(Ky shkrim u botua në 20 mars 2020)

Mbyllja nëpër shtëpi për shkak të virusit korona në vitin 2020, ndoshta është ndërprerja më e fortë e jetës së përditshme gjatë historisë moderne. Është folur për këtë ndërprerje se i ngjan një lufte. Dhe sillen ndërmend historitë e rrëfyera për ndërprerjen e përditshmërisë në 1914 dhe 1939. Por, ndryshe nga luftërat, momenti aktual është demobilizues, jo mobilizues. Edhe pse spitalet janë të mobilizuar në gatishmëri të lartë, shumica e të tjerëve janë të izoluar nëpër banesa. Me vetëdije njerëzimi po shkakton një prej recesioneve më të thella që janë parë ndonjëherë. Duke vepruar kështu, po ngulim edhe një tjetër gozhdë në qivurin e njërës prej frazave banale më të mëdha të shek. XX: it´s the economy, stupid.

Një herë e në një kohë mendonim se e dinim çka ishte e rëndësishme e çka jo. Sipas zhargonit të viteve 1990, kur kishte përfunduar lufta e ftohtë, ishte e qartë se ekonomia ishte kryesorja, dhe gjërat e tjera vinin pas saj. Ishte suksesi ekonomik i perëndimit ai që rrëzoi komunizmin. Ekonomia jo vetëm që ngadhnjeu mbi diktaturat e plakura komuniste, por përcaktonte synimet e politikës edhe te demokracitë. Të argumentoje kundër globalizimit, këmbëngulte Tony Blair-i, ishte po aq absurde sa të argumentoje kundër ndërrimit të stinëve.

Pastaj erdhi viti 2008, dhe na bëri të pyesim veten se kush ishin në të vërtetë zotat ekonomikë të universit. Ai u pasua prej katastrofës së jashtëzakonshme, të shkaktuar prej politikës, që ishte kriza e borxhit në eurozonë, ku populizmi dhe dogma fiskale konservative – të maskuara si ekspertizë – morën vendim kundër nevojës për të garantuar punësimin e për të rritur ekonominë. Pastaj, në 2016, në referendumin në Mbretërinë e Bashkuar shumica votoi për Brexit, pa u shqetësuar për ata që kërcënonin se kjo do të pasohej nga katastrofa ekonomike. Muaj më vonë Donald Trump, një miliarder narcizist u ngrit në pushtet prej votave të klasës punëtore, pavarësisht kundërshtimeve nga elitat me influencë. Si MB ashtu edhe ShBA prej asaj kohe kanë ndjekur politika ekonomike të një irracionaliteti spektakolar, pa u trembur prej ndonjë vetoje katastrofale prej tregjeve. Elitat liberale pritën më kot që tregu të mbronte vetveten.

E tash COVID-19. Përfytyrojeni pak sikur përgjigjja jonë ndaj pandemisë të ishte diktuar me të vërtetë prej interesit ekonomik. A do t´i kishim mbyllur ndërmarrjet? Çka dimë deri tash prej virusit është se më së shpeshti vret te grupet që sipas statistikave janë anëtarët «më pak produktivë» të shoqërisë. Shumica e shoqërisë që punon, ndjen simptoma jo shumë më të rënda se një grip normal. Ndryshe nga gripi normal, COVID-19 nuk i kërcënon fëmijët, punëtorët e të ardhmes. Virusi mund të jetë i keq, por po të bazoheshim te logjika simpliste ekonomike, kjo do të na thoshte që të vazhdojmë jetën si zakonisht deri sa të zbulohej vaksina, meqenëse siç e dini «it´s the economy stupid».

Dhe në fakt reagimi fillestar i qeverisë britanike ishte ky. Lajmi kryesor ishte se Britania do vazhdonte t´i mbante bizneset të hapura. Ca gazetarë që kanë mbamendje të fortë gërmuan dhe gjetën në histori se si Boris Johnson ka pasur admirim për kryebashkiakun në filmin «Jaws» të Stiven Spielberg-ut, i cili këmbëngulte se edhe pse një përbindësh detar po hante banorët e qytetit të vet, plazhi duhet të vazhdonte të rrinte i çelur. Mençuria më e madhe sa i përket shëndetit publik – na thoshin – do të jetë që ta lejojë popullsinë punonjëse e produktive që të fitojë imunitet. Tashmë ne e dimë se si përfundoi ky eksperiment i ekonomizmit heroik: një zbythje me shpejtësi e panik kur u pa se mund të ndodhte skenari i qindra-mijëra të vdekurve të parakohshëm, mbingarkimi i spitaleve të NHS (Sistemi Shëndetësor Shtetëror), dhe politikës i kanosej një krizë legjitimiteti.

Befas u bë e qartë se kur hyjnë në ekuacion çështjet e jetës e të vdekjes, tjetër llogari bëhet. Sigurisht, pleqtë e të sëmurët vdesin. Të gjithë do të vdesim, kur të na vijë koha. Por, është shumë e rëndësishme se si dhe në ç´rrethana ndodh kjo. Një rritje e madhe e vdekshmërisë, edhe nëse prek vetem popullatat «e dobëta» që kanë sëmundje të tjera, shkakton shqetësime ekzistenciale. Po ashtu edhe skenat apokaliptike që shpalosen në spitalet tona. Në kohët e shkuara këto do të kishin mbetur pas një perdeje dhe nuk do t´i merrnim vesh aq shpejt. (Sigurisht NHS-ja dhe BBC-ja do të kishin përpunuar protokolle për raportimin e kufizuar prej vijës së parë nëpër spitale). Mirëpo fjalët e imazhet që tashmë na kanë ardhur prej Italisë veriore e prej Uhanit mjaftojnë. Kur ballafaqohemi me këtë gjë, budallallëk është nëse nuk e kuptojmë menjëherë se duhet të veprojmë, se duhet të ndalim ekonominë, se edhe aktiviteti më thelbësor i epokës së tregut, blerja nëpër dyqane, është shndërruar në një krim kundër shoqërisë.

Me këtë nuk dua të them se ekonomia nuk po e ndikon krizën. Zgjerimi i pandalshëm i ekonomisë kineze dhe përzierja në Kinë e jetës moderne urbane me zakone tradicionale të të ushqyerit ajo që krijon inkubatorët për virusin. Sistemi i globalizuar i transportit është ai që e përshpejton shpërndarjen e infeksionit. Përllogaritjet e kostos janë ato që kanë përcaktuar numrin e shtretërve për kujdes intensiv në spitale, si dhe numrin e ventilatorëve. Logjika komerciale e prodhimit të barnave është ajo që ka përcaktuar se cilat barna prodhohen e cilat jo; viruset korona nuk marrin të njëjtën vëmendje si impotenca seksuale. E pasi që u shpërnda virusi, ishte dogma ekonomike në Britani, që duhet të vazhdojë biznesi si zakonisht, ajo që solli vonesat fatale. Mbyllja e ekonomisë e ka një çmim. Askush nuk ka qejf që ta bëjë atë. Mirëpo, na doli se përballë parashikimeve të tmerrshme për sëmundje dhe vdekje, vërtet nuk ka asnjë alternativë.

Vetëm pasi e kapërcen pragun politik, intelektual e ekzistencial – pasi që e kupton se kjo është çështje jete e vdekjeje – kthehet ekonomia. Dhe kthehet me revansh. Logjika që u shpërfaq prej vendeve të mirë-organizuara aziatike na tregon se është më mirë të vendoset një karantinë e ashpër, me shpresën që të mundësohet kthimi sa më i shpejtë në aktivitetin normal. Dhe ekonomia kineze psh. dalëngadalë po kthehet në funksionim.

Në perëndim përmasa e gjerësia e epidemisë është e tillë sa që do të duhet si përgjigje të mbyllim gjithçka. Dhe kjo shtron probleme shumë të mëdha sa i përket administrimit ekonomik. Edhe qeverisjet konservatore në të dyja anët e oqeanit Atlantik tashmë po përpiqen të luajnë çdo kartë të politikës fiskale apo monetare. Brenda pak javësh ato kanë ndërmarrë ndërhyrje të përmasave të stërmëdha, nëse i krahason me ndërhyrjet e 2008. Ndoshta këto ndërhyrje do ta zbusin goditjen. Por, është pyetje e hapur se sa gjatë do të mund të vazhdojmë, sa gjatë do të mund ta mbajmë ekonominë të ndalur për të shpëtuar jetë.

Gjatë vendimeve të vështira që po merren e do të merren, kemi fituar së paku një shkallë më të lartë lirie. Ideja e madhe e viteve ´90, ajo që «ekonomia» shërben si superegoja rregulluese e politikës sonë, është tashmë një flluskë e shfryrë. Duke patur parasysh përvojën që kemi pasur në dymbëdhjetë vitet e fundit, kurrë nuk duhet të lodhemi së pyeturi: cilat detyrime ekonomike janë të vërteta, e cilat të përfytyruara?

Përktheu nga anglishtja Arbër Zaimi