Aktualiteti i sotëm i shkaktuar nga virusi covid-19 (koronavirus) nuk është i panjohur teksa kemi parasysh studimet historike mbi mjaft epidemi që kanë goditur njerëzimin. Sigurisht, covid-19 ka karakteristikat e veta epidemiologjike që e bëjnë të ndryshëm nga ato të shekujve të shkuar. Duket si nje luftë botërore kundër një virusi, që shkakton vdekje masive që sjellin tek ne kujtime nga e shkuara. Pyetja që shtrohet është: a na ka kthyer e gjithë kjo situatë në kohërat e largëta dhe të pasigurta?

Kërkuesit shkencorë i kanë përdorur mësimet e së shkuarës pikërisht për t’iu përgjigjur hezitimeve të së sotmes. Nga pikëpamja historike, a mund ta krahasojmë koronavirusin me disa nga epidemitë e së shkuarës? Nisur nga këto krahasime, mund të shtrojmë edhe disa pyetje të tjera: çfarë efektesh shkaktojnë largimet masive nga vatrat e prekura nga epidemitë? Ç’pasoja sjellin izolimet e banorëve në hapësira të ngushta? Përse në këto periudha shpesh kërkojmë grupe apo individë fajtorë të gjendjes?

Le të flasim më konkretisht: Prej shume vitesh Shqipëria, ashtu si mjaft vende të tjera në Evropë, kane arritur t’i përballojnë përhapjet epidemike, duke i limituar efektet e tyre negative në hapësira të ngushta. Sigurisht, këto sëmundje vazhdojnë ende të jenë tepër problematike në vende të varfra dhe të largëta prej vendit tonë.
Në literaturën evropiane murtaja, kolera, tuberkulozi, sifilizi janë bërë edhe pjesë e kujtesës historike. Disa prej këtyre sëmundjeve u zhdukën në mënyrë progresive me zhvillimin e mjekësisë, sidomos menjëherë pas periudhës së LANÇ dhe mundësuan uljen e ndjeshme të vdekshmërisë. Mbas Luftës së Dytë Botërore në të gjithë Evropën, edhe pse e ndarë kjo në dy blloqe, u bënë zhvillime të rëndësishme përsa i përket trajtimit mjekësor të këtyre sëmundjeve.

Një rigjallërim i tyre aktualisht përjetohet sot gati-gati si një poshtërim social dhe politik, si një humbje morale që shënon dobësinë e administratave shtetërore në shkallë botërore, përfshirë edhe Shqipërinë. Shumëkujt mund t’i kujtohen reagimet e shqiptarëve kur në vitin 1994, krejt befas iu faneps rikthimi i kolerës! Disa zona madje u izoluan prej shërbimit sanitar. Sistemi ynë mjekësor në ato vite dëshmoi shenja të theksuara dobësie, të cilat, natyrisht, u shoqëruan me mosbesim te Shteti. Ndërkohë, rinxori në pah edhe disa praktika thjesht zakonore, familjare, që bënin dekada të ishin zhdukur, siç ishte ai i zierjes së ujit!

Jo më larg se viti 2018, disa media sollën me shqetësim atë që u konsiderua një rikthim i papritur i tuberkulozit në Shqipëri! Në media qarkulloi shifra e rreth 500 rasteve, ku shumica e të prekurve ishin të rinj! Ndër faktorët që favorizonin tuberkulozin, në ato kronika u konsideruan kushtet e vështira të jetesës dhe, në veçanti, kequshqyerja! Një tjetër rast shqetësues mund të konsiderohet edhe sëmundja e Sidës (HIV/AIDS), që mbetet një rrezik i vazhdueshëm në vendin tonë që prej rastit të parë të diagnostikuar në vitin 1993. Prej atëherë, nga 1200 raste gjithsej, vetëm në vitin 2018 u diagnostikuan rreth 90 raste dhe u shënuan rreth 20 të vdekur nga kjo sëmundje!

Sigurisht, gjendja e krijuar sot nga koronavirusi (covid-19), një pandemi globale, sidomos jehonat që na vijnë nga vendet fqinje, kanë krijuar një situatë të paprecedent për vendin tonë. Nga ana tjetër, masat e marra nga Qeveria tregojnë se sëmundjet infektive mund të shfaqen dhe të përhapen shpejt, duke e zhytur popullsinë tonë në një ankth pikërisht atëhere kur mendonim se disa prej këtyre sëmundjeve ishin zhdukur. Kjo është një arsye e fortë, se përse nga ana e qytetarëve lind një pyetje e natyrshme, e cila kërkon një përgjigje për çka ndodh në këtë situatë, sigurisht duke e krahasuar me kohëra e hapësira të tjera, deri edhe përtej vendin tonë.

Paralele mes koronavirusit dhe epidemive të së shkuarës: ngjashmëri dhe dallime

Pa paraqitur ndonjë histori të hollësishme të epidemiolgjisë, le të krahasojmë disa epidemi që ndryshuan rrjedhat historike të njerëzimit me koronavirusin sot. Elementet krahasues, ndoshta, do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë situatën në të cilën ndodhemi sot:
Nga historia apo edhe nga letërsia, çifti më i njohur epidemik është ai i murtajës («vdekja e zezë») dhe ajo e kolerës («frika blu»). Murtaja preku Evropën në vitet 1347 – 1348 (ajo kishte goditur Romën në vitin 589, ku kishte shkaktuar edhe vdekjen e Papës Pellagius II) dhe provokoi një shkallë vdekshmërie të paparë deri atëherë. Përshkrimet e autorëve të asaj kohe (për shembull Xhovani Bokaçio tek “Dekameroni”) përshkruajnë skena të tmerrshme paniku dhe tregojnë se si gati gjysma e popullsisë u zhduk prej saj në vetëm pak muaj! Historiani Pëllumb Xhufi tregon, se murtaja ka qenë një fenomen i pranishëm e tepër i shpeshtë në Shqipëri në shekullin XVII, duke shkaktuar vdekje, por duke u shoqëruar edhe me efekte sociale tepër negative, si rrënim ekonomik e demografik të qendrave të banuara për shkak të largimit apo të prekjes së popullsisë nga kjo sëmundje, në veçanti në Vlorë, Gjirokastër, Janinë, Shkup, Manastir etj.

Ndërkohë që hierarkitë sociale dhe simbolike në shoqëritë mesjetare qenë tepër të fuqishme, përshtypja e parë që krijon kjo epidemi është se ajo godet të gjithë shoqërinë pa diskriminim, pa dallim statusi social, gjinie apo moshe. Shenjat e kësaj përshtypjeje po i prekim sot, teksa bashkojmë së toku përfytyrimin makabër të së shkuarës me atë çka po shikojmë sot në Kinë, Itali, Spanjë, por edhe në vendin tonë. Në tablotë mejsetare është tepër e pranishme tema e «valles makabre » (dance macabre) që përfaqëson idenë e barazisë të kujtdo para Vdekjes (alegori e murtajës) që paraqitet në këtë valle makabre si një figurë që udhëheq kërcimin dhe tërheq në valle të gjithë figurat sociale të shoqërisë, filluar nga vet Papa e kardinalet, nga perandori e deri te qytetarët e thjeshtë. Përdorimin e kësaj metaforeje e gjejmë edhe tek filmi «The Seventh Seal» i Ingmar Bergman, që përdor imazhin e murtajës për të simbolizuar luftën bërthamore. Në rastin e tuberkulozit, në shekullin XIX, disa artistë shkuan deri aty, sa edhe ta glorifikonin këtë epidemi që konsiderohej në fillimet e veta si një sëmundje që prekte vetëm elitat, intelektualët, artistët, duke u dhënë pamjes së tyre një bukuri të veçantë. Shume piktorë të asaj kohe u martuan madje me modelet e tyre të prekura nga tuberkulozi!

Kolera, nga ana tjetër, preku Evropën shekuj më vonë pas murtajës, dikur aty rreth vitit 1832. Statistikat e kësaj epidemie janë të frikshme. Për shembull, në Paris në një muaj patën vdekur rreth njëmijë të infektuar nga kolera. Vetëm në muajin e parë patën vdekur rreth 15 mijë njerëz! Më e keqja nuk qe shfaqja e këtyre sëmundjeve, por sidomos rishfaqja e tyre e herëpashershme, që shkaktonte po aq viktima sa edhe herën e parë. Kështu, epidemia e dytë e murtajës e goditi sërish Francën në vitet 1373 -1374, kurse ajo e kolerës rikthehet 15 vjet më pas; në vitet 1848 – 1849. Sërish me mijëra të vdekur brenda pak javësh! Në rastin e koronavirusit gjendja është më ndryshe, shumë më ndryshe: flitet për një virus që mund të mos shfaq asnjë simptomë prej ditësh apo javësh, ndërkohë që transmetohet në heshtje në popull.

Shpërthimi i virusit në qytetin kinez, në Wuhan, mendohet të ketë filluar diku nga fundi i muajit dhjetor 2019 dhe shpërtheu në masë në janar 2020, duke shkaktuar qindra të vdekur e mijëra të infektuar. Dhe ishte nevojë, që autoritetet ta futnin gjithë qytetin në karantinë. Në krahasim me rastin e Sidës, dhe pse shpërhapja e saj ishte po aq e heshtur sa koronavirusi, gjatë vitit të parë te sa, ajo shkaktoi pak te vdekur dhe pak të infektuar. Flitet më tepër për një transmetim infektiv sesa për një epidemi që godet në masë banorët e një territori te caktuar. Në fillimet e edhe Sida krijoi të njëjtin ankth tek kujtdo për shkak të fatalitetit vdekjeprurës që mendohej se shkaktonte. Ishte po ai ankth që patën përjetuar evropianët e shekullit XIV ndaj murtajës. Është po ai ankth që është krijuar te të gjithë banorët e Evropës për shkak të koronavirusit. Gjithsesi, është një ankth i shpjegueshëm, sikundër do të jetë po i shpjegueshëm edhe përfundimi i kësaj pandemie, që me siguri ka për t’u mposhtur falë nivelit të lartë të teknologjisë bashkëkohore.

Për t’u ndalur te sëmundja e këtyre ditëve (koronavirusi) na duhet t’i kthehemi herë pas here historisë së epidemive në shekuj, atij të tuberkulozit apo të sifilizit, epidemi këto tepër prezente që në shekullin XIX dhe ne fillim të shekullit XX. Tuberkulozi (me mbi 100 000 të vdekur) për nga vdekshmëria krahasohet me kolerën, por nga zhvillimi i gjatë e i heshtur në trupin e njeriut mund të krahasohet vetëm me Sidën. Ndërsa sifilizi, i njohur si «kërcënimi venerian», apo sëmundja «e turpshme», shkaktonte me mijëra të vdekur çdo vit në Evropë. Dhe shkaku i vdekjes kalonte pak a shumë pa zhurmë. Prej fuqisë infektive, sifilizi mund të krahasohet me atë të Sidës sot, aq më tepër që transmetimi kryhej përmes marrëdhënieve seksuale, gjë që nuk konstatohet në rastin e koronavirusit. Gjithashtu, tek koronavirusi, për arsye ende te pashpjeguara, virusi nuk prek fëmijët, ndërkohë që tek sifilizi dhe Sida transmetimi mund të observohej nga nëna tek fëmija!
Murtaja qe përhapur nga brejtësit (ne veçanti, nga minjtë), të cilët u bënë vektorë të shpërhapjes së epidemisë përmes parazitëve të tyre. Për më tepër, zhvendosjet masive të ushtrive mesjetare (kujtoni Kryqzatat, për shembull) favorizuan zhvillimin e kësaj sëmundjeje në territore tepër të gjëra gjeografike. Edhe Koronavirusi tashmë po pushton globin falë shtegtimit jo të kryqëzatave, por të individëve të infektuar. Aktualisht, mendimi i shkencëtarëve më të shquar evropianë e botëror po depërton te e veçanta që fshihet te mikrobi interesant i koronavirusit dhe, pse të mos e themi, janë duke e gjetur antivirusin.

Të gjallët, të sëmurët dhe të vdekurit: fajtorët dhe viktimat

Në çdo kohë epidemitë kanë shkaktuar reagime sociale nga më të ndryshmet. Për shembull, në fillimin e shekullit XX, në rastin e sifilizit (sëmundje seksualisht e transmetueshme), epidemia prodhoi një mobilizim të paparë moral të mbështetur nga kisha dhe nga klasat borgjeze. Iu bë thirrje secilit, individualisht, që t’’i largohej nje jete të shthurur. Por, dukshëm, thirrjet morale nuk mund të shpëtonin dot as të pafajshmit, fjala vjen, një grua e virtytshme prekej nga bashkëshorti imoral. Në këtë raport mes të prekurve dhe të paprekurve nga sëmundja krijohen, natyrshëm, disa kategori sociale: transmetuesit shënjohen si fajtorë, ndërsa të prekurit trajtohen si viktima! Këtë situatë e pamë, në një farë mënyre, edhe në vendin tonë në ditët e para të koronavirusit: nisën të shikonin me dyshim e përbuzje çdo kinez të pafajshëm të Tiranës! Ose, nisën t’i adresonin fjalor fyes një të riu nga veriu, se ky nga pakujdesia dhe nga mosdija kishte infektuar disa të tjerë. Në rastin konkret, ky i ri duhej izoluar ose te vetëizolohej. Që prej Mesjetës, ashtu siç na e tregon Mishel Fuko, në kohë epidemishë subjektet ndalen, izolohen në hapësirë, koha ngrin. « Kush lëviz, rrezikon jetën ose nga infektimi, ose nga dënimi prej autoriteteve ».

Në fillim të çdo epidemie është vënë re gjithmonë një frymë mosbesimi që shpesh çon në reagime pak të arsyeshme. («Nuk na gjen gjë ne», thoshte një banor gjatë një interviste, «ne jemi nga malet», gjegjej një tjetër). Kuptohej, ishin përgjigje që shprehnin një farë mosbesimi, për t’ia lënë vendin dyshimit, dëshpërimit dhe ankthit. Dhe menjëherë mbas kësaj lindin adresimet për të “gjetur” fajtorë të mundshëm! Kështu, gjatë murtajës, u akuzuan hebrenjtë si fajtorë të shkaktimit të saj, ndërsa gjatë kolerës ne shekullin e XIX u akuzuan romët për gjoja helmimin e puseve! Dhe ndodhi, pastaj, që shumë prej këtyre të persekutoheshin apo të vriteshin! Edhe të sëmurë të tjerë si lebrozët, gjithashtu, u akuzuan se ishin ata fajtorët e shpërhapjes së epidemisë së murtajës. Këtyre iu refuzua prania apo hyrja në qytet, madje u shtyn jashtë tij, ndërsa të sëmurët e murtajës u izoluan në hapësira të kontrolluara. Dukshëm, qëndrimet ndaj këtyre kategorive epidemike janë pasqyrë e pushtetit ndaj të sëmurëve; diku ai kerkon të sigurojë hapësira të pastra, diku tjetër ai kërkon të ushtrojë disiplinën.

Çka ka ndodhur në jetë nuk është thjeshtë histori, por edhe mësim për t’u mbajtur parasysh në çdo kohë. Në periudhë epidemish, kerkimi i fajtorit është gjithmonë i pranishëm. Shekuj më parë, në Paris ai që akuzohej si fajtor për shpërhapjen e sëmundjes jo vetëm ofendohej rëndë, por edhe rrihej publikisht, deri në ndërhyrjen e policisë. Denoncimet, madje deri edhe letrat anonime nuk munguan përgjatë gjithë shekullit XIX ndaj individëve të caktuar me akuza nga më të ndryshmet dhe nga më të rremet, akuza që përcilleshin nga një person te tjetri në formën e thashethemeve. Sikundër atëherë, edhe sot padija e mosbesimi forcohet edhe më shumë nga tensionet mes palëve politike, tensione që kanë prodhuar kaos dhe pat çuar deri edhe në dhunë fizike mes qytetarëve të thjeshtë. Disa individë në mesjetë e gjetën fajtorin tek vetvetja! Sipas tyre, shpagimi ndaj nje jete plot mëkate duhej paguar me vetërrahje me kamxhik. U shfaqën aso kohe në Evropë grupe rrahësish dhe vetërrahsish, por që u zhdukën më pas me zhdukjen e epidemisë! Në rastin e Sidës ka pasur fakte, kur prindër të caktuar i janë kundërvënë shkollarizimit të një fëmije të prekur nga kjo sëmundje, duke mos e pranuar të jetë pjesëtarë i një klase mësimore! Në rastin e koronavirusit, një teshtime ka mjaftuar për të shkaktuar valë paniku, deri edhe dhune në supermarketë!

Bindje, rezistencë, akuza

Afrimi dhe progresi i një epidemie provokon reagime të menjëhershme: ankth, frikë, izolim, braktisje, përbuzje të tjetrit dhe, në mjaft raste, përcaktim i nje grupi të tërë njerëzish si fajtorë të situatës! Kështu ndodhi me shfaqjen e murtajës së zezë: dy sjelljet kryesore të popullsisë së kërcënuar ishin braktisja e lokaliteteve të prekura apo izolimi vullnetar apo i detyruar në banesa.
Këto sjellje ishin të sprovuara nga koha, të trashëguara nga tradita dhe observimi i dukurive në jetën e përditshme. Kështu, gjatë murtajës, edhe varrmihësit vdisnin që në ditët e para, më pas vdisnin edhe ata që i zëvendësonin, madje edhe kur pretendohej se këta te fundit vinin nga mjediset plot ajër të pastër të maleve. Ne disa qytete arriti pika, ku askush nuk pranonte të kryente më varrime! Braktisja dhe izolimi ishte leksion i historisë njerëzore.
Dhe kjo përvojë shumëshekullore në klasat e varfra dhe në ato fshatare rezistoi gjatë në kohe. I rezistoi edhe diskurseve të autoriteteve politike apo mjekësore. Kur mjekët që observuan epideminë e kolerës në Moskë në vitin 1832 thanë se ajo nuk ishte infektive! Kjo gjë pak u besua nga popujt që ishin mësuar nga përvoja të ishin mosbesues. Fshatarët rusë e zienin ujin gjatë epidemisë së kolerës.

Përvoja popullore mund të ishte, ndonjëherë, po aq e pamëshirshme, sa edhe seleksionimet e të sëmurëve nga mjekët. (Dhe sot shikojmë diku në Evropë një farë diferencimi të të sëmurëve të moshuar, natyrisht kjo e diktuar nga rrethanat e krijuara nëpër disa spitale) Shumë dëshmi të fiksuara në kohë të ndryshme në Evrope tregojnë se si fëmija braktis prindërit e sëmurë, apo se si bashkëshortët braktisin njeri – tjetrin kur njeri del i prekur nga infeksioni. Popujt janë mësuar se si ta ndalin kohën në periudha epidemishë: lidhjet martesore, ato familjare, ndërveprimet e përditshme me fqinjët, gjithçka ndalet, shkëputet dhe secili përpiqet të zbatojë masa individuale, sikundër po ngjet në vendin tonë.

Por këto masa nuk zbatohen nga të gjithë. Nëse dikur këto sjellje mund të përligjeshin nga mosnjohja e problemit për shkak të progresit të ulët mjekësor, nuk mund të themi se kjo është arsyeja kryesore përse sot ka kaq mosbesim ndaj autoriteteve mjekësore. Ndoshta studimet do të na tregojnë që një nga arsyet për mosreagimin mjekësor ndaj koronavirusit është edhe ulja e besimit të popullit ndaj autoriteteve publike në përgjithësi. Lufta partiake për të krijuar kapital politik është tepër e rrezikshme. Shtoj kësaj edhe teoritë e komplotit dhe lloj-lloj fake news, që kanë mbushur internetin me lloj – lloj mendimesh, herë – herë edhe të përçartura, deri edhe me idenë e çmendur, se elitat botërore kërkojnë të shuajnë njerëzimin?!

Përveç mosbesimit ndaj aktorëve të brendshëm, mund të shtojmë edhe atë ndaj aktorëve të jashtëm. Kështu, në fillimvitet 1980, me rritjen e numrit të të infektuarve nga Sida dhe rritjen e frikës ndaj saj, pati akuza të ndërsjella ndaj CIA-s dhe KGB-s. Po ashtu edhe sot, gjatë epidemisë së koronavirusit nuk munguan përfaqësues shtetesh të bëjnë akuza mes tyre për përdorim të qëllimtë të kësaj sëmundjeje kundër një popullsie të caktuar. Këto akuza reflektojnë, ndër të tjera, që edhe marrëdhëniet ndërkombëtare sot kanë hyrë në një raport force po aq të ndërlikuar sa ato të viteve 1980.

Epidemia si luftë dhe politikat publike mbrojtëse

Konceptimi luftarak i epidemive krijon fronte, mobilizim, që, përveç fajtorëve e viktimave, ka edhe heronjtë e tij. Epidemitë në imagjinaren njerëzore përcjellin frikën e një kaosi, ndaj hero bëhet ai që jep shembullin brenda normës së caktuar nga autoritetet, ose duke e tejkaluar normën me çmimin e jetës së tij në emër të një ideali të përbashkët. (Kujtoni rastin e Mjekëve pa Kufij gjate epidemisë së Ebolës në Afrikë). Respekti ndaj normave e ligjeve është emëruesi i përbashkët i të gjitha epidemive në histori.

Përballimi i një epidemie kërkon vetëdije të lartë. Çdokush lipset të mendojë, në radhë të parë, për veten. Gjatë periudhës së murtajës, në disa qytete franceze u caktuan me urdhër përgjegjës rrugësh që mbyllnin dyert dhe dritaret e shtëpive nga jashtë dhe verifikonin respektimin e izolimit. Në rast shkeljesh, përgjegjësi dënohej me vdekje, sikurse edhe ky dërgonte drejt dënimit me vdekje shkelësin e izolimit. Për t’u siguruar për jetën apo vdekjen e banorëve përgjegjësi i rrugës thërriste në emër banorët e ngujuar. Mbas një jave karantinë, përgjegjësi bashkë me banorët pastronin dhe ajrosnin shtëpitë, ndërkohë që banoret nxirreshin jashtë dhe shtëpitë «parfumoheshin» me bime aromatike për t’u futur katër orë më pas sërish në to.
Të gjitha këto procedura shndërroheshin në informacion që regjistrohej dhe, nga një përgjegjës te tjetri, arrinte deri tek kryetari i bashkisë.
Ky është një leksion i rëndësishëm nga historia: epidemitë çojnë domosdoshmërisht drejt një disipline të hekurt, e realizuar përmes një centralizmi shtetëror.  Në vazhdim të kësaj logjike, shënojmë se në vitin 1348, gjatë murtajës, Papa Klementi VI vendosi t’i ndryshojë seancat e liturgjive, që të shmangte grumbullimet, te cilat u konsideruan të dëmshme ndaj shëndetit publik. Në po këtë kohë shfaqen ndërtimet e para të barakave për të izoluar të sëmurët nga kjo sëmundje, kurse në Paris hyri ne fuqi vendimi i parë mbretëror për higjienën publike.
Mbylljet gjeografike, sidomos ato të kufijve, sikundër po shikojmë edhe në Shqipëri, janë dispozitivë mjekësorë, vënë në shërbim që në shekullin XVIII.

Progresi shkencor dhe trajtimi mjekësor

Ende nuk ka një vaksinë për koronavirusin edhe pse disa iniciativa kanë nisur tashmë. Për të ndalur epideminë e murtajës u desh të pritej deri në gjysmën e shekullit XVII, me vendosjen e kordonëve sanitarë që krijuan izolime të popullsisë. Bakteri i murtajës u zbulua vetëm në vitin 1894 dhe vetëm në gjysmën e shekullit XX u arrit të prodhohej antibiotiku (streptomicina).
Në rastin e kolerës progresi mjekësor arriti më shpejt dhe zbulimi i bakterit kolerik nga Koh erdhi në vitin 1884, pasi pati dyshime se problemi mund të vinte nga uji. Vaksina e parë e përmirësuar kundër kolerës u realizua në vitin 1892 në Institutin Pastor në Paris.

Turbekulozi u diagnostikua në vitin 1819, por bakteri u identifikua nga Koh në vitin 1882 dhe vetëm antibiotiku arriti ta mundte këtë epidemi. Në rastin e sifilizit, bakteri i gonokokut u zbulua në vitin 1892 nga Luis Pastor dhe depistimi i tij filloi vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndërkohë, në të njëjtën kohë që luftohej sifilizi, epidemia e «gripit spanjoll» shkakton në vitin 1918 nga 20 deri në 50 milion viktima në botë!

I gjithë ky progres duket kaq i largët sot përballë rrezikut të koronavirusit aktual. Edhe pse sot mjekësia ka përparuar shumë, aktualisht u gjet e papërgatitur! Gjithsesi, makineria e madhe mjekësore e botës është vënë e tëra në punë. ADN – ja e koronavirusit është sekuencuar dhe shpërndarë mes shkencëtarëve më në zë të te gjithë botës dhe shumë laboratorë janë vënë në kërkim të një vaksine. Për momentin, disa pyetje ende mbeten pa përgjigje, si, për shembull, ajo mbi origjinën e virusit.

Një gjë është e sigurt: kjo krizë shëndetësore riktheu vëmendjen e autoriteteve publike kudo në botë tek shkenca mjekësore dhe rezultatet e saj.
Me siguri, që edhe kjo krizë do të kalojë, por një diskutim i madh do të mbetet i hapur dhe serioz: a duhet të kujtohemi për politikat shëndetësore vetëm kur të na vijë përballë epidemia?!

Dr. Arber Shtembari, sociolog, Université de Poitiers, France.