(Ky tekst u publikua në 13 mars 2020, dhe përmban komente anonime dhe aktualizime të mendimeve e koncepteve të Paul Virilio-s)

Në këtë tekst do të propozojmë një lexim të filozofit dhe urbanistit Paul Virilio, në perspektivën mbi konjukturën e shënuar prej virusit korona.

Leximi i Virilios na lejon dy gjëra: të këmbëngulim në temën e përshpejtimit si dhe të flasim për atë që ai e quan «aksidenti»: shkatërrimi apo katastrofa.

Virilio është mendimtar i shpejtësisë, një «dromolog» (dromos = rrugë), siç thotë vetë, bir i «luftës së rrufeshme» (blitzkrieg) që nazistët praktikuan gjatë pushtimit të Francës në vitin 1940.

Sipas Virilio-s pushteti është «dromokratik», pushtet i të qenit i shpejtë, i kontrollimit të territorit përmes shpejtësisë, i sundimit të ritmeve të një shoqërie. Dhe çdo formë historike e «shpejtësisë» gjen «aksidentin» e vet.

Aksidenti gjithnjë ka pasur një vend e një kohë (Titaniku u mbyt në një vend të caktuar, trenat kanë dalë nga shinat në një pikë të caktuar). Mirëpo sot, kur shpejtësia absolute e kapitalit i ka rrënuar distancat, kemi hyrë në kohën e një «aksidenti të përgjithshëm»: i cili ndodh njëkohësisht në të gjitha vendet.

Cili pushtet, cila shpejtësi, cili aksident është në lojë sot, në konjukturën e virusit korona? Lexojmë disa pjesë nga intervista e tij «Kiber-bota, politika e më së keqes» dhe i komentojmë.

Të zbrazur prej bindjeve vetjake

Qysh prej rënies së murit të Berlinit në 1989 kam kuptuar se, gjatë luftës së ftohtë, të gjithë ne kemi qenë të zbrazur prej bindjeve vetjake, të zhbindur; do të mund të shkruhej një libër me titull «Të zhbindurit», ashtu siç u shkrua një libër për të pushtuarit nga dreqi («Djajtë» e Dostojevskit). Në gjithë përpjekjet tona për 40 vite me radhë kemi qenë të kushtëzuar prej mungesës së bindjeve. Mënyra jonë e të punuarit, idetë e idealet tanë kanë qenë të kushtëzuar prej mundësisë së fundit të botës. Dhe, të privuar prej lirisë, na u desh të dalim sa më shpejt, të çlirohemi prej asaj kulture të zhbindjes e të angushtisë.

Mund të thuhet se kultura e zbrazjes së njerëzve prej bindjeve të veta (përmes kërcënimit) vazhdon të jetë gjallë, edhe pse Lufta e Ftohtë përfundoi. Ka një shantazh të fshehtë i cili kushtëzon mënyrat e të menduarit e të të jetuarit: «nënshtrojuni udhëzimeve, ose do të jetë fundi i botës». Por nëse ne ndalemi, nëse nuk konsumojmë më, nëse nuk punojmë më, a nuk do të jetë sërish fundi i botës? Jeta është kaq e rrënjosur brenda sistemit, sa që nëse ai bie, bashkë me të do të biem dhe ne. Zbrazja prej bindjeve na i ndalon me elegancë çdo të menduar, çdo sjellje që nuk i nënshtrohet urdhrave e udhëzimeve. Mundësia e një katastrofe, na zbraz prej bindjeve vetjake. Nënshtroju shtetit, ose do të vdesësh. Por, një shoqëri e bazuar mbi nënshtrimin, a nuk është po ashtu vdekje?

Zbulesa

Tema e aksidentit nuk resht së më obsesionuari. Aksidenti është një mrekulli e kthyer kokëposhtë, një mrekulli laike, një zbulesë. Të shpikësh anijen do të thotë të shpikësh edhe mbytjen e saj; të shpikësh aeroplanin do të thotë të shpikësh aksidentit ajror; të shpikësh elektricitetin do të thotë të shpikësh vdekjen prej rrymës… Secila teknologji bart në vetvete negativin e saj, i cili lind në të njëjtën kohë me progresin teknik.

Virilio na nxit ta marrim aksidentin si një moment të privilegjuar të mendimit. Është çarja në rendin e gjërave që na lejon të shohim ndonjëherë përtej tyre. Është tërmeti që i ndal automatizmat në të cilat jemi të zhytur përditë. Është ndërprerja. Ne mendojmë gjatë ndërprerjes.

Cila ndërprerje na i mundëson mendimin, çfarëdoqoftë ai? Për Virilion është problem «industrializimi» i aksidentit, banalizimi i tij. Asnjë aksident rrugor nuk na bën më të mendojmë mbi këtë sistem transporti apo mbi jetën.

Mos vallë ai që do të na mundësojë të mendojmë do të jetë një aksident i paprecedent, diçka që nuk e kemi parë kurrë më përpara, diçka që nuk është i stërmenduar tashmë, i kategorizuar, i thjeshtëzuar në rrezik të përllogaritshëm, që mund të mbulohet nga pagesa e sigurimeve? A janë tiparet objektive të një aksidenti ato që na mundësojnë të menduarit, apo cilësitë e tij subjektive? Në këtë rast aksidenti që na bën të mendojmë është vetë ai që mendohet, pra është paradoks.

Si ta nxjerrim aksidentin prej banalizimit, si ta singularizojmë? Aksidenti i cili na bën të mendojmë është sigurisht ai që e nxjerrim prej kategorisë së aksidenteve, ai që ka përgjegjës, ai që prek strukturën e cila organizon jetën.

A ka interes të ruhet kjo kategori e aksidentit? Virilio i kthehet origjinës së lashtë latine të termit dhe dallon substancën (ajo që është) prej aksidentit (ajo që ndodh). Ajo që ndodh na «zbulon» diçka të re prej asaj që është. Kjo është «mrekullia e përmbysur, mrekullia laike, zbulesa».

A po funksionon virusi korona si «zbulesë» i ndonjë gjëje, a po hap çështje, a po shtron pyetje? Mbase është herët për ta ditur këtë, mirëpo ne kemi detyrën që t´i gjejmë ato çështje e pyetje. Sigurisht, frika është më e dukshme, bie në sy më lehtë.

Një histori e veçantë na vjen prej Japonisë: atje virusi korona po ndodh në një konjukturë të shënuar prej lojërave olimpike që do të mbahen në gusht. Sidoqoftë shumica e njerëzve nuk dëshiron që ato të mbahen, sepse dihet që ato sjellin pasuri vetëm për një elitë. Njerëzit duan të jetojnë të qetë, pa fishekzjarrë. Kështu që kemi një lloj solidarizimi të çuditshëm të njerëzve me virusin korona. Vetëm virusi korona mund t´i ndalë lojërat. Prandaj, të moshuarit, ata që do të duhej të rrinin nëpër shtëpitë e veta, po refuzojnë të jetojnë të mbyllur brenda ditët që u kanë mbetur, kështu që po marrin përsipër rrezikun e po dalin të jetojnë jetën. Po ekspozohen me vetëdije të plotë ndaj virusit korona, dhe po bëhen «ushtarë» të tij. Një, dy, tre virus!

Koha e të menduarit

Tirania e kohës nuk është edhe aq larg prej tiranisë klasike, meqenëse rreket ta eliminojë mendimin, reflektimin e qytetarit, dhe ta zëvendësoje me reflekse të atypëratyshme. Demokracia është solidare, jo solitare (vetmitare). Dhe qenia njerëzore ka nevojë për të menduar para se të veprojë. Mirëpo sot, atypëratyshmëria e informimit dhe përjetimi i së tashmes globale e mbajnë nën kontroll telespektatorin, i cili tashmë është nën rend të manipulimit. Tirania e kohës së atypëratyshme është nënshtrimi i telespektatorit. Demokracisë po i kërcënohet koha e saj, sepse nuk po lejohet më koha e duhur për të reflektuar, para se të jepet një gjykim. Demokracia është pritja e një vendimi të marrë kolektivisht. Mirëpo demokracia automatike e eliminon këtë kohë të reflektimit, dhe i jep përparësi refleksit.

Të qeverisësh sot, thotë Virilio, dmth. të sinkronizosh opinionet me emocionet. Por, për të menduar në mënyrë autonome duhet të thyhet ky sinkronizim. Duhet të çlirohemi prej kohës së atypëratyshme që na imponojnë televizionet dhe mediat. Por si?

Sinkronizimi është ai që na e transmeton frikën si një refleks të menjëhershëm, pa u menduar. Tjetrin si kërcënim, si armik. Stereotipët që përsërisim sot në një mijë biseda të përditshme. Koha e atypëratyshme e ndalon kohën e pritjes së të menduarit vetjak e kolektiv, siç thotë Virilio, e në të njëjtën kohë na lë në pritje (të lajmit të fundit, etj.).

Në kushte të papërshtatshme është prodhuar një kohë-hapësirë, për të menduar kolektivisht e anonimisht: le të kujtojmë, në përvjetorin e 16, atë që ndodhi pas atentatit të 11 marsit 2004. Shoqëria e «refuzoi» versionin zyrtar, «mendoi» në mënyrë autonome dhe prodhoi «vendimin» e vet (duke larguar qeverisjen Aznar). Pra pushteti nuk ka pushtet mbi gjithçka.

Hapja e hapësirës për shtrimin e pyetjeve do kohën e vet. Ndërprerja e hap një të çarë, që është një hapësirë për ndërhyrje të mundshme. Gjëra të vogla të bëra tash, mund të kenë efekte të mëdha. 

Sot është vështirë që të hapen sheshet, siç ndodhi në 15 mars, që të mendojmë së bashku. Kuptohet, ajo që ndalohet sot është pikërisht «grumbullimi». Mirëpo mendimi, kur nis, gjithnjë gjen udhët e veta për t´u shtjelluar e shtrirë.

Mund të hapen çështje mbi format e jetës, mbi përkujdesjen, mbi brishtësinë e mbi trupat, mbi ndërlidhjen që na bën kjo që jemi… Duhet të tregohemi të vëmendshëm.

Përktheu nga spanjishtja Arbër Zaimi