UÇK-ja po sakrifikohet nga ata që e votuan për t’iu dëshmuar kërkuesve të Gjykatës Speciale bindjen e përuljen e plotë ndaj tyre, përtej fakteve që të jetë tamam bindje. Ku ka bindje, përulje më të madhe sesa të jesh i gatshëm të sakrifikosh gjithçka që ke të lavdishme e të drejtë për të thënë se unë ekzistoj përsa më llogarit në planet e tua: unë nuk themeloj drejtësi, madje edhe kur e provova me gjasë paskam gabuar, prandaj të jepem të më thuash në kam të drejtë; pa ty nuk ka drejtësi, me veten ndihem i padrejtë?! 

Ky është një dëshpërim shumë më i madh sesa i ushtarit të UÇK-së që në fishekët e fundit i mbetej të vegonte një ndërhyrje nga qielli që gërvisht frontin e armikut. Ushtari i UÇK-së nuk kishte dyshime në kishte të drejtë, ushtari kishte dëshpërim se po humbiste. Lufta e UÇK-së ishte e domosdoshme, edhe bombardimet e NATO-s ishin të domosdoshme, mirëpo i domosdoshëm ishte edhe dënimi dhe defashistizimi i Serbisë. 

Si gjithnjë, lufta e Kosovës nuk lë mundësi për të mos mbajtur anë, nuk lë mundësi me qenë indiferentë. Ata që nuk e vazhduan dot politikën si vazhdim i luftës me Serbinë në paqe, nuk u mbeti mundësi tjetër përpos të vazhdonin luftën e Serbisë në paqen e shqiptarëve. Nëse Gjermania do ta kishte humbur Luftën e Dytë Botërore prej bombardimeve të aleatëve, mirëpo të mbijetuarit e radhëve të Hitlerit pa procesin e Nurenbegut dhe denazifikimin e Gjermanisë do të kishin qëndruar në pushtet pas luftës, a nuk na e merr mendja se do të vazhdonin të akuzonin hebrenjtë, madje edhe se nxitën një bombardim të pamerituar ndaj Gjermanisë?! 

UÇK-ja nën akuzë është akuzë ndaj drejtësisë. Filozofi Sllavoj Zhizhek vë në pah se në një debat mbi ‘nëse duhet apo jo të dhunohen gratë’ të pranuarit e futjes në këtë diskutim, sado njeri normal e kundër dhunimit të jesh, është dorëzim ndaj kundërshtarit, meqë diçka që nuk do të duhej të relativizohej tashmë është bërë e diskutueshme. 

Ndërkohë Serbia marshon me fashizmin e saj inercial pa faj dhe pa dyshime përsa nuk i kërkohet të dëshmojë. Nëse dënimi i Serbisë nuk konsiderohet i domosdoshëm, atëherë dënimi i atyre që paskan ngritur krye kundër saj bëhet i domosdoshëm. Prej mos dënimit të Serbisë, hapet hapësira për t’u rivlerësuar në ishte i drejtë bombardimi i saj, sepse të bombardosh pa dënuar sigurisht që ky del të jetë një faj. 

Gjykata u krijuar meqë nuk donin ta mbronin UÇK-në përpos se nën akuzë. Këta janë subjekte të akuzës, qenia e tyre nuk mbarëvahet ndryshe përpos nën akuzë, qenie-për-akuzë. Akuzom që të mbrohem, i thonë kësaj. Gatishmëria për të krijuar gjykatën, gatishmëria për t’u vetëakuzuar vazhdimisht, shpërfaq një ndjenjë të madhe faji tek ata që e legjitimuan gjykatën. Nevoja për të dëshmuar vazhdimisht e prodhon mosbesimin e thellë se aq i madh është dyshimi në UÇK-në sa duhet akuzuar vazhdimisht për t’u dëshmuar vazhdimisht. Fridrih Niçe thoshte se faji është i struktuar si borxhi, ndjej faj për sa ndjej se jam borxhli. Faji që shtyu legjitimimin e gjykatës ishte borxh ndaj kërkuesve të saj, një borxh aq i madh mesa duket sa duhej ristrukturuar si borxh publik, si borxh për t’u paguar në kolateral ndoshta, nga vetë gjëja që ju mundësoi të merrnin borxh, UÇK-ja si hipotekë e privatizuar. Këta nuk munden ta mbrojnë UÇK-në në parim, pasi e kanë privatizuar plotësisht atë dhe e vendosin si kolateral për çdo borxh që marrin. Privatizime kaq të mëdha i bëjnë t’u duket karriera e tyre politike më e madhe se vetë historia e një populli dhe përpjekja e tij për liri. Me privatizime kaq të mëdha këta janë më pak modestë se Skënderbeu, këta thonë se lirinë e sollën vetë dhe se nuk e gjetën në mesin e përpjekjes popullore për të. Janë të gatshëm ta vënë UÇK-në në tribunal, ta vënë në dyshim, sepse në sytë e tyre UÇK-ja është moment i lavdishëm dhe tragjik nga prespektiva e popullit shqiptar, por nga prespektiva e karrierës së tyre politike thjeshtë njëri nga transaksionet në marrëveshje që ua mirëmbajnë karrierën. 

I vetmi argument që u ka mbetur është ai i dinakërisë, me të cilin tashmë po duan t’ia dredhin edhe vetvetes. Me perifrazu Malkolm X-in, pula po kthehet nën purtekë. Prej çarmatosjes së UÇK-së, te përjashtimit i saj nga Deklarata e Pavarësisë dhe deri te legjitimimi i Gjykatës Speciale, angazhimi i Thaçit për zhbërjen e UÇK-së pas luftës del të jetë një projekt shumë më afatgjatë sesa angazhimi i tij në të. Hysamendin Feraj tek eseja Dinakëria Shqiptare thotë se, politika shtetërore e shqiptarëve ka ndjekur parimi e dinakërisë ndaj ndërkombëtarëve duke presupozuar se duhet ta sjellim punën aty sa ndërkombëtarët të sakrifikojnë dhe të vënë drejtësi për realizimin e programit tonë kombëtar. Mirëpo, dinakëria është frikë e strukturuar. Kur mendon për hijen e rëndë të rënë mbi UÇK-në nga kurbanizimi i saj për shpëtime individuale dhe avancimet euro-atlantike të Serbisë, përfundimi i asaj eseje tingëllon edhe më i ashpër sot: ‘Racionalizimi “intelektual” i dinakërisë zbulon se trualli i tij është frika, më shumë se besimi intelektual i tyre, i gabuar por i sinqertë, se politika është dinakëri. Themeli është frika se serbët e grekët janë më të fortë, madje aq të fortë sa na provojnë të hyjmë në luftë kundër tyre. . . Varrezat janë plot me dëshmorë, piedestalet plot me heronj, librat plot me vlerësime për ta, me kusht që të mos kenë kërkuar as luftuar kundër Serbisë e Greqisë, duke rënë në provokim të tyre.’ Gjykata Speciale e dëshmon këtë. Era e gjenocidit kundërmon gjithandej kur rezistenca ndaj tij shihet me dyshim si e tillë dhe dyshimi pranohet prej ish-rezistuesve. 

Era gjenocid kundërmon gjithandej ngaqë, për të perifrazuar Brehtin, mungon dënimi i kriminelëve për krimin e duhur, që, në konsideratë të meritave dhe cilësive të mira që kanë, të akuzuarit për krime t’i vendosim ballë një gjykate normale, me dënime normale që mbulohen nga ndëshkime normale në burgje normale.