(Kjo intervistë u krye në 14 mars 2020, pyetjet i shtroi Marie Solis)

Le të fillojmë nga e para, çka është kapitalizmi i katastrofave? Si lidhet ai me «doktrinën e shock-ut»

Përkufizimi im për kapitalizmin e katastrofave është shumë i drejtpërdrejtë: ky koncept përshkruan mënyrën se si industritë private krijohen direkt për të përfituar prej krizave të mëdha. Përfitimi prej katastrofave ashtu si përfitimi prej luftërave nuk janë koncepte të reja, mirëpo janë rrënjosur edhe më thellë gjatë qeverisjes së Bush-it, pas 9 shtatorit, kur qeveria shpalli këtë lloj krize të sigurisë që kurrë nuk mbaron, e në të njëjtën kohë e privatizoi dhe e dha me outsource atë – gjë që përfshin në aspektin e brendshëm një Shtet të Sigurisë të privatizuar, ndërsa në aspektin e jashtëm, pushtimin dhe zaptimin (e privatizuar) të Irakut dhe Afganistanit.

Ndërsa «doktrina e shock-ut» është strategjia politike e përdorimit të krizave të mëdha për të shtyrë përpara politika të cilat sistematikisht thellojnë pabarazitë, pasurojnë elitat dhe ngushtojnë situatën për cilindo tjetër. Në çastet e krizës njerëzit priren të përqendrohen te emergjencat ditore, te mbijetesa e krizës, çkado që ajo është, dhe priren t´u japin shumë besim pushtetarëve. Nuk e shohim shumë me vëmendje se kush po e luan topin gjatë krizës.

Nga rrjedh kjo strategji politike? Si e sheh historinë e saj në politikën amerikane?

Strategjia e doktrinës së shock-ut ishte një përgjigjje ndaj politikës New Deal, të F.D. Roosevelt-it. Ekonomisti Milton Friedman besonte se gjithçka shkoi në drejtimin e gabuar në Amerikë gjatë New Deal-it. Si përgjgjje ndaj Depresionit të Madh dhe thatësirave e stuhive të rërës gjatë periudhës së quajtur Dust Bowl, bënë një të vinte në pushtet një qeveri shumë më aktiviste e cila i vendosi vetes synimin që ta zgjidhte drejtpërdrejt krizën ekonomike të kohës duke krijuar punësim përmes shtetit e duke ofruar ndihmë direkte. 

Nëse je ekonomist radikal i tregut të lirë, atëherë ti e kupton se kur tregjet dështojnë krijohet një situatë më e prirur për ndryshime progresiste se sa për politika derregulluese që favorizojnë korporatat e mëdha. Kështu që, doktrina e shock-ut u krijua si një mënyrë për të parandaluar prirjen e natyrshme të krizave për të ndihmuar rritjen e politikave progresiste. Elitat ekonomike e politike përmes doktrinës së shock-ut, kuptojnë se momentet e krizave janë shanset e tyre për të çuar përpara një numër politikash që nuk kanë mbështetje popullore e të cilat e polarizojnë edhe më tej shpërndarjen e pasurisë në këtë vend e rreth e qark botës.

Tash për tash kemi shumë kriza që po ndodhin: një pandemi, mungesën e  infrastrukturës për t´u përballur me të, si dhe rrëzimin e tregut të aksioneve. A mund të na thoni se si përfshihen këta përbërës në skemën që ju përvijoni tek libri «Doktrina e shock-ut»?

Në të vërtetë shock-u është vetë virusi. Dhe është administruar në mënyrë të tillë që të maksimizojë konfuzionin dhe të minimizojë mbrojtjen. Unë nuk mendoj se kemi të bëjmë me konspiracion, thjesht kjo është mënyra se si qeveria e ShBA-ve dhe Trump-i e kanë keqmenaxhuar krizën tejetej. Trump-i deri më tash nuk e ka trajtuar si krizë të shëndetësisë publike, por si një krizë perceptimi dhe si një pengesë të mundshme për rizgjedhjen e tij.

Është skenari më i keq i mundshëm, sidomos kur kombinohet me faktin se ShBA-të nuk kanë një program shëndetësor publik për të gjithë shtetasit, e duke ditur se kushtet mbrojtëse për punëtorët e shëndetësisë janë shumë të dobëta. Ky gërshetim forcash ka prodhuar një shock maksimal. Do të duan ta shfrytëzojnë krizën për të nxjerrë prej probleme industritë që janë në zemër të krizave më ekstreme me të cilat ballafaqohemi, siç është kriza klimatike: industrinë e transportit ajror, atë të gazit e naftës, industrinë e transportit detar – të gjitha këto do të duan t´i shpëtojnë prej falimentimit. 

Kur e kemi përjetuar më parë një skenar të tillë?

Te libri «Doktrina e shock-ut» unë tregoj se si të gjitha këto ndodhën pas uraganit «Katrina». Institute «think-tank» nga Uashingtoni, si «Heritage Foundation», u mblodhën dhe dolën me një listë zgjidhjesh «pro-tregut të lirë» për dëmet e shkaktuara nga uragani.  Mund të jemi të sigurt se takime të të njëjtit lloj do të ndodhin edhe tash – në fakt personi i cili udhëhoqi takimet e grupit «Katrina» ishte pikërisht Mike Pence. Në vitin 2008 ky skenar ndodhi kur u shpëtuan bankat, kur shtetet shkruajtën çeqe të bardha për bankat, të cilat kushtuan deri në triliona dollarë. Por kostoja e vërtetë e asaj krize erdhi në formën e politikës ekonomike të austeritetit (shtrëngime e shkurtime buxhetore për shërbimet sociale). Kështu që, nuk është çështja thjesht tek ato që po ndodhin tani, por edhe te mënyra se si do të paguhen faturat për të gjitha këto në të ardhmen.

A ka diçka që do të mund të bëjnë njerëzit që të parandalojnë rreziqet nga kapitalizmi i katastrofave që po shohim se po zhvillohet si reagim ndaj virusit korona? A jemi në pozitë më të mirë a më të keqe se ç´ishim në kohën e uraganit «Katrina» apo gjatë recesionit global të 2008?

Kur sprovohemi prej krizave ose zmbrapsemi e rrëzohemi, ose rritemi dhe zbulojmë burime force e bashkëndjenje të cilat nuk dinim që i kishim. Kjo krizë do të jetë një sprovë e tillë. Arsyet se pse kam një farë shprese që mund të zgjedhim të ecim përpara kësaj radhe është se – ndryshe prej 2008 – e kemi një alternativë ekzistuese politike e cila po propozon një përgjigjje të një lloji tjetër ndaj krizës, e cila i shkon në rrënjë shkaqeve të plagëve shoqërore, dhe kemi një lëvizje të gjerë politike që e mbështet atë alternativë.

Nëse qeveritë dhe elita globale e përdorin krizën për të arritur qëllimet e tyre, çfarë duhet të bëjnë njerëzit që të kujdesen për njëra-tjetrin?

Kjo ekonomia e llojit «fituesi merr gjithçka» shkakton në trurin tonë një mendim të tillë: «Unë do të kujdesem për vete dhe për njerëzit e mi, ne mund të blejmë sigurimet më të mira që ekzistojnë, dhe nëse dikush nuk ka sigurime të mira, fajin e ka vetë dhe ky nuk është problemi im». Nga ana tjetër, ajo që po shpërfaqet në një moment të krizës si ku është se sa të ndërlidhur jemi njëra me tjetrin. Po e shohim aty për aty se sa të lidhur jemi, ndryshe nga ajo që dëshiron të na bëjë të besojmë sistemi ynë brutal ekonomik.

Ne mund të mendojmë se do shpëtojmë veten tonë nëse kemi sigurime të mira shëndetësore, mirëpo ne nuk do të shpëtojmë dot nëse personat që përgatisin apo shpërndajnë ushqimet që ne konsumojmë, apo ata që paketojnë sendet që ne blejmë, nuk kanë qasje në përkujdesje shëndetësore dhe nuk paguajnë dot për vizita e analiza – aq më pak nuk mund të vetëizolohen në shtëpi sepse nuk kanë të drejtë për pushim shëndetësor të paguar. Nëse nuk e shpëtojmë njëri-tjetrën, atëherë për askënd nuk ka shpëtim. Jemi të ndërlidhur.

Mënyra të ndryshme të organizimit shoqëror nxjerrin në pah pjesë të ndryshme të karakterit tonë. Nëse jeton në një sistem që ti e di se nuk përkujdeset për njerëzit dhe nuk i shpërndan burimet në një mënyrë të barabartë, atëherë do të dalë në pah pjesa jote që grumbullon sa më shumë para e sende. Kështu që duhet të vetëdijësohesh dhe të mendosh se si në vend që të grumbullosh para e sende dhe të mendosh se si të kujdesesh për vete e për familjen tënde, të fillosh edhe të ndash të mirën e të keqen me fqinjët e të kujdesesh për njerëzit që janë më të brishtë e më të rrezikuar.

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi