë të fajit e ka vetë Kuhn-i, për këtë rritje të postmodernizmit djathtistë. Siç kam argumentuar më parë, unë nuk e pranoj hipotezën e Morris-it. Unë më shumë jam i mendimit se postmodernizmi kuhnian dhe postmodernizmi djathtist janë raste të një evoluimi konvergjent. Përbuzja e Trump-it ndaj së vërtetës nuk ka ardhur prej debateve filozofike të përimëta deri në bezdisshmëri, por prej taktikave brutale politike që përdoren prej pushtetarëve totalitarë, të cilët deklarojnë se e vërteta është çkado që ata thonë. Nuk mund ta fajësojmë Kuhn-in për fake news-at e Trump-it, ashtu siç nuk mund ta fajësojmë as për propagandën e Hitlerit apo të Stalinit.

Çfarë mund të bëjmë për problemin e postmodernizmit djathtist? Unë sinqerisht nuk e di. Ankesat e opinionistëve liberalë si puna e Kristof-it ndoshta veç e acarojnë problemin, nëse vërtet kanë ndonjë ndikim real. Unë dyshoj se djathtistët do ta ndryshonin skepticizmin e tyre ekstrem veç nëse realiteti – në formën e ndonjë pandemie shkatërruese, përmbytjeje, thatësire apo zjarri – do të çohej e do t´u përplasej fytyrës si për t´u thënë Ja po të mohoj edhe unë ty tash. Por ndoshta as kjo nuk do të mjaftonte, a ndoshta do të ishte shumë vonë. 

E meqë ra fjala, parashikimi i Kuhn-it se në të ardhmen Duesberg-u do të shihej si një njeri që nuk e kishte as të saktë e as të gabuar qasjen, doli të ishte i gabuar. Provat se HIV-i e shkakton AIDS-in janë tashmë të parefuzueshme dhe mohimi i lidhjes HIV/AIDS tashmë shihet si gabim moral dhe empirik. Pjesërisht për shkak të influencës së Duesberg-ut, qeveria e Afrikës së Jugut nuk i ofroi barna anti-retrovirale qytetarëve të saj për vite me radhë, gjë që rezultoi në më shumë se 330.000 vdekje të panevojshme, sipas një studimi të vitit 2008.

Çkado që ne mendojmë apo themi për të, fjalën e fundit e ka realiteti.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi