Që prej fillimit të epidemisë së virusit korona nuk kanë munguar së qarkulluari në internet një mori teorish komplotiste që në thelb kanë të gjitha të njëjtën parullë : « Nuk po na thonë të vërtetën ». Nisur nga ky princip, individë të caktuar në youtube apo në rrjetet sociale paraqesin atëherë të vertetat e tyre duke shpjeguar, për shembull, sesi virusi është prodhuar nga shtete të caktuara si armë biologjike, apo se fajin e ka teknologjia 5G. Të tjerë prej tyre, mendojnë se një grup i caktuar njerëzish të përkufizuar në mënyrë anekdotike si « elitat botërore », kanë interesa ekonomike pas një krizë të tillë sanitare. 

Në fakt, historia tregon se në çdo krizë epidemike, njerëzit gjithmonë kërkojnë « përgjigje » dhe shpesh atë e gjejnë dukë kërkuar « fajtorë » : për murtajën në shekullin e XIV u akuzuan hebrenjtë dhe leprozët, për kolerën në shekullin e XIX u treguan me gisht bohemët, për gripin spanjoll në fillim të shekullit të XX u fajësua ushtria gjermane, etj. Sociologu Norbert Elias tregon në punimet e tij sesi epidemitë lënë gjurmë në strukturat psiqike kolektive dhe përcaktimi i një fajtori është një prej mënyrave sesi shprehet ankthi dhe paranoja që përjetohet nga një popull i caktuar. 

Brenda këtij kuadri vërejmë se, gjatë shekujve, në kohë krizash sanitare teoritë konspirative që përcaktojnë fajtorë dhe rreken të shpjegojnë realitetin gjithmonë i kanë pasur velat në pupë. Ashtu si edhe epidemitë, edhe këto « teori » kontaminojnë publikun, por kësaj radhe jo fizikisht, por moralisht.  

Kriza e besimit

Pandemitë shkaktojnë jo vetëm një krizë sanitare, ekonomike doemos, por edhe krizë të thellë besimi. Ca më shumë ngjet kështu, kur në këtë hapësirë të pambuluar mirë nga kanalet zyrtare, ndërhyjnë të ashtuquajturit, « profetë të internetit » ! Kush janë këta ? Dihet pak mbi trajektoren e tyre sociale, ndërkohë dihet shumë mbi shfaqjen e tyre në internet. Bëhet fjalë mbi së gjitha për individë që teoritë konspirative i ushqejnë si profeci. Qasja e ketyre sipërmarrësve moralë mund të konsiderohet si eskatologjike pasi në këto teori, edhe kur ato janë në konkurrencë me njëra-tjetrën, dominon gjithnjmonë një diskurs mbi fundin e botës apo mbi fundin e kohërave !

Nikola Makiaveli tregon gjendjen shpirtërore të popullit të Firencës gjatë murtajës së 1527 « [në rrugë] dëgjohen vetëm këto fjalë : filani vdiq, fisteku është sëmurë, ky ja ka mbatur, ai tjetri është mbyllur në shtëpi ; njëri është në spital, tjetrin po e mbikqyrin ; për të tjerë s’ka asnjë lajlm. Këto janë zhurmat që qarkullojnë, dhe, ku e mendon, ato do të sëmurnin edhe Eskulapin vetë. Shumica e njerëzve e kalojnë kohën duke kërkuar origjinën e së keqes ; dhe disa thonë « astrologët na patën paralajmëruar », të tjerë shtojnë « profetët na e patën thënë ». Në mend na vijnë të gjitha ngjarjet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur ; e keqja i faturohet kësaj kohe që jetojmë ». Realiteti që jetojmë na bën të jemi të ndjeshëm ndaj çdo fjale që thuhet apo ndaj çdo shënimi që shkruhet, qoftë ky edhe i karakterit profetik. Dhe s’ka se si të mos ndodhë kështu. Njeriu është i prirur të thithë sa më shumë informacion, por ky informacion mbjell jo vetëm dije, por doemos edhe ndjenja, qofshin këto pozitive apo negative. 

Sociologu i njohur Maks Veber thotë se profetët shfaqen sa here qe prodhohen kriza. Sipas tij, profeti eshte ai që tregon rrugen, pikerisht kur te tjeret heshtin, dhe e tregon permes nje diskurs të jashtëzakonshëm : « alienet drejtojne boten » apo « teknologjia 5G ka krijuar virusin korona », etj. Në fakt, suksesi i parë i këtyre « profetëve » në rrjet merr shkak nga liria e fjalëes, liri që u lejon të thonë atë që atyre u intereson. Dhe natyrshëm, ata krijojnë pak nga pak atë që synojnë : krijimin e një komuniteti virtual që mbart mesazhe që në rrjet duhet të bëhen « virale » !. Ky krijim i detyrohet jo aq aftësive të tyre « magjike » apo « karizmatike » sesa atij realiteti social që kushtozohet nga mosnjohja e shkakut të epidemisë dhe përpjekjes për të ç’po ndodh. Nëse mund ti japim një farë krediti këtyre « profetëve », është pikërisht ky, se ata dinë të nuhasin se kur ka një mungesë fjalësh për të shpjeguar një realitet të caktuar. 

Sociologu Pjer Burdjë thote se aty ku ka një krizë gjuhe, krijohet mundësia për të përdorur gjuhën e krizës. Ky është funksioni i parë i mesazhit virtual profetik, shpjegimi i një situate të jashtëzakonshme me një gjuhë të jashtëzakonshme : « bota drejtohet nga reptilianë me gjak të ftohtë », pretendon njëri prej tyre në internet që ka me mijëra ndjekës. Po ti dëgjojmë me vëmendje, kuptojme se narracioni që qaset të shpjegojë shkakun dhe efektet është i thjeshtëzuar deri në atë pikë aq sa mesazhi është fare i pjesshëm, i njëanëshem, por bash për këto arsye ai është menjëherë edhe po aq i kuptueshëm. Po ashtu, gjatë shpjegimeve nuk ka vend për dyshime apo mendim refleksiv. Dimensioni ideologjik i narracionit bazohet dhe në faktin se publikut i ofrohet vetëm një version i mundshëm. Gjithashtu, observojmë se autorët i propozojnë publikut edhe një ekonomi morale që e mbron atë pikërisht duke e larguar përkohsisht nga rutina e padurueshme e jetës së përditshme. Për pak kohë, secili harron kushtet socioekonomike që ofron jeta tokësore për tu transportuar për pak minuta në histori me alienë, reptilë, linja gjaku mbretërish të përbetuar, planete misterioze, tokash katrore, tokash me vrimë, civilizimesh hapësinore apo nëntokësore, etj. 

Historitë shoqërohen me mizanskena filmike apo të animuara kurse gjuha e trupit shoqërohet me sfonde ku imazhe sa të çuditshme, po aq dhe qesharake, kanë për qëllim të shoqërojnë mistikën e mesazhit. Së fundmi, mesazhi i këtyre profetëve virtualë vjen në formën e një dhurate, pra në një formë të painteresuar që, siç thote Maks Veberi, përmban një refuzim të dyfishtë : së pari, konstatojmë refuzimin e monetizimit të « dhuntisë si burim të ardhurash » dhe së dyti, refuzimin simbolik të vetë fjalës profetike – një prej këtyre profetëve të internetit, edhe pse pa asnjë formim shkencor, shpjegonte me një seriozitet të admirueshëm sesi shkencëtaret e gjithë botës kanë bërë një diagnostikim të gabuar të virusit korona ! dhe u bënte thirrje shikuesve  që të mos ti besonit atij vetë, por të verifikonin vetë faktet që ai bujarisht i ofronte.  

Rikthimi në normalitet

Arsyet pse këto « teori » gjejnë një publik gjithmonë e më shumë të interesuar në këto qasje mund të lidhen nga një anë me vetë treguesit socialë të këtyre individëve, ndër ta mund të përmendin kapitalin e ulët ekonomik dhe kulturor si dhe statusin e tyre të ulët simbolik në shoqëri. Gjithashtu, krizat politike të njëpasnjëshme që kanë prekur demokracitë europiane, kanë ulur nivelin e besueshmërisë jo vetëm tek qeveritë e këtyre vendeve (vendin tonë përfshirë), por edhe nivelin e besueshmërise tek e gjithë klasa politike dhe tek vetë politika. 

C’do të thotë kriza e kësaj të  fundit ? Ajo na thotë që deri tanimë idea e një të ardhme të përbashkët dhe të sigurtë nuk ekziston dhe se politika deri tash është kufizuar në projekte afatshkurtra duke zëvendesuar debatin e natyrshëm në çdo demokraci me zënka e sherre banale që nuk interesojnë më publikun. Pandemia e virusit korona që po kalojmë zbulon pikërisht ato aspekte të jetës sonë politike dhe sociale që meritojnë një tjetër vëmendje nga autoritetet publike. Ndaj, teksa gjithmonë e më tepër flitet se kur do të rikthehemi tek normaliteti, vlen të shtrohet pyetja : a mos ndoshta përpara se ti përgjigjemi kësaj pyetjeje, na duhet më parë të përkufizojmë pikërisht ç’kuptojmë me rikthim në normalitet ? Sido që të jetë përgjigja mbas reflektimit të kësaj epidemie që po shkakton aq shumë dëme njerëzore, Shqipërisë, si mbarë Evropës e botës, le të shpresojmë që problemet e shumta që njohim në sistemin tonë shëndetsor, nuk do të jenë më nesër pjesë e përkufizimit të normalitetit.